– Ungjilli – Mateu 9:36, 10:1-8.
Edhe kur pa turmën, u dhembshurua për ta, sepse ishin të drobitur e të shpërndarë posi dhen që s’kanë bari. Atëherë u thotë nxënësve të tij: Të korrat janë të shumta, po punëtorët janë të paktë. Lutjuni pra të zotit të të korrave, që të nxjerrë punëtorë për të korrat e tij.
Edhe si thirri pranë të dymbëdhjetë nxënësit e tij, u dha atyre pushtet kundër frymëve të ndyra, që t’i nxjerrin ato edhe të shërojnë çdo sëmundje e çdo lëngatë.
Edhe emrat e të dymbëdhjetë Apostujve janë këto: i pari, Simoni, i quajtur Pjetër, edhe Andrea, vëllai i tij; Jakovi i Zevedheut edhe Joani vëllai i tij; Filipi dhe Bartolomeu; Thomai edhe Matthe tagrambledhësi; Jakovi i Alfeut edhe Leveu i mbiquajtur Tadé; Simon Kananeasi edhe Juda Iskarioti, i cili edhe e tradhtoi atë.
Këta të dymbëdhjetë dërgoi Jisui, pasi i porositi ata, duke thënë: Në udhë kombesh mos shkoni, edhe në qytet samaritanësh mos hyni; por shkoni më tepër nëpër dhentë e humbura të shtëpisë së Izraelit.
Edhe duke shkuar, predikoni duke thënë se u afrua mbretëria e qiejve. Shëroni të sëmurë, pastroni lebrozë, ngjallni të vdekur, nxirrni demonë; falas morët, falas jepni.