E Diela XI e Llukait, Arsye & Justifikime, nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës & Kaninës, H. Ignati, 17.12.2023 (Tekst)
«Ejani, se të gjitha janë gati…
por të gjithë zunë si prej të një mendjeje të hiqeshin mënjanë» v.17-18
Në shëmbëlltyrën që dëgjuam sot, gëzimi dhe shijimi i Mbretërisë së Përjetshme, përngjasohet me një darkë madhështore, që përgatiti Perëndia dhe në të cilën na fton të gjithë të marrim pjesë, duke na thënë: “Ejani dhe mos anulloni, sepse tashmë janë të gjitha gati”.
Tre të ftuarit e Darkës së Madhe përgjigjen me një mënyrë të papritur. Nuk pranojnë të shkojnë në Darkë. Mënyra me të cilën sillen, shkakton me të vërtetë zemërim. “Dhe të gjithë zunë si prej të një mendjeje të hiqeshin mënjanë”. Le t’i dëgjojmë.
* * *
I pari tha: “Bleva një arë dhe duhet të shkoj ta shoh”. Nëse nuk do të shkonte ta shikonte në atë moment, në orën e darkës, por do ta linte për ditën tjetër, do të ikte vallë ara nga vendi? Çfarë justifikimi ishte ai? Gabim!
I dyti tha: “Bleva dhjetë qe. Duhet t’i provoj.” Mendim i gabuar, vlerësim i gabuar, vendim i gabuar.
Dhe i treti tha: “Sapo jam martuar, dhe nuk mund të vij”. Nëse martesa nuk të lejon të shkosh në darkën e mikut tënd më të mirë, personit më të respektuar, martesë është ajo? Dhe ky vlerësim është i pabazë dhe i gabuar.
Në këtë Darkë Hyjnore, Perëndia fton të gjithë njerëzit. “Do që të shpëtojnë të gjithë njerëzit dhe të vijnë në njohjen e së vërtetës” I Timotheu 2:4. Së pari, ftoi Hebrenjtë, që të bëhen mësues dhe udhëheqës për tek Perëndia edhe për popujt e tjerë. Dhe fatkeqësisht, ata jo vetëm nuk pranuar ftesat qiellore, por edhe keqtrajtuan gjithë Profetët dhe Shenjtorët e dërguar, që u sollën ftesat. Në fund bënë edhe veprën më tragjike të historisë: kryqëzuan edhe Kryetarin e Darkës, Krishtin.
* * *
Këtë ftesë na e drejton edhe ne Perëndia. Sigurisht, arsye për ta përbuzur ka shumë, si Hebrenjtë. Njëri mund të justifikohet se ka shumë punë dhe nuk mund të merret edhe me Kishën. Tjetri mund të thotë, se është i ri dhe nuk mund të ndjekë linjën “e rreptë” të Ungjillit. Një i tretë, ndoshta mund të justifikohet se krishterimi është i prapambetur për kohën tonë, që ka aq përparime shkencore dhe kulturore.
Të shumtë janë shembujt që tregojnë këtë të vërtetë brenda jetës sonë. Por, le të thellohemi më tepër, në tre kategoritë e njerëzve, që përfaqësojnë tre refuzuesit e ftesës për në Darkën e Madhe.
Kategoria e parë janë ata që, fuqia ekonomike dhe pasuritë e tyre, zë vendin e parë në mendjen dhe zemrën e tyre. I dëgjoni të thonë, kam shumë punë. Ekziston një lakmi e tmerrshme për punën dhe të mirat materiale. Sepse besojnë se, sa më shumë pará dhe prona të kenë, aq më shumë do të jenë të lumtur. Mungesa e besimit tek përkujdesja e Perëndisë, u sjell në shpirt pasiguri dhe shqetësime.
Kategoria e dytë, është ajo e atyre njerëzve, që jetojnë për kënaqësitë e shqisave të tyre dhe për këtë arsye bëjnë një jetë antishpirtërore. Materializmi, adhurimi i trupit, bollëku i të mirave, qeverisin në një pjesë të madhe, mentalitetin dhe sjelljen e shumë njerëzve. Parulla e tyre është: “Të hamë, të pimë, se nesër do të vdesim”. Dhe ndërkohë që njeriu bashkëkohor plotëson me të tepërt nevojat materiale, shkujdeset për ato shpirtërore. Prandaj nuk gjen as kohë as ka dëshirë të mirë. Dhe rezultatet janë të prekshme.
Kategoria e tretë, janë njerëzit që mbyten nga përkujdesjet familjare, dhe humbasin paqen e shpirtit. Sikur ta dinin çfarë humbasin gjithë këta njerëz! Por gjithë këto pozicionime dhe qëndrime ndaj jetës, janë vetëm arsye, dhe jo justifikime reale. Fryma e vërtetë e krishterimit nuk është kurrë kundër punës, kundër rinisë dhe kundër shkencës. Ai që pretendon këto, mashtrohet.
