Raporti i Departamentit të Shtetit i SHBA-së
këmbëngul në çështjen e kthimit të vendeve të shenjta të adhurimit.
Pak ditë më parë doli në qarkullim raporti mbi lirinë fetare për vitin 2022, nën këndvështrimin e “Departamentit të Shtetit” të SHBA-së. Bëhet fjalë për një instrument bazik të diplomacisë së SHBA-së, përmes të cilit, nga njëra anë, dalin konstatime për respektimin e lirisë së besimit në mbarë botën dhe, nga ana tjetër, shërben si formë nxitjeje pozitive për përmirësime të mëtejshme. Kjo, në veçanti, për vende të cilat i përkasin sferës ku qasja ndaj fenomenit është sipas vlerave dhe standardeve të demokracive të konsoliduara. Respektimi ose jo i lirisë së besimit bëhet shpesh shkak përplasjesh të dhunshme, si shprehje e privimit të të drejtave të njeriut, apo dhunë nga një grup fetar kundrejt një tjetri.
Sa i takon vendit tonë, dhe veçanërisht Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, ky raport paraqet sërish klimë të rënduar në aspektin e rehabilitimit pronësor përmes procesit të njohjes, kthimit dhe regjistrimit të titujve pronësorë të enorive dhe manastireve tona. Në këtë kuadër, pavarësisht gjuhës diplomatike dhe prezantimit të tablosë së përgjithshme për zbatimin e legjislacionit për komunitetet fetare, vihet re se referencat janë më të shpeshta për Kishën tonë, gjë që nënkupton njëfarë anësie. Raporti përmend godina kishash të cilat vijojnë të mbahen peng në mënyrë abuzive, ndonëse procedurat për rikthimin e tyre janë finalizuar. Këto kisha, duke mos iu dorëzuar komuniteteve të besimtarëve Orthodhoksë të cilëve u përkasin, ekspozohen mjaft ndaj sakrilegjeve.
Gjithashtu, duke u mbajtur peng dhe duke mos u kryer në to adhurimi hyjnor, u mohohet besimtarëve e drejta bazike e ushtrimit të lirë të besimit. Raporti përmend në veçanti kishën e Hyrjes së Hyjlindëses në Tempull, në Përmet; të Ungjillëzimit të Hyjlindëses, në qytezën e Libohovës; të Shën Nikollës, në Xarrë të Sarandës dhe, gjithashtu, Manastirin e Fjetjes të Hyjlindëses Mari në Kodër – Dragot. Natyrisht, rastet e lartpërmendura nuk janë të vetmet.
Sipas të dhënave të raportit, nga rreth 1000 çështje të parashtruara për shqyrtim në organet kompetente për rikthimin e pasurive së sekuestruara gjatë regjimit ateist nga vendet e shenjta, por edhe pronat e manastireve tona, ende nuk janë shqyrtuar as 10% e tyre. Procedurat e lartpërmendura të shqyrtimeve të pronave janë një labirint. Sikur kjo të mos mjaftonte, ndodh shpesh që në proceset gjyqësore (me qëllim vonesën apo edhe vendime negative në dëm të Kishës Orthodhokse) përfshihen interesa të treta, të cilat përdorin madje edhe metoda të korruptimit.
Raporti i “State Department” i referohet Marrëveshjes për Rregullimin e Marrëdhënieve të Ndërsjella mes Kishës sonë dhe Këshillit të Ministrave. Ai pranon dhe i bashkohet qëndrimit të përbashkët të Kishës Orthodhokse Autoqefale dhe asaj Katolike në Shqipëri, të cilat e shohin çështjen e mosrikthimit të pronave si shkelje të vetë marrëveshjeve që parashikojnë dhënien prioritet të rehabilitimit pronësor.
Ndërkaq, për trajtimin fiskal, Departamenti i Shtetit thekson gjithashtu vërejtjen se, ndërsa marrëveshja parashikon lehtësime të caktuara në lëmin e tatimeve, taksave, kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, nuk janë përcaktuar instrumente për implementim praktik të tyre. Domethënës është shembulli aritmetik që jepet, ku ndërsa i fortlakuari subvencion shtetëror vjetor për Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë është thuajse 250.000 dollarë, kjo e fundit paguan – direkt ose indirekt, si tatim dhe kontribute sigurimesh për personelin e saj, përfshirë dhe klerikët – më shumë se 1.000.000 dollarë!
Raporti nënvizon në mënyrë të përsëritur garantimin e të drejtës së ushtrimit të lirë të besimit fetar dhe sanksionimin përmes marrëveshjeve të posaçme të shtetit me komunitetet tradicionale fetare në vend. Referon specifikisht të drejtat e tyre – shpeshherë të aplikuara – për të zotëruar dhe pasur në funksionim institucione arsimore, si edhe toka në pronësi të tyre.
Kjo e fundit ka rëndësi të veçantë për mjaft enori orthodhokse që, përpos të tjerave, u siguron edhe ritualin që përcakton besimi ynë për nderimin e kujtimit të të jetëndërruarve. Në aspektin e shtresëzimit fetar të popullsisë dhe demografisë religjioze – aspekt që merr rëndësi për faktin se në muajt pasardhës pritet që të zhvillohet Regjistrimi i Popullsisë dhe Banesave – Raporti i “State Department” përmend edhe një herë të dhënat nga “2020 World Religion Database” të Universitetit të Bostonit. Sipas përllogaritjeve të tyre, vendi ynë, me një popullsi prej 3.2 milionë banorësh, rreth 59% e tyre janë myslimanë, 38% të krishterë dhe thuajse 2.5% agnostiktë.
Raporti përmend edhe aspektin e përvojës pozitive dhe të dëshiruar
të bashkëjetesës paqësore ndërfetare në Shqipëri, si dhe nevojën për ruajtjen dhe mbrojtjen e saj nga rreziqet e ekstremizmave apo dhe faktorëve të jashtëm që e kërcënojnë.