E Diela XI e Llukait, “Ftesa e Zotit”, nga Mitropoliti i Apollonisë & Fierit, H. Nikolla, 17.12.2023 (Tekst)

 

 

Të dashur besimtarë, çdo Liturgji Hyjnore e së djelës dhe e çdo dite tjetër, të festave të rëndësishme, si edhe liturgjia që kryejmë ç do ditë në këtë periudhë të kreshmës së Krishtlindjes, është një ftesë që na bën Zoti për të marrë pjesë në darkën e Tij.

Dëgjojmë shpesh pyetjen, sa herë duhet të kungohemi?! Dhe ne i përgjigjemi aq sa herë ka Liturgji Hyjnore, duhet të kungohemi.

Në kishën e herëshme, ata që merrnin pjesë në jetën adhuruese duhet të kungoheshin.

Në momentin, para Simbolit të Besimit, kur thuhet:

“Dyert, Dyert, me urtësi le të vëmë re”, të gjithë ata që nuk mund të kungoheshin dilnin jashtë kishës. Qofshin katikumenët, qofshin ata që kishin qortime nga ati i tyre shpirtëror. Mbesnin në kishë vetëm ata që do të kungoheshin. Kur ne na ftojnë, në darka ose në festa të ndryshme, marrim pjesë, ushqehemi atje. Në raste shumë të rralla mund të ndodh që të mos marrim pjesë në këto gostira. Kështu duhet të ndodh edhe me Liturgjinë Hyjnore, për të cilën marrim ftesën nga Zoti. Të gjithë duhet të kungohemi patjetër, vetëm në raste shumë të rralla kur ne jemi shumë të sëmurë shpirtërisht, të ngarkuar me mëkate shumë të mëdha, kur ne ndjejmë, që duhet të rrëfemi dhe të marrim ndjesën nga ati shpirtëror dhe pastaj të jemi gati të kungohemi.

Ashtu siç është ofendim për atë që të ka ftuar në gosti, që të mos shijosh, ashtu është ofendim edhe për Perëndinë, që na fton në festën e Tij dhe nuk shijojmë nga kungimi.

Në pjesën e ungjillit të sotëm thuhet, që i zoti i shtëpisë ftoi miqtë e tij që të merrnin pjesë në gosti dhe të gjithë ata që u ftuan gjetën arsye të ndryshme, që të mos merrnin pjesë. Të gjithë të ftuarit nuk morën pjesë në gosti, nuk është se kishin bërë gjëra të këqija, ose të turpshme, që të mos merrnin pjesë.

Shpesh herë, shumë besimtarë thonë pse duhet të rrëfehen, pse duhet të vijnë në kishë, kur as kanë vrarë, as janë imoralë, as gënjejnë, as kanë bërë padrejtësi. Ata nuk shohim nevojën e kishëspër shpëtimin e tyre.

Dhe njerëzit e ungjillit, nuk kishin bërë mëkate, por ata nuk pranuan ftesën e Zotit të marrim pjesë në Darkën e Tij.

Çfarë është Darka e Zotit?!

Liturgjia Hyjnore, një parashijim i Mbretërisë Qiellore. Liturgjia Hyjnore ka kuptimin eskatologjik, të ngjarjeve të fundit.

Gjatë Liturgjisë Hyjnore ne parashijojmë gjithë përmbushjen e jetës sonë. Pra ftesa për Liturgjinë Hyjnore, është ftesa që na bënë Zoti për në Mbretërinë e Tij. Ta shijojmë gëzimin dhe darkën bashkë me Zotin, jo përkohësisht si tani, por përjetësisht bashkë me Zotin.

Kjo është ftesa e Zotit dhe ne duke menduar se jemi të mirë, e përjashtojmë veten tonë nga kjo festë, nga pjesëmarrja në Mbretërinë e Perëndisë, nga gëzimi dhe lumturia e përjetshme.

Ata nuk kishin bërë asnjë faj, por nuk jemi fajtor vetëm kur bëjmë mëkate, por edhe atëherëduhet të bëjmë të mirën edhe nuk e bëjmë.

Apostull Jakovi na thotë, se kush di të bëjë të mirën dhe nuk e bën, bën mëkat.

Është mëkat, kur ne mund të bëjmë të mirën dhe nuk e bëjmë, është mëkat, kur marrim ftesën nga Zoti dhe nuk marrim pjesë në festë.

Është shumë tragjike ngjarja që dëgjuam në ungjillin e sotëm, të gjitha sa ishin ftuar, u vetëpërjashtuan dhe ata që nuk ishin ftuar, shijuan darkën e zotërisë.

Do të jetë shumë tragjike, nëse me të vërtet do të ndodh kështu me ne, që vazhdimisht kemi ftesë nga Perëndia që të marrim pjesë në darkën e Tij, të përjashtojmë veten tonë nga kjo mundësi.

Zoti vazhdon të na ftojë.

Tani pak ditë na mbeten nga festimi i Krishtlindjeve, secili prej nesh duhet të përgatisë veten e tij, shpirtin e tij, që në këtë festë të madhe, ku Perëndia zbraz veten e Tij dhe vjen te ne dhe na fton që nëpërmjet Tij, të na ngrejë atje ku është Ai, në Mbretërinë e Perëndisë.

Le të përgatitemi, që në këtë festë kaq të madhe, të bëhemi pjesë e Darkës së Zotit.

Le ta shijojmë dhe parashijojmë gëzimin qiellor të Perëndisë. Amin!