Investime të vazhdueshme dhe programe të reja për Radion “Ngjallja”.
Në vitin 2018, me mbështetjen e vazhdueshme të Kryepiskopit Anastas, në Radion “Ngjallja” u krye një investim me vlerë 20 mijë euro, të cilat u shfrytëzuan për blerjen e disa pajisjeve të domosdoshme elektronike: kompjutera, monitorë, mikrofona, transmetues dhe pajisje të tjera, të cilat rinovuan sistemin e transmetimit nga linku i Radios në malin e Dajtit, dhe përçimit të sinjalit përgjatë 24 orëve, në frekuencën 88.5 FM (për qarkun e Tiranës).
Vazhdimisht janë kryer edhe investime të pjesshme në sistemet tona të transmetimit: në pikat e Patreshit për qarkun e Elbasanit, në frekuencën 93.4 FM – në pikën e Ardenicës, ku shpërndajmë sinjalin për qarkun e Fierit, në valët 98.7 FM, si edhe në pikën e Çardhakut, Korçë, në frekuencën 88.7 FM. Gjithashtu, falë një investimi të veçantë në antenën kryesore në Fushë-Dajt, u sigurua që sinjali i radios të mos ndërpritet në rast shkëputjeje të energjisë elektrike, e cila është problematike në atë zonë. Me projekte të realizuara nga inxhinierë u bë rinovimi i rrjetit elektrik në ambientet e studiove të Radios “Ngjallja”. Telat e amortizuar u zëvendësuan me tela antizjarr, si dhe me blerjen e një UPS-je u garantua furnizimi i pandëprerë me energji elektrike dhe mbrojtja e pajisjeve nga luhatjet e tensionit.
Brenda këtij investimi u rikompozua edhe planimetria e studiove të radios “Ngjallja”, me propozime nga mjaft specialistë të fushës. Me mundësitë e krijuara nga Kryepiskopi Anastas u sigurua edhe një automjet, që mundëson lëvizjet në terren. Radio “Ngjallja” ka faqen e saj të Web-it dhe ndiqet online falë aplikacioneve që kemi krijuar me bashkëpunëtorët tanë. Radioja mund të dëgjohet drejtpërdrejt në internet në kompjuter, laptop, dhe pajisje Android dhe IOS. Sipas përllogaritjeve të ndjekjeve në platformat Facebook dhe Youtube, rezulton se programet tona ndiqen nga mijëra shikues në muaj Në vitin që lamë pas, 2022, u grumbulluan gjithsej dhurime në vlerën 17 mijë dollarë, prej të cilave: Orthodox Christian Mission Center (Qendra e Hierapostullimit të Krishterë Orthodhoks), SHBA, dhuroi 8 mijë dollarë, që u investuan për përhapjen e sinjalit në pikën e re të transmetimit në zonat e Pogradecit, Përrenjasit dhe Librazhdit, në 90.6 FM. Po ashtu, u rikonstruktua studioja nr. 2 e regjistrimit, për të cilën u shpenzuan 3 mijë dollarë, të dhururara nga një kishë orthodhokse shqiptare në Amerikë, që ndjekin Radion “Ngjallja” online. U blenë gjithashtu pajisje për formatin viziv, për intervista, emisione, specialet e ditës, apo transmetimet live, që i publikojmë në rrjetet tona sociale.
Mbas investimit të fundit në qytetin e Pogradecit, në korrik 2022, Radio “Ngjallja” mbulon me valët e saj tashmë rreth 70% të territorit të Shqipërisë. Këto janë statistika të AMA-s (Autoriteti i Mediave Audiovizive) për dëgjueshmërinë e saj. Risia që na ka bërë të hyjmë në një periudhë të re dhe premtuese të punës se radios është prodhimi i videove, që publikojmë në rrjetet sociale, duke e transformuar misionin tonë edhe në formatin viziv, me intervistat me klerikë, teologë, intelektualë etj.. Prodhohen dokumentarë mbi kishat e vendit tonë, për histori të ndryshme dhe traditat kishtare, realizuara nga seria: “Udhëtim nëpër kishat e hershme të Shqipërisë”, me autor atë Grigor Pelushin, si dhe serinë e dokumentarëve: “Gjurmë të Krishtera” dhe “Dëshmi të Krishtera” nga Aleksandër Dimroçi. Është realizuar edhe një seri dokumentarësh për veprën ndërtuese dhe restauruese, cikël i cili pasurohet vazhdimisht. Kryepiskopi Anastas, në përurimin e radios, në prill të vitit 1998, përcaktoi misionin dhe statusin e saj, si “Qendër e rëndësishme apostolike për përhapjen e Ungjillit dhe frymës së krishterë”. Gjithashtu, falë punës më përkushtim të stafit të radios, si dhe kualifikimeve dhe investimeve në teknikën audio-vizuale është bërë i mundur prodhimi i emisioneve dhe dokumentarëve me standard televiziv për televizionet në vendin tonë, të cilët kanë kërkuar që këto prodhime të radios të jenë pjesë e vazhdueshme e programeve të tyre.
Konkretisht, kemi disa muaj bashkëpunim me transmetimin e dokumentarëve tanë në RTSH (RTSH Korça, e ndjekur në gjithë Shqipërinë në platformat digjitale), si dhe televizionit CNA.TV. Ndërkohë, jemi duke lidhur ura bashkëpunim edhe me televizione të tjera të rëndësishme.
Synimi ynë është të nxjerrim në pah dhe të dokumentojmë vlerat shpirtërore, historike dhe traditën kishtare në vendin tonë, dhe njëherësh epokën e re të ringritjes kanonike të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, nën drejtimin e Kryepiskopit Anastas. I bëjmë thirrje të gjithë dashamirësve të kontribuojnë për radion “Ngjallja”, si dhe për mision tonë të ri në formatin televiziv!