– Ungjilli – Marku 4:10-23.

Edhe kur mbeti vetëm, ata që ishin rreth tij bashkë me të dymbëdhjetët e pyetën për paravolinë. Edhe ai u thoshte atyre: Juve ju është dhënë të njihni të fshehtat e mbretërisë së Perëndisë. Po për ata që janë jashtë, të gjitha bëhen me paravoli, që duke parë të vështrojnë, edhe të mos shohin; edhe duke dëgjuar të dëgjojnë, edhe të mos kuptojnë, se mos ndonjëherë kthehen e u falen mëkatet. Edhe u thotë atyre: Nuk e dini këtë paravoli? Edhe si pra do t’i kuptoni gjithë paravolitë?

Mbjellësi është ai që mbjell fjalën. Edhe ata pranë udhës janë këta, në të cilët mbillet fjala; po kur dëgjojnë, përnjëherë vjen Satanai dhe merr fjalën që është mbjellë në zemrat e tyre. Edhe gjithashtu ata që mbillen në gurishte janë këta, të cilët, kur dëgjojnë fjalën, përnjëherë e marrin me gëzim, po s’kanë rrënjë në veten e tyre, edhe janë për pak kohë. Pastaj, kur bëhet shtrëngim a përndjekje për fjalën, përnjëherë skandalizohen. Edhe ata që mbillen në gjembat janë këta, të cilët e dëgjojnë fjalën, po kujdesjet e kësaj jete dhe gënjimi i pasurisë, edhe dëshirimet për të tjera gjëra, hyjnë e mbysin fjalën, edhe kjo bëhet e pafrytshme. Dhe ata që u mbollën në dhe të mirë janë këta, të cilët dëgjojnë fjalën dhe e presin, edhe sjellin fryt, një tridhjetë, një gjashtëdhjetë dhe një njëqind.

Edhe u thoshte atyre: Mos vallë sillet kandili që të vihet nën shinik apo nën shtrat? E jo që të vihet mbi kandiler? Sepse s’ka gjë të fshehtë që të mos shfaqet; as nuk është bërë ndonjë gjë e fshehur, që të mos dalë në dukje. Nëse ka ndonjë veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë.