Me hidhërim të thellë morëm lajmin e fjetjes në Zotin të vëllait tonë të dashur në Krishtin, atë Arthur Liolinit. Ai ka shërbyer me përkushtim që nga viti 1970 në kishën e Shën Gjergjit në Boston dhe, pas rënies së regjimit komunist në Shqipëri, ai u interesua personalisht për rrugëtimin e Orthodhoksisë në Shqipëri. Në një periudhë shumë të ndjeshme, ai dha një ndihmesë pozitive për ringritjen e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Familjes së tij dhe tërë bashkësisë së Shën Gjergjit në Boston u shprehim nga zemra keqardhjen tonë dhe, për të falenderuar Perëndinë për kontributin e tij në Kishë, kryem në paraklisin e Kryepiskopatës një Trisai për prehjen e shpirtit të tij fisnik në tendat e të drejtëve. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!
Tiranë, 29 Shtator 2023
Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë