Pasi kemi ndjekur me vëmendje botimet e kohëve të fundit të disa individëve kundër kreut të Kishës së vetme Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe duke ditur se pas gjithë këtyre ngjarjeve fshihet individi Nikollë Marku, e ndjejmë si detyrë të informojmë besimtarët e devotshëm orthodhoksë, por dhe opinionin publik shqiptar më gjerë, lidhur me jetën dhe veprën e këtij njeriu të vetëtitulluar “prift”. Kush është në të vërtetë Nikollë Marku? Është me të vërtetë një prift orthodhoks apo jo? Është apo s’ është fare prift? A është ai shembull priftërie dhe a është vetë ai korrekt me të Drejtën Kanonike të Kishës së Krishtit apo këmbëngulja e tij në një nga statutet është thjesht përpjekje për të mbuluar falsitetin e tij si prift? Këtyre por dhe pyetjeve të tjera do t’u japim përgjigje në këtë artikull.

    “Ju shkruajmë jo se nuk njihni të vërtetën, por sepse e njihni dhe sepse asnjë gënjeshtër nuk ka si burim të vërtetën” (1 Joanit 2:21). Nikollë Marku në vitin 1992 ndoqi për tre muaj Seminarin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë në Durrës, ku qëllimi i kësaj shkolle ishte përgatitja e kuadrove dhe nxjerrja e priftërinjve, të cilët në njëfarë mënyre, do të mbulonin nevojat dhe mungesat që la pas periudha komuniste. Për sjelljen dhe tipin e tij ekcentrik flasin vetë ata që jetuan bashkë me të. N. Marku pat’ vjedhë më shumë se dy herë shokët e tij dhe materiale që destinoheshin për t’ju ndarë të gjithë seminaristëve. Mësimeve të këtij kursi tre mujor u bënte bisht me pretekstin se vuante rëndë nga astma. Që të kuptojmë sa më mirë se për kë bëhet fjalë, mjafton t’i referohemi një ngjarjeje spektakolare. Në prag të Pashkës së 1993-it, Nikollë Marku, vjedh mesazhin e Kryepiskopit Anastas drejtuar besimtarëve orthodhoksë me rastin e Pashkës dhe e boton në gazetën e Elbasanit me emrin e tij. Skena të tilla vetëm në Hollivud realizohen! Nga sa thamë më sipër, konkludojmë se: a) qëllimi i tij nuk ishte t’i shërbente Kishës Ortodokse dhe b) edhe nëse do të donte, nuk plotësonte as kushtet më elementare të një kandidati për prift. Këto dy konkluzione mirë është t’i mbajmë mend, sepse do t’u referohemi sërish në vijim.

    Që të kuptojmë nëse Marku interesohet realisht apo jo për ruajtjen e Autoqefalisë, mjafton të përmendim një hollësi të vogël, duke bërë një retrospektivë në jetën e tij legjendare. Pasi mbaroi kursin tre mujor iu dha mundësia dhe bekimi i madh të predikonte ungjillin e Krishtit në Elbasan si katekist. Por Marku, sapo dëgjoi këtë ofertë humbi ngjyrën e fytyrës dhe u largua pa nam e pa nishan. Nuk ishte kjo çka kish ëndërruar; ai duhet të bëhej Kryepiskop, prandaj djersiti për tre muaj me radhë në kursin e Durrësit e jo për të predikuar Krishtin. Për rreth tre vjet vriste mendjen se si mund t’i zinte vendin Anastasit dhe e gjeti mënyrën; do vetëshpallej kreu i kishës ortodokse autoqefale kombëtare shqiptare. Me shtojcën e fundit do të arrinte të prekte edhe shqiptarët joorthodhoksë. Me këtë përmbledhje të shkurtër, por tepër të sinqertë ju mund të kuptoni se gjithë zhurma që bën Marku ka si qëllim ambiciet e tij prej karrieristi dhe jo preokupimin për Autoqefalinë.