* * *
Krishterimi është kundër nënshtrimit tek të dheshmet, në dëm të të përjetshmeve. Përtej punës, ndjenjave dhe gruas, ekziston edhe përjetësia. Me një kombinim të saktë të të dheshmeve dhe qielloreve, ia arrijmë në mënyrë të shkëlqyeshme, qëllimit të ekzistencës sonë. Prandaj krishterimi është arritje e vërtetë dhe përparim real për të gjithë shekujt. E keqkuptojmë krishterimin, sepse nuk e njohim krishterimin e vërtetë. Krishterimi i vërtetë nuk është kurrë anakronik. Krishterimi i vërtetë është Darka jonë më e mirë.
Darka e pjesës së sotme të Ungjillit, sipas Etërve të shenjtë, lidhet kryesisht me Falënderimin Hyjnor, Kungatën e Shenjtë, ku Mbledhja e besimtarëve përjeton, që tani e tutje, Mbretërinë, e dashurisë së kryqëzuar, të Perëndisë. “Darkë, e quan këtë, dhe jo drekë, sepse në perëndim të shekujve u shfaq Biri i Perëndisë, ku duroi edhe vdekjen për hirin tonë, kur na dha të hamë Trupin e Tij; dhe ftoi shumë, domethënë shumicat e judenjve”. Dhe me këtë Darkë, zëvendësoi theroret e përgjakshme të Tempullit të Jerusalemit, brenda një klime të re, entuziazmi dhe pritjeje të Mbretërisë së Përjetshme, me pjesëmarrjen në Misterin e Falënderimit Hyjnor, në çlirimin dhe ndjesën nga mëkatet, me pjesëmarrjen e Shpirtit të Tërëshenjtë, shkëlqimin e birësimit, trashëgiminë e Mbretërisë së Përjetshme të Qiejve.
* * *
Këtë ftesë e refuzojnë “njerëz të pushtuar nga grumbullimi i arit, argjendit dhe dashuria për fitimin e parave; dhe gjithë energjinë dhe përpjekjen, madje edhe veten e tyre, e sakrifikojnë në altarin e parasë”. Sot bota e krishterë vuan nga paaftësia e saj për të kremtuar dhe për tu gëzuar brendësisht. Është vënë re se dita më e rrëmujshme e vitit është ajo e Krishtlindjeve. Dhe ne të krishterët e pagëzuar dhe të mirosur, të ndikuar, nga fryma e entuziazmit të çmendur të këtyre ditëve, që mbizotëron në botë, si përfundim nuk ndiejmë frymën e vërtetë të të kremteve. Nuk ndiejmë kërcimet festive të pranisë së Krishtit dhe paqes së Tij në zemrën tonë.
Kisha, me pjesën e sotme të Ungjillit, drejton një ftesë të fundit për pjesëmarrje të ndërgjegjshme në ngjarjen reale të Krishtlindjeve. Është fakt se arsyet dhe justifikimet e të ftuarve të shëmbëlltyrës së Zotit, përsëriten vazhdimisht në të gjitha kohërat. Mobilizojmë arsye për mungesën tonë nga kishërimi i së dielës, se nuk kemi kohë të lexojmë përditë Shkrimin e Shenjtë, nuk kemi kohë për autokritikë, për rrëfim, për darkën e Kungatës Hyjnore. Të gjitha këto arsye dhe justifikime, janë shkatërrim për shpirtin tonë.
* * *
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!
Fjala e përjetshme e Perëndisë, vetëm një bazë njeh, për t’iu afruar Perëndisë dhe për të përjetuar frymën dhe mesazhin e së kremtes së Krishtlindjeve: Qëndrimin përkundrerjt personit të Jisu Krishtit, siç na këshillon apostulli i shenjtë dhe ungjillori Joan Teologu: “Cilido që mohon Birin, nuk ka as Atin. Ajo pra që dëgjuat ju nëpërmjet predikimit, që nga fillimi i jetës suaj të krishterë, për Atin dhe Birin, le të mbetet brenda jush e patjetërsueshme dhe e përhershme. Nëse mbetet brenda jush ajo që dëgjuat që në fillim, edhe ju do të mbeteni në lidhje të ngushtë dhe komunikim me Birin dhe me Atin.” I Joani 2:23-24.
Ftesa në Darkën e Mbretërisë, është në personin e Krishtit. Sepse ai është jo vetëm ofruesi i Darkës, por edhe Ushqimi dhe Pija e Darkës, si bukë dhe verë e ofruar në Misterin e Falënderimit Hyjnor. Kisha, duke vendosur në Misterin e saj më kryesor, Bukën Qiellore, Ushqimin e gjithë botës, nuk bën asgjë tjetër, përveçse të ftojë vazhdimisht në Darkën e Madhe, “çdo njeri që vjen në botë” Joani 1:9. Misteri dhe dëshmia profetike e Kishës, është ftesa që nuk resht kurrë… Pranimi apo refuzimi i ftesës, për të marrë pjesë në të kremten, na takon ne.