– Ungjilli – Mattheu 12:14-17, 22-30.

Po Farisenjtë dolën e bënë këshillë kundër atij, si ta vrasin.

Po Jisui si e kuptoi, iku andej; edhe shkuan pas tij shumë turma, edhe i shëroi ata të gjithë. Edhe i porositi ata rreptë të mos e shfaqin atë; që të përmbushet ç’është thënë nga profeti Isaia.

Atëherë i prunë atij një të demonizuar, të verbër e të shurdhër, edhe e shëroi atë, kaq sa i verbëri dhe i shurdhëri edhe fliste edhe shihte. Edhe gjithë turmat habiteshin e thoshin: Mos është ky i biri i Davidit? Por Farisenjtë kur dëgjuan, thanë: Ky nuk i nxjerr demonët, veçse me anë të Beelzebulit, të parit të demonëve.

Edhe Jisui si njohu mendimet e tyre, u tha atyre: Çdo mbretëri që është ndarë kundër vetes, shkretohet; edhe çdo qytet a shtëpi që është ndarë kundër vetes, nuk do të qëndrojë. Edhe Satanai në nxjerrtë Satanain, u nda kundër vetes. Si pra do të qëndrojë mbretëria e tij?

Dhe në qoftë se unë i nxjerr demonët me anë të Beelzebulit, bijtë tuaj me cilin i nxjerrin? Prandaj ata do të jenë gjykatësit tuaj. Por në qoftë se unë i nxjerr djajtë me anë të Frymës së Perëndisë, arriti pra tek ju mbretëria e Perëndisë.

Ose si mund të hyjë dikush në shtëpinë e të fortit, e të rrëmbejë enët e tij, në mos lidhtë më përpara të fortin, edhe atëherë ta plaçkitë shtëpinë e atij? Ai që nuk është bashkë me mua, është kundër meje; edhe ai që nuk mbledh bashkë me mua, shpërndan.