Kremtohet 2 Gushti, Përvjetori i Fronëzimit të Kryepiskopit Anastas.
Data 2 gusht, bashkë me 24 qershorin e vitit 1992, në të cilat përkujtojmë zgjedhjen dhe Fronëzimin e Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Anastasit, janë në unison datat që shënojnë ringritjen kanonike të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Ky përvjetor përkoi sivjet edhe me 25-vjetorin e ringritjes së Sinodit të Shenjtë, pas shkatërrimit ateist komunist.
Me rastin e të kremtes së 31-vjetorit të Fronëzimit të Fortlumturisë së Tij, më 2 gusht 2023, në katedralen “Ngjallja e Krishtit”, në kryeqytet, u krye Liturgjia Hyjnore panagjirike. Bashkëmeshuan Mitropoliti i Korçës, Joani; i Apollonisë, Nikolla; i Elbasanit, Andoni; i Amantias Nathanaili; Episkopi i Bylisit, Asti, si dhe mjaft klerikë nga Kryepiskopata dhe Mitropolitë. Në Liturgji morën pjesë besimtarë nga Tirana dhe nga i gjithë vendi, të ardhur për të festuar së bashku në këtë ditë të shënuar. Atmosferë të veçantë krijoi prania e të rinjve të kampeve për djem dhe vajza “Rilindja”.
Për veprën e mrekullueshme të realizuar me ringritjen e Kishës sonë dhe themelin e shëndoshë shpirtëror që vendosi Kryepiskopi Anastas, foli në emër të Mitropolitit të Gjirokastrës Akimandriti Porfirios nga Mali i Shenjtë.
Urimet dhe falënderimet e të pranishmëve, klerikëve dhe laikëve, për Fortlumturinë e Tij, i përcolli në fund të Liturgjisë Hyjnore Mitropoliti i Korçës, Hirësi Joani.
Kryepiskopi, duke pritur urimet e besimtarëve të shumtë, theksoi se mrekullia të cilën jetojmë në realitetin e Kishës sonë të ringjallur, janë dhuratë dhe bekim nga Perëndia. Sfidat dhe problemet e të tashmes dhe të ardhmes do t’i kapërcejmë, sepse kemi mbështetur besimin tonë tek Perëndia i Gjithëpushtetshëm, që ka fjalën e fundit.
Pas Liturgjisë Hyjnore, në sallën e amfiteatrit të Qendrës Kulturore u zhvillua një program kushtuar kësaj dite. Aktiviteti u moderua nga Atë Grigor Pelushi. Programi nisi me një referim nga Dr. Thoma Shkira mbi persekutimin ateist të Kishës, që u shoqërua me një dokumentar të ri lidhur me këtë temë; pasoi një tjetër dokumentar mbi veprën e Kryepiskopit Anastas dhe një shfaqje artistike nga grupet e kampeve për fëmijë dhe të rinj, me pjesë muzikore, valle popullore, këngë tradicionale të kampeve, poezi etj.
Në përfundim të programit, një fotografi e përbashkët e realizuar në sallën e amfiteatrit fiksoi kujtimin e bukur të kësaj dite.
Foto Album: