Përndjekja e klerit orthodhoks në Komunizëm

– Referuar në veprimtarinë festive me rastin

e 31-vjetorit të fronëzimit të Fortlumturisë Tij, Kryepiskopit Anastas –

 

Fortlumturi, në përvjetorin e 31-të të fronëzimit tuaj si Kryepiskop i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, i jemi mirënjohës Perëndisë për të gjithë veprimtarinë tuaj apostolike dhe urojmë përzemërsisht edhe shumë vite të bekuara mes nesh.

Gjëja konkrete që na vjen ndërmend sot është ringritja nga themelet e Kishës së Shqipërisë pas rrënimit të saj gjatë rrebeshit antiteist të regjimit komunist. Sigurisht, ringritja e mrekullueshme e Kishës Orthodhokse, në rrafshin tuaj personal është fryt i përmbushjes së porosisë së fundit të Jisu Krishtit “Shkoni predikoni në të gjithë kombet…”, të cilës ju i përkushtuat gjithë jetën, duke dëshmuar Jisu Krishtin në vendin tuaj të lindjes, në Afrikë, kudo në botë dhe si një Pavël i dytë apostull, edhe në Shqipëri.

Që në fillim, u interesuat dhe përkujdesët për ata pak klerikë orthodhoksë, jo më shumë se 20 në numër, që i mbijetuan regjimit, çelët Seminarin Orthodhoks “Ngjallja e Krishtit” dhe ftuat anëtarë të zgjedhur të shoqërisë shqiptare që të studionin teologji, për të ngritur plejadën e re të klerit të nderuar.

Dhe kështu u arrit ky aspekt i rëndësishëm i ringritjes së Kishës sonë, me dorëzimin e 168 klerikëve vendas. Klerikët e lartë orthodhoksë, si anëtarë të Sinodit të Shenjtë të Kishës,  sivjet në 25 vjetorin e formimit kanonik të tij dhe anëtarët e klerit të ulët, përmbushin për mbi 3 dekada, nevojat shpirtërore të grigjës orthodhokse dhe të mbarë shoqërisë shqiptare.

Por, për të kuptuar rëndësinë e klerit orthodhoks sot, duhet të kemi të qartë përndjekjen dhe gjendjen e klerit orthodhoks gjatë kohës së regjimit komunist 1944-1990.

Pas viteve 90 është folur dhe studiuar pak për përndjekjen e klerit orthodhoks në periudhën e mëparshme, duke u kufizuar në rastet më të njohura, gjë që nuk ka bërë të njohur në rreth të gjerë përmasat e mëdha të përndjekjes ndaj tyre. Botimi i përmuajshëm i gazetës “Ngjallja” ka përmendur individë të klerit të përndjekur, në rubrikën “Ata që punuan për Kishën tonë”, gjë që përbën edhe përpjekjen fillestare të njohjes së përndjekjes së klerit.

Përmasat reale të kësaj përndjekjeje, vërehen në 4 kategori të klerit, të pushkatuar, të burgosur, të internuar dhe të izoluar. Vetëm për 3 kategoritë e para numri i klerikëve orthodhoksë të përndjekur shkon në  66 – 3 të klerit të lartë dhe 63 të klerit të ulët. Natyrisht, për kategorinë e katërt ka edhe dhjetëra klerikë të tjerë, shumë prej të cilëve, të izoluar, i shërbyen në fshehtësi “kishës së nëndheshme” pas vitit 1967, atëherë kur institucionet fetare dhe praktikat e tyre u ndaluan me ligj.

Gjatë kohës që në Shqipëri kleri orthodhoks u përndoq egërsisht nga regjimi, ju, në vitet 1981-1991, punuat si lokum tenens, Kryepiskop mëkëmbës i Kryepiskopatës së Shenjtë të Irinupolit, Afrika Lindore (në Kenia, Ugandë dhe Tanzani), ku pas themelimit dhe drejtimit për 10 vite të Shkollës Patriarkale “Kryepiskopi i Qipros Makarios” dorëzuat 70 klerikë orthodhoksë dhe 42 anagnostë dhe katekistë me origjinë nga tetë fise afrikane.

