– Ungjilli – Llukai 4:1-15.
Edhe Jisui plot me Frymë të Shenjtë u kthye nga Jordani; edhe u pru me anë të Frymës në shkretëtirë, ku ishte duke u ngarë nga djalli dyzet ditë.
Edhe nuk hëngri asgjë në ato ditë; edhe si u mbushën ato, pastaj i erdhi uri. Edhe djalli i tha: Nëse je Biri i Perëndisë, thuaji këtij guri të bëhet bukë.
Edhe Jisui iu përgjigj atij, duke thënë: Eshtë shkruar “Se njeriu nuk do të rrojë vetëm me bukë, po me çdo fjalë të Perëndisë”.
Edhe djalli e hipi mbi një mal të lartë, e i tregoi atij gjithë mbretëritë e botës në një grimë kohe. Edhe djalli i tha: Ty do të ta jap tërë këtë pushtet dhe lavdinë e tyre, sepse mua më është dhënë, dhe kujt të dua ia jap. Nëse ti pra falesh përpara meje, e gjitha do të jetë jotja.
Po Jisui u përgjigj e i tha: Shporru prapa meje, Satana, sepse është shkruar: “Zotit Perëndisë tënd, do t’i falesh, edhe vetëm atë do të adhurosh”.
Edhe ai e pruri atë në Jerusalem dhe e vendosi mbi majën e tempullit, edhe i tha: Nëse je i Biri i Perëndisë, hidhe veten tënde së këtejmi poshtë. Sepse është shkruar: “Se do të urdhërojë engjëjt e tij për ty, që të të ruajnë”; edhe “Se do të të ngrenë ty mbi duar, që të mos përpjekësh këmbën tënde në gur”.
Edhe Jisui u përgjigj e i tha se është thënë: “Nuk do të ngasësh Zotin Perëndinë tënd”.
Edhe djalli pasi mbaroi çdo ngasje, u largua prej tij deri në një kohë.
Edhe Jisui u kthye me fuqinë e Frymës në Galile; edhe doli zë për të në gjithë vendin për rreth. Edhe ai i mësonte nëpër sinagogat e tyre, duke u lavdëruar prej të gjithëve.