Koncert festiv për të nderuar Patriarkun Kirill.
Sot, e diel 29 prill 2018, pasdite, në amfiteatrin e Qendrës Kulturore të Kαtedrales “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë, duke nderuar Fortlumturinë dhe Shenjtërinë e Tij, Patriarkun e Moskës dhe të gjithë Rusive, Kirillin dhe Delegacionin që e shoqëron, me pjesëmarrjen e Kryepiskopit Anastas dhe anëtarëve të Sinodit të Shenjtë, u organizua një aktivitet festiv dhe artistik.
Epiqendra e veprimtarisë ishte promovimi i përkthimit në gjuhën ruse i librit studimor të Kryepiskopit Anastas mbi hierapostolinë orthodhokse “Deri në skajet e dheut”. Shumë kapituj të këtij libri i dedikohen si hierapostullimit të popujve sllavë nga shën Kirilli dhe Metodi, ashtu edhe veprës së hierapostujve ruse në vendet e Lindjes së Largët.
Në fjalët e tyre dy Primatët patën rastin të përsërisin edhe një herë idenë se Orthodhoksia, besnike ndaj porosisë së Zotit dhe traditës dhe historisë së saj, është e mangët nëse nuk do ta zhvillojë hierapostullimin edhe në ditët e sotme në të gjithë popujt dhe kombet. Patriarku Kirill përgëzoi Kryepiskopin si një hierapostull jo i fjalimeve, por i ushtrimit të tij në kushtet e kontinentit afrikan dhe në Shqipëri, ku fryt i përpjekjeve të pareshtura që bëri është ringritja e Kishës nga gërmadhat e persekutimit dhe zhvillimi i saj i vazhdueshëm.
Programi festiv vazhdoi me pjesë të muzikës kishtare të interpretuara nga Kori i Muzikës Bizantine “Shën Joan Kukuzeli” i Kishës sonë dhe Kori Sinodal i Patriarkanës së Moskës.
Grupe të rinisë orthodhokse dhe institucioneve arsimore të Kishës sonë interpretuan këngë e valle me temë fetare dhe të traditës popullore.
Në aktivitet, u transmetua edhe një dokumentar i shkurtër për rrugëtimin 27-vjeçar të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, nën drejtimin e Kryepiskopit Anastas.