Forum ndërkombëtar me këshillat ndërfetarë të Evropës.

 

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë zhvilloi në Tiranë në datat 28 shtator – 3 tetor 2023 një Forum Ndërkombëtar me pjesëmarrjen e Këshillave Ndërfetarë të Evropës.

Në forumin e zhvilluar në ambientet e Universitetit “Bedër” morën pjesë krerët e Këshillave Ndërfetarë të Europës (Religions for Peace Europe), drejtues të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, anëtarë nga Bordi Ekzekutiv, Departamenti i Gruas dhe Departamenti i Rinisë së KNFSH-së. Të pranishmit në Forumin Ndërkombëtar vizituan gjithashtu dhe ekspozitën e hapur me këtë rast e titulluar “Harmonia ndërfetare në Shqipëri”.

Përfaqësitë përfshinin presidentët dhe drejtuesit e Këshillave Ndërfetarë të Shqipërisë, Gjermanisë, Bullgarisë, Britanisë së Madhe, Holandës, Spanjës, Italisë dhe Belgjikës.

Në datën 29 shtator, pjesëmarrësit në forum vizituan kompleksin e Katedrales “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë, ku u pritën në mjediset e Qendrës Sinodike nga Kryepiskopi Anastas, President Nderi i organizatës “Fetë për Paqen”. Midis tyre pati një bisedë të ngrohtë dhe miqtë u njohën me rrugëtimin e ringritjes së Kishës sonë nga gërmadhat e regjimit komunist.

Pjesëmarrësit zhvilluan në vazhdim takime me kryetarët e komuniteteve fetare, bordet dhe departamentet e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, institucione akademike dhe arsimore në varësi të komuniteteve fetare në vendin tonë, si dhe vizita studimore në disa qytete, ku u ndalën në objekte të ndryshme kulti.

Të dielën, më 1 tetor, ata vizituan Manastirin e Ri të Shën Vlashit: kishën, bibliotekën e Akademisë Theologjike, Shtëpisë Orthodhokse të Shpresës, Skitin e Grave Miroprurëseve etj., ku u njohën me historikun e manastirit, të skitit, si dhe drekuan së bashku me përfaqësuesit orthodhoksë të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë.

Organizata “Religions for Peace”, themeluar më 1970 në Nju Jork është institucioni më i madh në aspektin global, i akredituar nga OKB, i cili është i përfshirë në dialogun ndërfetar dhe ndërtimin e paqes në botë. Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë i themeluar më 2007 është pjesë e “Religions for Peace” dhe ka një marrëdhënie partneriteti me të, ku anëtarë të bordeve të tij marrin pjesë në Asamblenë e Këshillit Ndërfetar të Europës dhe Asamblenë Botërore të Këshillave Ndërfetarë.

 


Foto Album:

 

Forum ndërkombëtar me këshillat ndërfetarë të Evropës.