– Ungjilli – Mateu 25:1-13

 

Atëherë mbretëria e qiejve do të ngjajë me dhjetë virgjëresha, të cilat morën llambat e tyre dhe dolën të presin dhëndrin. Edhe nga ato, pesë ishin të mençura dhe pesë të marra. Ato të marrat, kur morën llambat e tyre, nuk morën vaj me vete. Po të mençurat morën vaj në enët e tyre bashkë me llambat e tyre. Edhe si u vonua dhëndri, dremitën të gjitha edhe flinin.

Edhe në mes të natës u bë një thirrje: Ja dhëndri tek po vjen; dilni për ta pritur atë.

Atëherë, gjithë ato virgjëreshat u ngritën dhe ndreqën llambat e tyre.

Po të marrat u thanë të mençurave: Jepnani nga vaji juaj, sepse llambat tona po shuhen. Edhe të mençurat u përgjigjën, duke thënë: Jo, se ndoshta nuk do të na mjaftojë neve dhe juve; po më mirë shkoni tek ata që shesin dhe blini për veten tuaj.

Edhe kur po shkonin të blinin, dhëndri erdhi; edhe ato që ishin gati hynë bashkë me të në dasmë, edhe u mbyll dera.

Po pastaj vijnë edhe virgjëreshat e tjera, e thonë: Zot, zot, hapna. Por ai u përgjigj e tha: Me të vërtetë po ju them juve, nuk ju njoh. Rrini zgjuar pra, sepse nuk e dini ditën, as orën, në të cilën vjen Biri i njeriut.