    Rikthimi i tij i bujshëm lidhet ngushtë me ngjarjet e 1995-s në Elbasan, vend në të cilin grabit Kishën e Shën Mërisë së kalasë, duke justifikuar zërat që bënin fjalë për një njeri pa fe e pa atdhe, të aftë për çdo gjë, njeriun e ekstremeve. Pra, duke përfituar nga mbështetje politike përvetëson me dhunë kishën në fjalë dhe godinën dykatëshe të restauruar prej KOASH-it, por duke qenë se ishte e pamundur që si civil të celebronte misteret e shenjta dhe si rrjedhojë të mbante një kishë pa qenë klerik, shfaqet si prift i shuguruar në Kishën skizmatike (që nuk është në kungim me asnjë Kishë në botë) të Maqedonisë. Në të vërtetë asnjëherë nuk kanë bindur pretendimet lidhur me priftërinë e tij. Interesant është fakti se, sa herë është thirrur të bëjë publik dokumentin e shugurimit të tij në prift, thjesht ka heshtur. Kjo na bën të besojmë se priftëria e N. Markut është inekzistente dhe pjellë e fantazisë së tij. Nga ana tjetër, nëse ekziston qoftë dhe mundësia më e vogël që Marku të jetë hirotonisur prift në Kishën skizmatike të Maqedonisë, atëherë gjërat ndërlikohen më shumë dhe bëhen më të vështira për të. Sepse që këtej e tutje nuk kemi të bëjmë thjesht me një shkelës të ligjeve juridike, por me një shkelës të kanoneve dhe të së Drejtës kishtare.

    Por më mirë le të lemë kanonet e Kishës të flasin për N. Markun, sepse “kështu dallohen bijtë e Perëndisë nga bijtë e djallit: kush nuk vepron mirë nuk është bir i Perëndisë” (1 Joanit 3:10) dhe treguesi më i përshtatshëm është Kisha me kanonet që dekretoi për 2000 vjet me radhë dhe me Shkrimin e Shenjtë që është produkt i gjirit të Saj.

    1. “Në qoftë se një episkop, prift apo dhiakon vjedh ose grabit, atëherë të katherizohet (d.m.th. të zhvishet)”. (Kanoni XXV i Apostujve). Marku jo vetëm që grabiti godinën dykatëshe dhe pronën e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, por dhe kishën e Shën Mërisë së kalasë në Elbasan.

    2. “Në asnjë mënyrë të mos pranohet episkop, prift apo dhjakon që nuk i përket Kishës apo enorisë suaj pa letër rekomandimi nga mitropoliti i zonës, për të vepruar në zonën e caktuar”. (Kanoni XXXIII i Apostujve dhe kanoni XIII i Sinodit të IV Ekumenik). Këtu bëhet fjalë për veprim paraenorik, ku një klerik i një enorie (dioqeze) tjetër vepron pa lejen e mitropolitit që i përket zona. Konkretisht, Marku, vepron në qytetin e Elbasanit pa lejen e Kryepiskopit, i cili ka nën juridiksionin e tij Elbasanin. Sigurisht që kjo leje edhe nën kushte të tjera do të ishte e pamundur t’i jepej Markut, sepse mbi të gjitha nuk është prift kanonik, por skizmatik; gjithmonë nëse është i tillë! Më sipër përdorëm foljen “vepron”. Më korrekt do të ishte përdorimi i termit “parasinagogë”, sipas terminologjisë kanonike kishtare; d.m.th. N. Marku kryen parasinagogë, mbledhje të palejueshme më qëllime të errëta, mbledhje të cilat karakterizojnë klerikët heretikë dhe kundërvajtësit e ligjeve kishtare.

     3. “Ai klerik që shan dhe fyen një episkop, prift apo dhjak, të aforizohet”. (Kanoni i LVI i Apostujve). Kanoni në fjalë është shumë i rreptë për klerikun që fyen një tjetër klerik, sidomos kur bëhet fjalë për kreun e një Kishe Autoqefale, siç është Kryepiskopi Anastas. Pasojë e një veprimi të tillë nuk është thjesht zhveshja, por aforizimi, d.m.th. çkishërimi. Dhe ja çfarë ndodh kur çkishërohet dikush, sipas apostull Pavlit: “Pra, pasi të mblidhet Kisha, në të cilën pjesëmarrës do të jem edhe unë shpirtërisht, me fuqinë e Zotit tonë Jisu Krisht ky njeri t’i dorëzohet satanait” (1 Korinthianëve 5:4-5). Dhe vetëm dëgjimi i një vendimi të tillë ndjell rrëqethje. Sigurisht që qëllimi i një vendimi kaq të rreptë është pendimi dhe shpëtimi i këtyre njerëzve, siç sqaron dhe Pavli: “…në mënyrë që të shpëtojë fryma e tij në ditën e Zotit Jisu”. (1 Korinthianëve 5:5).

     4. “Episkopët ose çdo klerik tjetër, të cilët janë shuguruar duke paguar dhe jo për denjësinë dhe jetën e virtytshme, urdhërojmë që të katherizohen (të zhvishen)”. (Kanoni XXII i Sinodit të VI Ekumenik). Nuk e dimë nëse N. Marku është shuguruar prift duke paguar apo jo (nëse është shuguruar), edhe pse është shumë vështirë që dikush të shkojë në një vend të huaj dhe të dorëzohet prift pa u vënë në provë, sipas urdhrit të apostull Pavlit drejtuar episkopit të Efesit, Timotheut: “Mos i vër duart askujt (dorëzo në klerik askënd) me ngut” (1 Timotheut 5:22). Megjithatë, ajo që dënon ky kanon nuk është thjesht shugurimi i klerikëve si shpërblim i dhënies së parave, por dorëzimi i dikujt në prift, duke mos qenë i denjë për misterin e Priftërisë dhe duke mos patur një jetë të virtytshme. Marku, është shembulli klasik i të mosqenit i denjë për misterin e Priftërisë, jo vetëm për të kaluarën e tij të njollosur, por dhe për ecurinë e tij “paspriftërore”: pa qenë ende “prift”, vjedh shokët e tij, siç e theksuam më sipër. Pas pak kohësh, duke qenë “prift” tashmë, grabit pronën e KOASH-it dhe kishën e kalasë në Elbasan. Urtësia e popullit materializohet shumë bukur në rastin e Markut: “Ujku qimen e ndërron, por zakonin s’e harron”.

    Kanoni i mësipërm, përveç atyre që thamë më sipër, në thelb dënon diçka shumë më të thellë: përdorjen e Priftërisë si mjet për të arritur qëllime të ndryshme dhe ambicie personale. Nëse kontradikta e jetës dhe veprës së Markut kundrejt ligjeve kishtare, Shkrimit të Shenjtë dhe misterit të Priftërisë, lidhet me mosvlerësimin për shkak të mosnjohjes së rëndësisë së tyre apo me injorimin e qëllimshëm të tyre, këtë nuk jemi në gjendje ta dimë. Megjithatë ajo që jemi në gjendje të vërtetojmë është se Marku nuk ka formim teologjik, kishtar.

    Për të kuptuar rëndësinë e kanoneve (ligjeve) kishtare dhe rolin që duhet të luajnë ato në jetën e një prifti, mjafton të citojmë thënien e Shën Nikodhimit nga Mali i Shenjtë: “Ky libër (libri i kanoneve) është Shkrim i Shenjtë pas Shkrimit të Shenjtë, Dhiatë pas Dhiatës së Vjetër dhe të Re”. Jo më kot iu referuam rëndësisë dhe rolit që luajnë kanonet në jetën kishtare; nga rëndësia dhe serioziteti i kanoneve, kuptojmë madhësinë dhe pasojat që sjell shkelja e tyre. Dhe në qoftë se shkelja e ligjeve të një shteti ka si pasojë dënimin fizik të dikujt, në rastin e shkeljes së kanoneve kishtare dhe mospendimin e dikujt për këtë shkelje, vjen humbja e tij, mosfitimi i jetës së përjetshme, për të cilën synon dhe përpiqet çdo besimtar i krishterë.

