KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFALE E SHQIPËRISË
VIZITA ZYRTARE E SHENJTËRISË SË TIJ,
PATRIARKUT TË MOSKËS DHE TË GJITHË RUSIVE, KIRILLIT,
NË KISHËN ORTHODHOKSE AUTOQEFALE TË SHQIPËRISË
Prezantimi i librit të Kryepiskopit Anastas
“Deri në skajet e dheut”
Qendra Kulturore e Kishës Katedrale
29 prill 2018
(Përshëndetjet)
Gjatë viteve ‘60, kur në kuadrin e Rinisë Ndërorthodhokse nisëm t’i referoheshim shpesh “porosisë së harruar” të Krishtit të Ngjallur: “Shkoni mësoni të gjitha kombet…” (Matth. 28:19-20), shumë menduan se bëhej fjalë për një entuziazëm të pabazuar. Disa të tjerë u përpoqën ta ulnin përpjekjen tonë, si gjoja ndikim nga kishat perëndimore.
Atëherë vendosëm të bënim një studim sistematik theologjik dhe historik të veprës hierapostolike të Kishës Lindore. Nisëm hulumtimin e hierapostujve bizantinë – ku në majë të tyre qëndron shën Kirilli, i Barabartë me Apostujt -, emrin të cilit mbani Vëlla i shenjtë, Fort i dashur.
Më pas shkuam në studimin e veprës së hierapostujve rusë, të cilët e vazhduan përhapjen e Ungjillit në popuj, që deri atëherë nuk e njihnin. Me mallëngjim të thellë hulumtova dhe botova për herë të parë, në gjuhën greke dhe në anglisht studime për veprën e hierapostujve të mëdhenj, si të shën Inocent Veniaminovit, në Alaskë, (i cili në fund u zgjodh mitropolit i Moskës), të shën Nikolai Kasatkinit në Japoni dhe të shumë të tjerëve.
Këto tekste të përmbledhura, përfshihen në librin “Deri në Skajet e Dheut’, që prezantohet sot në përkthimin në rusisht. Së bashku me falënderimet e mia për ata që kontribuuan në përkthimin dhe në botimin e librit, ndiej nevojën T’ju falënderoj përzemërsisht, Vëlla i Shenjtë, për mendimin Tuaj fisnik që ta prezantoni sonte në Shqipëri.
Ka edhe diçka të veçantë, që e lidh këtë libër me shërbesën time në Shqipëri. Fryma që përshkon librin zbulon të fshehtën “e veçantë”, që më shtyu të pranoja këtë mision të vyer, kur u shfaq për herë të parë, pra, të rithemelimit dhe të zhvillimit të mëtejshëm të një Kishe Orthodhokse Autoqefale në një truall jo të qëndrueshëm. Gjithashtu, shpjegon, në mënyrë indirekte, këmbënguljen time për të theksuar detyrimin e Dëshmisë Orthodhokse në kufij të rinj dhe që kjo gjë të përfshihet në tekste panorthodhokse.
Si epimetër i librit botohet një “manifest” fillestar që përcaktoi ritmin e ecurisë sonë në dhjetëvjeçarët e fundit. “Indiferenca për Hierapostullimin do të thotë mohim i Orthodhoksisë”. Duke përfituar nga burimet e pashtershme të Orthodhoksisë, kemi mundësinë të ripërtërijmë vizionet dhe veprimtarinë tonë, veçanërisht në shekullin e 21-të, gjatë së cilit qytetërimi teknologjik bashkon me shpejtësi mahnitëse gjithë njerëzimin (duke filluar me njoftimet të mbledhjeve të Primatëve të Kishave Orthodhokse si dhe Mesazhin dhe tekstet e tjera të Sinodit të Shenjtë dhe të Madh të Kishave Orthodhokse në Kretë).
Megjithatë porosia e fundit themeltare e Krishtit të Ngjallur – siç theksohet në Ungjillin sipas Mattheut dhe në Veprat e Apostujve, – ruan tërë intensitetin e saj: “Shkoni pra, mësoni të gjitha kombet…” (Matth. 28:19-20) “dhe do të më jeni dëshmitarë… deri në skajet e dheut” (Veprat 1:8).