– Ungjilli – Llukai 14:1-11

Edhe një të shtunë, kur ai erdhi në shtëpinë e një prej të parëve të Farisenjve për të ngrënë bukë, ata ishin duke e vënë re atë.

Edhe ja një njeri i sëmurë me hidropizi tek ishte përpara tij. Edhe Jisui u përgjigj e u tha mësuesve të ligjit dhe Farisenjve, duke thënë: A lejohet të shërojë njeriu të shtunën? Edhe ata heshtën. Edhe si e zuri, e shëroi, edhe e la të ikte. Pastaj u përgjigj e u tha atyre: Kujt prej jush, po t’i bjerë i biri a kau në pus, nuk e nxjerr menjëherë ditën e shtunë? Edhe ata nuk mundën t’i përgjigjeshin për këto.

Edhe atyre që ishin ftuar u thoshte një paravoli, sepse vinte re si zgjidhnin vendet e para,duke u thënë atyre: Kur të ftohesh nga ndonjë në dasmë, mos u ul në krye të tryezës, se mos është ftuar prej atij ndonjë tjetër më i nderuar se ti, edhe vjen ai që të ka ftuar ty dhe atë, e të thotë: Lëri vendin këtij. Dhe atëherë me turp do të nisësh të rrish vendin e fundit. Po kur të ftohesh, shko e ulu në vendin e fundit, që, kur të vijë ai që të ka ftuar, të të thotë: Mik, ngjitu më sipër. Atëherë do të jetë lavdim për ty përpara atyre që rrinë në tryezë bashkë me ty. Sepse kushdo që ngre lart veten e tij, do të përulet, dhe ai që përul veten e tij, do të ngrihet lart.