    Ajo që mbetet për t’u bërë është theksimi i rolit të misterit të Priftërisë nga Shkrimi i Shenjtë, Etërit e Kishës dhe Traditës së Shenjtë, për të parë kështu se sa vlerëson N. Marku atë që pretendon se mbart, Priftërinë. Sipas Grigor Teologut Priftëria është “art i arteve dhe shkencë e shkencave” dhe si pasojë “nuk mund të përballohet si profesion me qëllim përfitimi gjërash materiale ose për plotësimin e interesave të ndryshme” – sipas Joan Gojartit. “Prifti nuk është vetëm mësues dhe udhëheqës i shpirtrave, por dhe shembull moral për njerëzit” – vëren shën Grigor Teologu. “Në çdo gjë duhet të jetë shembull” (Veprat 20:35) dhe “për nevojat personale por dhe për nevojat e të tjerëve duhet të punojë me duart e tij”, sipas urdhrit të apostull Pavlit (Veprat 20:34). Nga shkrimet e Etërve por dhe nga thëniet e Pavlit, përfundojmë në faktin se qysh në fillim Kisha është përballur me njerëz si Marku, përderisa i është dashur të japë udhëzime dhe urdhërime të kësaj natyre, por ka qëndruar e patundur sepse “Kreu i Saj është vetë Krishti” (Efesianëve 5:23) “dhe dyert e ferrit nuk e mposhtin dot Atë” (Mattheu 16:18).

    Ajo që shkakton keqardhje, nuk janë vetëm fjalët e Markut, por më shumë personi nga goja e të cilit dalin këto fjalë, “sepse nuk është e mundur që nga i njëjti burim të burojë ujë i ëmbël dhe ujë i kripur” (Jakovi 3:12). Nuk ka mundësi që nga njëra anë të kemi të bëjmë me një njeri dhe prift të virtytshëm, siç pretendohet prej disave në Mediat shqiptare, nga goja e të cilit dalin lutje drejtuar Perëndisë “për paqen e gjithë botës” dhe “për shpëtimin e gjithë njerëzve” dhe nga ana tjetër, nga goja e po të njëjtit person të dalin shpifje, fjalë përçarjeje, mllef dhe urrejtje kundër një Kryepiskopi, i cili fundja është pasardhësi i apostujve dhe enë e zgjedhur e Shpirtit të Shenjtë. Priftërinjtë nuk predikojnë fjalët dhe kredot e tyre, por fjalën e Krishtit; janë “goja e Krishtit” (Mattheu 10:20), flasin për ato gjëra që u mëson Shpirti i Shenjtë (1 Korinthianëve 2:13) dhe çdo gjë që bëjnë, e bëjnë në emër të Zotit Jisu. (Kolosianëve 3:17). Prifti duhet të ketë “mendjen e Krishtit”, sipas apostull Pavlit (1 Korinthianëve 2:16) “që të kullosë tufën e Perëndisë jo për të përfituar në mënyrë të pandershme…por duke u bërë shembull për tufën”. (1 Petro 5:2-4). “Priftërinjtë duhet të jenë etërit e popullit të Perëndisë, të luten për gjithë botën, për mbizotërimin e paqes ndër njerëzit si dhe të udhëheqin njerëzit drejt shpëtimit të shpirtrave” – shkruan Shën Joan Gojarti në veprën e tij “Mbi Priftërinë”. Është evidente se Marku asnjë prej këtyre thirrjeve nuk i përgjigjet.

