E Diela X e Llukait, Pasioni i hipokrizisë, nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës & Kaninës, H. Ignati, 10.12.2023 (Tekst)

 

«Hipokrit, gjithsecili prej jush ditën e shtunë a nuk zgjidh kaun e tij…?» v.15

Pjesa e sotme e Ungjillit na shfaq qartë, nga njëra anë imazhin e dashurisë së madhe të Krishtit për njeriun, dhe nga ana tjetër vetëdashjen e farisenjve, bashkë me smirën dhe zemërimin e tyre. E shtuna ishte dita e lutjes së përbashkët për judenjtë, ashtu si e diela për të krishterët. Zoti e kishte për zakon të shkojë në sinagogë për lutje. Por nuk shkonte vetëm për lutje në sinagogë. Shpesh herë shpjegonte Shkrimin e Shenjtë dhe mësonte njerëzit, duke u thënë fjalë që nuk janë shkruar në Ungjij. Zoti Jisu shkonte gjithashtu në sinagogë, që të gjejë momentin e duhur t’u shërbejë, me veprat e Tij të mrekullueshme, njerëzve, të cilat dëshmonin shpëtimin që ofron dhe hyjninë e Tij. Një vepër të tillë të mrekullueshme bëri me rastin, që përshkruhet në Ungjillin e sotëm.

* * *

Zoti gjendej një të shtunë në një sinagogë dhe predikonte. Midis turmës, pra, ishte edhe një grua, që kishte një sëmundje trupore, dukshëm për t’u ardhur keq. Kurrizi i saj ishte i kërrusur shumë dhe nuk mundej të qëndronte drejtë. Atje ku fliste Jisui, pra, e vuri re, iu dhimbs dhe, duke ndërprerë mësimdhënien e Tij, i tha: -“Grua, je e çliruar prej sëmundjes sate. Dhe vuri duart mbi të dhe ajo menjëherë u drejtua, dhe lavdëronte Perëndinë”.

Por atëherë, ndërhyri menjëherë i pari i sinagogës dhe duke u zemëruar, se Jisu Krishti e kishte bërë atë mrekulli për ditë të shtunë, dhe duke mos guxuar i mjeri, t’i drejtohet vetë Atij, i thoshte turmës: -“Gjashtë ditë janë në të cilat duhet të punoni; ndër këto pra ejani e shërohuni, e jo ditën e shtunë”.

* * *

Por, Zoti nuk e la pa përgjigje. Gjoja me pushimin e së shtunës, ai njeri i mbushur me vrer dhe ligësi, kishte dashur të shtrembërojë në popull frymën e fesë së vërtetë. Ligji i Moisiut e ndalonte punën përgjatë ditës së shtatë të shenjtë, por jo veprat e mira. Dhe Jisui bëri të shkëlqejë kjo e vërtetë në shpirtrat, ku i pari i sinagogës kishte mbjellë trazirën.

-“Hipokrit, i tha. Gjithsecili prej jush ditën e shtunë a nuk e zgjidh kaun e tij apo gomarin e tij nga grazhdi, edhe e sjell e i jep ujë? Edhe kjo që është bijë e Abrahamit, të cilën ja tek e pati lidhur satanai tetëmbëdhjetë vjet, a nuk duhej të zgjidhej, prej kësaj lidhjeje, ditën e shtunë?”.

* * *

Si zgjidhje, e karakterizoi Zoti shërimin e asaj gruaje. Zgjidhje dhe çlirim nga pranga që nuk ishin thjesht nga natyra, por nga vetë satanai. Ai është mjeshtri i çdo situate të tmerrshme, shkaktari më i fshehtë pas çdo pësimi nga sa u ndodh njerëzve.

Kur krijesa doli nga duart e Perëndisë, ishte shumë e mirë. Nuk e hijesonte as e meta më e vogël, as papërsosmëria më e vogël, as ligësia më e paktë. Por kur, të parëgatuarit ranë në shkelje dhe u internuan nga Parajsa e dëfrimit, atëherë krijesa u lëkund dhe u errësua, u bë fushë veprimi e frymës dinake. Atëherë, midis mundimeve të tjera që i ndodhin njeriut, u shfaqën edhe sëmundjet. Perëndia lejon, si pikëllimet e tjera, ashtu edhe sëmundjet, jo si ndëshkim, as që t’i bëjë qefin të ligut, por që të lavdërohet emri i Tij i shenjtë, qoftë me pendimin tonë, qoftë me durimin tonë, siç përmend Shkrimi i Shenjtë Jovin, të paralizuarin, të verbrin, apostull Pavlin.

* * *

Por në këtë rast, nuk ishte zelli i ligjit, që e ngriti të parin e sinagogës kundër Krishtit, por vetëdashja e tij e sëmurë. Si do të mundej dikush të tregojë në sinagogë, se është më i fortë, më i urtë dhe më i dhembshur nga vetja e tij. Bëri një shfaqje të zellit të tij për Ligjin e Perëndisë; por në buzët e tij dukej hapur një helm, që doli nga zemra e tij e sëmurë. Kjo ishte një arsye tjetër, që ta quajë Zoti hipokrit. Me përgjigjen e Tij, që ishte e mprehtë si shpatë dhe e pastër si dielli, Zoti ia mbylli gojën jo vetë të parit të sinagogës, por edhe gjithë armiqve të Tij.