Në Shqipëri, rënia e numrit të klerit orthodhoks nga 271 prej tyre më 1944, në 167 klerikë efektivë në vitin 1967 dhe  pakësimi i tyre në jo më tepër se 20 të mbijetuar në vitin 1990, tregon përndjekjen shumëformëshe ndaj klerit dhe Kishës Orthodhokse në komunizëm.

Në vijim do të ndiqni pjesërisht një dokumentar mbi “Përndjekjen e klerit orthodhoks gjatë regjimit komunist në Shqipëri”, ku për herë të parë pas një pune të gjatë hulumtuese shkencore paraqesim të dhëna të cilat tregojnë përmasat e frikshme të kësaj përndjekjeje. Për më tepër, jemi duke punuar për një monografi mbi profilet e klerit orthodhoks të përndjekur në komunizëm. Për këtë, u mbetem falënderues mbështetësve: Fortlumturisë suaj, Autoritetit për Informim të Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe familjarëve të klerit të përndjekur.

Fortlumturi, kontributi juaj për ringritjen e klerit orthodhoks në Shqipëri, në periudhën e vështirë të tranzicionit shqiptar konsiston në përkujdesjen tuaj atërore për çdo klerik dhe familjet e tyre. Për 31 vite me radhë, shqetësimi juaj shpirtëror është thirrja dhe mbështetja që ju u bëni të rinjve, për të studiuar teologjinë e besimit orthodhoks në nivel universitar, për t’iu përkushtuar Zotit dhe shërbyer në të ardhmen si klerikë, siç vetë i quani ata “ambasadorë të Krishtit mbi tokë”.

Dokumentari në vijim, le të shërbejë si një nderim ndaj klerit të Kishës sonë në përgjithësi, dhe ndaj klerit të përndjekur në veçanti, për të kuptuar sado pak qoftë vuajtjet dhe gëzimin e tyre tek Krishti i Kryqëzuar dhe i Ngjallur.

Dr. Thoma Shkira

 

 

Emrat e klerit të dënuar gjatë regjimit ateist komunist, sipas kategorive të të përndjekurve

 

Të ekzekutuar gjatë Luftës: Atë Dhimitër Leka; atë Jani Aristoteli; atë Aleks Vallvi; atë Leonidha Qirici; atë Harallamb Liti (Lame); atë Kiriako Papakiriako; atë Apostol Ilia; Papa Pandeli Sallata.

Të ekzekutuar pas Luftës: Atë Aleks Lipe; atë Gjergj Suli; Papa Kristo Papa; atë Kostandin Bozdo; atë Nikolla Kalojani; atë Jani Kutulla.

Të vdekur në burgje: Atë Theodhor Gulo; atë Sotir Konomi; atë Stavro Rexho; atë Jorgji Sula; atë Anastas Thanasi; atë Aleks Ikonomi; atë Mina Ikonomi; atë Vangjel Boçi; atë Petro Draçova.

Të burgosur: Kryepiskop Kristofor Kisi; Episkop Visarion Xhuvani; Episkop Irine Banushi; atë Thoma Vërleni; atë Mina Dhame; atë Vasil Sini; atë Dhimitër Jatru; atë Jani Dashi; atë Jorgji Papa; atë Kozma Billa; atë Ilia Stefani; atë Anastas Rrasa; atë Ilia Zoto; atë Kosta Mandello; atë Spiro Dhima; atë Jovani Dilo; atë Andon Shtupi; atë Simon Prokopi; atë Jorgji (Kosta) Bezhani; atë Theodhor Zisi; atë Aleksandër Pine; atë Xhavella Papa; atë Kristo Raci; atë Spiro Kola; atëKristo Gjika; atë Jani Dado; atë Panajot Papa; atë Pandelimon Ikonomu; atë Theodhos Papa; atë Jani (Nako) Nini; atë Simeon Tutunxhi; atë Andrea Mihali; atë Thodhori Miçiniko; atë Koço Papathanasi, atë Miho Papa; atë Leonidha Dine; atë Theodhor Lako.

Të internuar:  Atë Vasil Xhoro; atë Panajot Papa; atë Grigor Zografi; atë Kosta Kotnani.

Të dënuar në mungesë: Atë Andrea Joanidhi; atë Thanas Papa.