    Thirrja e apostull Joanit është mjaft koherente: “Mos merrni si shembull të keqen, por të mirën” (3 Joani 11) sepse “këta janë njerëzit që shkaktojnë ndarjet dhe përçarjet; sepse janë të pushtuar nga dëshirat dhe ambiciet personale dhe jo nga Fryma e Perëndisë” (Juda 19).

    5. “As nji klerik nuk munt të të funksionojë fenë orthodhokse në Shqipëri pa qenë i emruar dhe i lidhur me Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë” (Statuti i 1929-s, artikulli 57 dhe Statuti i 1950-s, neni 7). Rëndësia e artikullit 57 të statutit të 1929-s është evidente, pasi rikonfirmohet dhe nga statuti i 1950-s, gjë që e bën ndërgjegje kishtare. Kjo ndërgjegje nuk karakterizon N. Markun, të cilit nuk i bëhet vonë për kanonet dhe ligjet e Kishës, madje as për statutet e KOASH-it, të cilëve u referohet dhe gjoja respekton. A thua Marku të ketë lexuar vetëm një ndër nenet e këtyre statuteve!!! Duket qartë se qëllimi i tij nuk është mbrojtja e Autoqefalisë, por hedhja baltë mbi të, të paktën këtë gjë rrëfejnë veprat e tij. Sepse nuk është e mundur që dikush të pohojë se interesohet për mbarëvajtjen e një shteti nga njëra anë dhe nga ana tjetër të jetë ai i pari që shkel rregullat dhe ligjet e këtij shteti. Konkretisht Nikolla Marku nuk është emëruar dhe i lidhur me KOASH-in, gjë që e bën aktivitetin e tij të jashtëligjshëm.

     6. “As nji llaik ose Murg nuk munt të dorëzohet Prift ose Dhiak pa patur pëlqimin e Sinodhit dhe pa patur dipllomën e Seminarit Orthodhoks” (Stat. i 1929-s, art. 59 dhe Stat. i 1950-s, neni 20). Sërish artikulli 59 i statutit të 1929-s rikonfirmohet nga ai i 1950-s. Nikolla Marku është i ndërgjegjshëm për pozitën e tij të jashtëligjshme dhe si rrjedhojë nuk mund të kërkojë pëlqimin e Sinodit për aktivitetin e tij antiligjor. Në jetë për çdo gjë nevojitet burrëri, madje edhe për të pranuar dikush fajin e tij dhe dorëzimin në autoritetet ligjore për shkeljen e bërë. Me sa duket N. Marku vuan nga mungesa e burrërisë, pasi faji në rastin e tij mbetet jetim.

    7. “Urdhërojmë se, ndalohet që një episkop të marrë dikë nga një krahinë tjetër dhe ta shugurojë prift pa dijeninë e episkopit të tij. Në rast se ndodh diçka e tillë, atëherë ky shugurim është i pavlefshëm” (Kanoni i XV i Sinodit të Sardikës, v. 347 pas Krishtit.). Jo më kot kanonin e Sardikës e lamë të fundit. Në rastin tonë, është kurora e gjithë kanoneve. Ky kanon (ligj) hedh poshtë çdo pretendim të N. Markut për Priftëri të mundshme. Kanoni në fjalë i jep fund debateve të shumtë dhe metodave retorike. Tashmë çdo gjë është sqaruar, s’ka më hapësirë për dyshime, sepse u prononcua vetë Kisha e Krishtit. S’ka më rëndësi nëse Nikolla Marku është shuguruar apo jo në kishën skizmatike të Maqedonisë. Ajo që ka rëndësi është fakti se personi në fjalë nuk ka qenë kurrë prift, sepse diçka e tillë nuk lejohet nga ligjet e Kishës, e cila është mbartëse e Hirit Hyjnor dhe Trashëgimisë apostolike, autoriteti i vetëm për pranimin ose jo të dikujt në radhët e Priftërisë. Konkretisht, Nikolla Marku, banor i qytetit të Elbasanit, në qoftë se, sipas pretendimeve të tij, është shuguruar prift në Maqedoni, kjo gjë është bërë pa dijeninë dhe pa autorizimin përkatës të Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit, Elbasanit dhe gjithë Shqipërisë Anastasit, gjë që e bën të pavlefshëm shugurimin e tij në prift.

    Deri tani folëm rreth personit të Markut dhe pamë se sjellja dhe qëndrimi i tij nuk i vijnë për shtat një prifti, i cili djersit për “përmbushjen e planit të Perëndisë” (1 Timotheut 1:4) “qëllimi i të cilit plan është dashuria që rrjedh nga zemra e pastër, ndërgjegjja e mirë dhe besa e pashtirur” (1:5). Por qëllimi i tij nuk është përmbushja e planit të Perëndisë; ai “kërkon të bëhet mësues i ligjit, në një kohë që nuk kupton as çfarë thotë dhe as çfarë mbështet” (1 Timotheut 1:7). Nikolla Marku ka shkelur kryekëput ligjet, urdhërimet dhe porositë e Kishës, Kreu i të cilës është Krishti (Efesianëve 5:23). Nuk ka asgjë që justifikon besimin e tij te Krishti, nuk e do Krishtin dhe këtë gjë nuk e themi ne, por vetë Jisu Krishti: “Nëse më doni, zbatoni porositë e mia” (Joani 14:15). Është mëse e qartë se Marku nuk është ortodoks, por antiortodoks, e megjithatë ky njeri shtiret si mbrojtës i Orthodhoksisë në Shqipëri!

    Vërtetuam se meriton ndëshkim sipas ligjeve kishtare dhe se nuk ecën sipas Traditës dhe frymës së krishterë, nuk është imitues i Krishtit, apostujve dhe Etërve të Kishës, por mbi të gjitha pamë se Nikolla Marku nuk ka qenë kurrën e kurrës prift, por vetëm një mashtrues i opinionit publik shqiptar, prej të cilit tashmë duhet të kërkojë publikisht të falur për kaq vjet mashtrime. Kjo është gjëja më e pakët që mund të bëjë një gënjeshtar për të lehtësuar pozitën e tij. Ju z. Marku vini në dyshim inteligjencën e popullit shqiptar, por ju sigurojmë se vetë shqiptarët nuk mallëngjehen më nga individë që, për interesa të caktuara, veshin petkun e patriotit dhe akuzojnë pa teklif shovinizmin grek, imperializmin amerikan dhe revizionizmin sovjetik. Këto metoda demagogjike shqiptarët ia lanë të kaluarës dhe janë zhveshur nga paragjykime që me sa duket për ju z. Marku janë mbresëlënëse. Populli shqiptar ka sy për të parë e veshë për të dëgjuar; s’ka nevojë për udhëheqës të pashkollë dhe propagandistë të pandreqshëm. Orthodhoksët e Shqipërisë e kanë një udhëheqës karizmatik të njohur botërisht për aftësitë e tij të gjithanshme dhe e dinë shumë mirë se Fortlumturia e Tij Anastasi është bekimi më i madh që mund të ketë në krye Kisha e tyre.

    Mosdenoncimi i shpifjeve të N. Markut nga ana e Kryepiskopit dhe të cilitdo Marku tjetër, nuk presupozon faj dhe pranim (asimilim) të akuzave. Heshtja e Fortlumturisë së Tij lidhet me epërsinë e karakterit të tij, gjë që nuk karakterizon personin e Markut. Ai i qëndron besnik qëndrimit të apostull Pavlit: “Talljeve u përgjigjemi duke bekuar, përndjekjeve me durim, shpifjeve me fjalë miqësore” (1 Korinthianëve 4:12-13).

