KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFALE E SHQIPËRISË
VIZITA ZYRTARE E SHENJTËRISË SË TIJ,
PATRIARKUT TË MOSKËS DHE TË GJITHË RUSIVE, KIRILLIT,
NË KISHËN ORTHODHOKSE AUTOQEFALE TË SHQIPËRISË
Dreka Zyrtare
shtruar nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë
në “Mak Albania Hotel”
E diel, 29 prill 2018
FJALA E URIMIT
Nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit
dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi
(Përshëndetjet)
Një dhuratë paskale e mbushur me gëzim është për ne vizita Juaj zyrtare në Shqipëri, Fortlumturia dhe Shenjtëria Juaj, Fort i dashur, Patriark i Moskës dhe i gjithë Rusive, z. Kirill.
Mirë se erdhët në vendin tonë, që në gjysmën dytë të shekullit të 20-të jetoi vitet më të errëta gjatë persekutimit shumë të egër antifetar. Por, me Hirin e Perëndisë, që nga viti 1991, vendi ynë po zhvillohet dhe lulëzon brenda mjedisit të lirisë së plotë fetare. Ky është një fakt, që bëhet i mundur me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve fetare. Gjatë këtyre viteve u përpoqëm të kultivonim respektin e ndërsjellë, reciprocitetin dhe bashkëjetesën harmonike paqësore.
Në përgjithësi, bashkëjetesa paqësore e njerëzve që u takojnë komuniteteve të ndryshme fetare, mund të vijë nga dy pikënisje të ndryshme: Ose nga indiferenca ndaj përvojës fetare, ose nga përjetimi i ndërgjegjshëm i esencës më të thellë të fesë. Në kundërshtim me këtë, urrejtja fetare dhe armiqësia midis komuniteteve fetare që bashkëjetojnë mund të zhvillohen qoftë nga farat e një fanatizmi fetar të llojit ekstrem, qoftë dhe nga faktorë jofetarë, politikë, nacionalistë, psikologjikë, që ndërmarrin të përdorin fenë për synime të tjera. Këto rrënjë kanë qenë të forta në të shkuarën dhe vazhdojnë të kenë rëndësi jetikë në të gjitha vendet. Ne përpiqemi të marrim lëngjet nga rrënjët e shëndetshme të biomës fetare dhe të ndihmojmë në zhvillimin social dhe përparimin e Shqipërisë, në pajtimin dhe ecjen e përbashkët veçanërisht me fqinjët dhe me të gjithë popujt.
I njohim, Vëlla i Shenjtë dhe shumë i dashur, Patriark i Moskës, edhe pikëpamjet tuaja, pozicionimet tuaja publike në raste të ndryshme, në mjediset lokale e ndërkombëtare, njohim edhe këmbënguljen tuaj që liria të lidhet me kuptimin e përgjegjësisë, siç është analizuar në shumë artikuj dhe libra Tuaj.
Me këtë rast, duam të përsërisim urimin e ngrohtë: Perëndia Ju faltë shëndet të fortë, së bashku me “paqen e Tij që kapërcen çdo lloj mendjeje”, që, duke ndjekur me besnikëri gjurmët e Krishtit, Kreut të Kishës, të arrini në vlerësime të sakta, të merrni vendime të drejta dhe të kryeni veprimet e duhura, që do të nxisin bashkëjetesën paqësore të njerëzve dhe të popujve.
Χριστός Ανέστη! Krishti u Ngjall! Христос Воскресе!