“Dhe ndërsa Ai po thoshte këto, gjithë ata që i dilnin kundër turpëroheshin” v. 17. Sa e lehtë është të mbrosh një vepër që u bë nga dashuria për njeriun! Perëndia qëndron pas një vepre të tillë si dëshmues dhe mbrojtës. Vepra e mirë jep një rrjedhshmëri të pamposhtur në të folur. Zoti i dinte gjithë të fshehtat e qiellit dhe të dheut.

“Prandaj dhe gjithë turma gëzohej për gjithë punët e lavdërueshme që bëheshin prej tij”. Me tu bërë ndonjë mrekulli, lajmet për të, përhapeshin shpejt dhe menjëherë pasonte edhe një mrekulli e dytë, e tretë dhe të tjera. Një mrekulli siguronte dhe të vërtetën e mrekullisë së mëparshme. Dhe të gjitha bashkë krijonin begati shpirtërore, u jepnin gëzim njerëzve të zymtë dhe shpresë të dëshpëruarve. Të gjitha forconin në besim ata që ishin më tepër besëpakë, u jepnin kurajo të mirëve në rrugën e së mirës, dhe udhëhiqnin ata që endeshin në rrugë të shtrembëta, mbillnin kudo fjalën se, Perëndia kishte vizituar popullin e tij dhe se Mbretëria e Perëndisë po vjen.

* * *

Gruaja e kërrusur nënkupton mendjet e kërrusura të të gjithë atyre që nuk i afroheshin Jisu Krishtit. Atyre që kanë mendje të shtrembër dhe nuk munden me fuqitë e tyre të qëndrojnë përpara Perëndisë, por zvarriten vazhdimisht në tokë, ushqehen vetëm nga dheu. Mësojnë nga dheu dhe gëzohen mbi dhé.

I pari i sinagogës mbante maskën e shprestarisë dhe mashtronte popullin. Por nëse njerëzit mashtrohen lehtë, një nuk mashtrohet. Dhe ai është Krishti. Krishti shikon jo vetëm të jashtmet por edhe të brendshmet. Krishti shikon thellësitë e zemrës njerëzore. Të gjithë mundej t’i gënjente i pari i sinagogës, por jo Krishtin. Dhe Krishti, që shikonte veprën e tij të shtrembërohet, të shpifet, dhe i shenjti e i pamëkatshmi, të paraqitet si një i pabesë dhe shkelës i urdhrave të Perëndisë -sepse ai ishte qëllimi i të parit të sinagogës-, Krishti bën një zbulesë publike të këtij njeriu smirëzi. Heq maskën e shprestarisë, që mbante, dhe e shfaq siç ishte.

Krishti, shëroi të kërrusurën; e ngriti drejt, duke e bërë atë të shikojë lart. Shëroi edhe njerëzimin; e ngriti drejt. Gruan e kërrusur, e bëri mirë vetëm me fjalën e Tij. Kurse njerëzimin, e bëri mirë me trupëzimin e Tij. U nevojit, domethënë, të zbresë Vetë nga Qielli në dhé, dhe të veshë natyrën tonë njerëzore; të përkulet vetë Ai mbi ne; të bëhet edhe Ai “i kërrusur”. Nga Zoti, që është mjeku i shpirtrave dhe i trupave tanë, le të kërkojmë çlirimin tonë nga sëmundjet trupore, ashtu si edhe ato shpirtërore. Dhe le të mos harrojmë kurrë se, pas shkaqeve natyrore të këtyre pësimeve, është gjithmonë gishti i djallit.

Prandaj, përkrah ilaçeve dhe mjekimeve natyrore, është gjithmonë e madhe ndihma, që jep lutja, pendimi, që të përballojmë sëmundjet e trupit, përveç atyre, të cilat Perëndia vazhdon t’i përdorë, që të lavdërohet emri i Tij me rezistencën tonë, durimin dhe besimin tonë. Përveç atyre që ngjajnë me gjembin e apostullit të madh, shën Pavlit II Korinthianët 12:7, i cili tre herë i ishte lutur Zotit për atë pësim, dhe mori përgjigjen: “Të mjafton hiri im; sepse fuqia ime, në dobësi tregohet e përsosur” II Korinthianët 12:9.

Kështu, duke iu afruar Krishtlindjeve, Kisha jonë, pak ditë para kësaj të kremteje, vendosi, që sot të lexohet kjo pjesë përkatëse e Ungjillit.

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

Është koha të ndërgjegjësohemi, se edhe ne jemi të kërrusur, jo për shkak të djallit, as për shkak të ndonjë pësimi anatomik, i cili na detyron të shikojmë vazhdimisht dheun, por kryesisht për shkak të prirjes-dëshirës sonë, e cila shndërron madje edhe vetë rregullat e Kishës, në mjete për të nxjerrë të drejtë veten tonë dhe për të dënuar të tjerët. Me rastin e periudhës së luftës shpirtërore, le të vendosim nën petrahilin e atit shpirtëror gjithë fajet dhe mëkatet, që na kërrusin dhe na gozhdojnë poshtë, në mënyrë që brenda nesh të lindet hiri hyjnor i Krishtlinjdeve dhe të shohim me një sy tjetër të pastër Qiellin dhe të afërmin tonë.

 

U bëftë!