    Gjëja që thekson më tepër N. Marku sa herë që prononcohet kundër Kryepiskopit, është fakti që Anastasi është grek dhe sipas statutit që i referohet Marku diçka e tillë nuk parashikohet. Me këtë logjikë bëjmë fajtor apostull Pavlin që caktoi episkop të Efesit Timotheun (I Tim. 3:1-7), i cili nga babai ishte grek (Veprat 16:1) dhe vetë ai me origjinë nga Listra e Likaonisë (kap. 16) dhe Titon, të cilin duke mos qenë kretas, e caktoi episkop te Kretës (Titos 1:5-7). Me sa duket Marku është më orthodhoks se vetë apostulli i kombeve, Pavli! Deri në atë pikë arrin marrëzia e tij saqë vihet kundër veprimeve të Shën Pavlit, i cili “u bë apostull jo nga njerëzit dhe as me ndërhyrjen e ndonjërit, por nëpërmjet Jisu Krishtit dhe Perëndisë Atë” (Galatianëve 1:1 dhe 1 Timotheut 1:1). Nëse besimtarët orthodhoksë të Shqipërisë do të ishin të të njëjtit mendim me Markun, atëherë orthodhoksët e Korçës duhet të ankoheshin sepse Hirësia i tyre nuk është korçar; po kështu ata të Beratit e kështu me radhë. Por orthodhoksët në frymë nuk dallohen nga gjëra të tilla, ata i përmbahen Traditës dhe Shkrimit të Shenjtë që thotë: “Nuk ka më jude apo grek, s’ka as skllav as të lirë, s’ka më mashkull e femër; të gjithë ju jeni një në Krishtin Jisu” (Galatinëve 3:28). Dhe për shkelësit e këtij ungjilli, dënimi është shumë i rëndë, jo se e themi ne, por sepse e thotë vetë apostull Pavli: “Por edhe sikur ne ose një engjëll nga qielli t’ju predikojë një ungjill të ndryshëm nga ai që ju kemi predikuar, qoftë i mallkuar” (Galatianëve 1:8), por kam frikë se “arroganti nuk ia vë veshin qortimit” (Fjalët e Urta 13:1) dhe ka të drejtë ai që thotë: “Mos harxho fjalët me të pamendin” (Fjalët e Urta 23:9).

    Kanonet nuk u paraprijnë ngjarjeve të jetës së Kishës. Përkundrazi, ngjarjet dhe përjetimet çojnë në dekretimin e kanoneve, të cilët shprehin më së miri ndërgjegjen e Kishës, të formuar prej përvojës dhe përjetimit të ngjarjeve historike. Sigurojmë N. Markun se ndërgjegjja e Kishës, e gjithë besimtarëve orthodhoksë të Shqipërisë, thekson se është një bekim i madh që Anastasi është në krye të KOASH-it, sepse do Shqipërinë më shumë se ata që shprehin këtë dashuri vetëm me llogje dhe teori nëpër gazeta. Ndërkohë që një pjesë e mirë e shqiptarëve la atdheun për të gjetur tokën e premtimit larg Shqipërisë, Anastasi la tokën e premtimit dhe bëri atdhe Shqipërinë. Këtë gjë e demonstron puna dhe vepra e tij 15-vjeçare dhe jo fjalët që i merr era, prej të cilave karakterizohen shpifësit dhe llafazanët.

    U bëjmë thirrje besimtarëve orthodhoksë: “Mos lejoni t’ju përgojojë askush nga ata që fryhen nga krenaria për shkak të mendjes së tyre mishore. Ata nuk janë të bashkuar me Krishtin që është Kreu” (Kolosianëve 2:18-19); “Larg nga njerëz të tillë!” (1 Timotheut 6:5) dhe sidomos “Ruhuni nga qentë, ruhuni nga ata që me punët e tyre bëjnë keq” (Filipianëve 3:2).

 

Kristaq Nikuli

Gjirokastër