Josifi i Dhiatës së Vjetër
Që nga dita e Diel pasdite fillon Java e Madhe, fillojnë Pësimet e Shenjta të Zotit tonë Jisu Krisht. Shembull i Zotit tonë Jisu është edhe Josifi i Dhiatës së Vjetër, kujtimin e të cilit e kryejmë sot. Josifi ishte djali i vogël i Patriarkut Jakov edhe biri i tij më i dashur.
Por ai nuk ishte i dëshiruar nga vëllezërit e tij, të cilët si fillim e hodhën në një pus të thellë dhe e gënjyen babain e tyre, se e kishte ngrënë një kafshë e egër, duke i treguar rrobat e gjakosura. Më pas e shitën për 30 aspra floriri te blerësit e robërve, të cilët edhe ata e shitën te kryekuzhinieri i Faraonit të Egjiptit, te Petefri.
Josifi ishte shumë i bukur edhe me të u dashurua gruaja e Petefrit, e cila për arsye të mosbindjes së tij, donte ta akuzonte për vepër të keqe dhe imoralitet. Sapo gruaja preku Josifin ai iku dhe u largua. Atëherë ajo nga inati e akuzoi te Petefri se ai donte të abuzonte me të, edhe Faraoni sapo mori vesh këtë gjë e burgosi Josifin.
Por një herë Faraoni pa një ëndërr të çuditshme dhe kërkonte një shpjegues. Me ndriçim nga Perëndia, vetëm Josifi mundte që ta shpjegonte. Se do të vinin në vendin e tij shtatë vite lumturie edhe bollëku, edhe shtatë vite urie. Faraoni u entuziazmua nga urtësia edhe dituria e tij edhe e bëri sekretarin e tij.
Josifi e përdori në mënyrë të drejtë pushtetin e tij si në kohën e urisë ashtu edhe në kohën e paqes. Për arsye të mbarimit të grurit u rishfaqën vëllezërit e tij, të cilët e kishin zhdukur.
Josifi nuk u mbajti inat, por i ftoi në Egjipt bashkë me familjen. Kështu që Josifi na shëmbëllen Krishtin, sepse edhe Ai, Biri i dashur i Atit, u përndoq nga judenjtë, u shit nga nxënësi i tij për 30 aspra argjendi dhe u mbyll në pusin e errët në varr.
* * * * *
Gjithashtu, sot përkujtojmë dhe fikun pa fryte, të cilin e thau menjëherë Zoti Krisht me fjalën e tij. Kjo simbolizon sinagogën e hebrenjve, e cila nuk kishte fryte shpirtërore. Zoti na tregon fuqinë e Tij te druri i pashpirt dhe gjithashtu edhe te njeriu, për të treguar se nuk kishte vetëm fuqinë për të bërë mrekulli, por edhe për të dënuar.
Himnografia i referohet dy temave të mësipërme, por edhe pësimeve të tjera të Zotit tonë Jisu Krisht.