E Diela I e Matheut, E Gjithë Shenjtorëve, Nevoja e Dëshmisë së Dyfishtë, nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës & Kaninës, 11.06.2023 (Tekst)

«Kushdo, pra, që të më rrëfejë përpara njerëzve, edhe unë do ta rrëfej atë përpara Atit tim që është në qiej. Por këdo që të më mohojë përpara njerëzve, do ta mohoj edhe unë atë përpara Atit tim që është në qiej» (v.32-33)

Cilësia jonë, si të Krishterë, është zbehur aq shumë brenda nesh, saqë në vend që të kemi turp për njëmijenjë gjëra, për të cilat duhet të kishim me të vërtetë turp, kemi turp se quhemi të krishterë! Kemi frikë të dëshmojmë se jemi pasues të një personi, jeta, mësimdhënia dhe vepra e të cilit, është lidhur me çdo gjë të madhe, fisnike dhe të lartë që ka për të nxjerrë në pah e gjithë historia njerëzore dhe realiteti bashkëkohor. Por kjo frikë që kemi për të dëshmuar se ndjekim Zotin, është kaq e marrë, kaq e padenjë për historinë e emrit tonë të krishterë, kaq e huaj përkundrejt “resë së martirëve” Heb. 12:1 të besës sonë -të cilën na e rikujton e diela e sotme- saqë nuk do të duhet të këmbëngulim më tepër. Ajo ku duhet të drejtonim në këtë moment vëmendjen tonë, është dobësia jonë kryesore dhe themelore, që i referohet mënyrës me të cilën bëhet sot dëshmimi i emrit të Zotit, por edhe kur bëhet, pasojës që e shoqëron.

I

Nevoja e Dëshmisë

“Kushdo, pra, që të më rrëfejë…” v.32-33.

Përmend së pari shpërblimin që do të ketë ushtari i mirë dhe besnik, i cili mbetet i qëndrueshëm, që duron; më pas përmend ndëshkimin që do të ketë ushtari i ligë dhe i pabesë, që nguron, dyshon dhe i dorëzohet armikut. Vallë, mund të marrë dikush shpërblim më të madh nga ai që i premton Krishti, se vetë Ai, në mbretërinë e Tij qiellore, përpara Atit të Tij qiellor dhe rreshtave të panumërt engjëllor, do ta pohojë si të tijin? Se do ta kurorëzojë me lavdi të pashprehur dhe të pafishkur dhe do ta vendosë në të djathtën e Tij, në mbledhjen e të pavdekshmëve të qiellit? Vallë, mund të marrë ndëshkim më të madh njeriu, nga sa ta mohojë vetë Zoti dhe t’i thotë përpara gjithë shoqërisë së mbledhur të engjëjve dhe njerëzve, por edhe përpara vetë Atit të Tij, se nuk të njoh, nuk je i Imi; emri jot nuk është i shkruar në librin e jetës, Ik?

Fakti se është absolutisht e domosdoshme, të thërrasim haptazi për ndihmë dhe të dëshmojmë emrin e Zotit Jisu Krisht ashtu siç është, dhe të besojmë tek Ai me zemrën tonë, e shikojmë në fjalët e apostull Pavlit: “Në rrëfefsh me gojën tënde Zotin Jisu, dhe në besofsh në zemrën tënde se Perëndia e ngjalli atë prej së vdekurish, do të shpëtosh” Rom. 10:9. Kjo do të thotë se duhet ta dëshmojmë Zotin Jisu Krisht, me trup e me shpirt. Përderisa njeriu është i përbërë nga trupi dhe shpirti, duhet i gjithi të dëshmojë Atë, që erdhi të shpëtojë të gjithë njeriun.

II

Mënyra e Dëshmisë

Ne, të Krishterët e shekullit të njëzetenjë, kur ndodh të dëshmojmë besën tonë, shkaktojmë një dëm aq të madh edhe ndaj të tjerëve edhe ndaj Fesë sonë, saqë do të ishte më mirë të heshtnim. Sepse me ne ndodh ajo që thoshte apostull Pavli, për disa të Krishterë të epokës së tij: “Pohojnë me gojë se njohin Perëndi, po me veprat e mohojnë” Tito 1:16. Me të vërtetë, madje edhe kur paraqitemi se gjoja e njohim Perëndinë, me veprat tona tregojmë se e mohojmë ekzistencën e Tij. Për shembull, në një vështirësi që takojmë, pikëllohemi aq shumë, si të mos ekzistonte Perëndia që të na dëgjojë, që të nxitojë të na ndihmojë.

Disa të tjerë nga ne, përdorim mjete të ligjshme e të paligjshme, duke u përpjekur të grumbullojmë pasuri dhe vetëm pasuri, sikur shpresa e vetme dhe siguria e vetme e jetës sonë, të mbështetet ekskluzivisht dhe vetëm mbi pasurinë. Përgjithësisht, edhe kur me fjalë shpallim se jemi gjoja të Krishterë, jetojmë “pa pasur shpresë dhe të paperëndi në botë” Efes. 2:12. Prandaj i shkaktojmë fesë sonë të këqija akoma më të mëdha, sesa po të qëndronim me gojë mbyllur.

U japim të tjerëve, jo të Krishterëve, të drejtën të thonë se jemi fetarë vetëm së jashtmi dhe se feja jonë nuk ka asnjë ndikim në jetën tonë. Akoma më keq, kur shpallim me gojë se jemi të Krishterë, me veprat tona tregojmë se shkelim porositë e Zotit. Kur, për shembull, ndërkohë që shfaqemi si të Krishterë shpresëtarë, nga ana tjetër padrejtësojmë dhe shtypim të tjerët, apo nuk respektojnë personalitetin e tyre, njollosim nderin apo nuk kemi dhe nuk tregojmë dashuri ndaj tyre. Atëherë ndikojmë në mënyrë që të tjerët, të krijojnë nga personi ynë, opinionin më të keq për Fenë tonë.

Duhet pra, të kemi kurajo dhe guxim nga njëra anë, të dëshmojmë besën e drejtë tek Krishti, por edhe ato që themi e besojmë, t’i vërtetojmë me mënyrën e jetesës sonë. Sa më e theksuar dhe më publike është shpallja e besës sonë, aq më konsekuente ndaj saj duhet të jetë edhe jeta jonë. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë e keqja që shkaktojmë tek feja jonë dhe tek vëllezërit tanë, është akoma më e madhe. Vetë Zoti e tha qartë, se në Mbretërinë e Qiejve do të hyjnë ata, të cilët jo vetëm e rrëfejnë si Zot me buzët e tyre, por edha ata që zbatojnë vullnetin e Tij në jetën e tyre. Tek të tjerët, të cilët kufizohen duke shpallur besën e tyre vetëm me fjalë, pa u kujdesur që edhe jeta e tyre të jetë sipas atyre që thonë se besojnë, do të thotë: “kurrë nuk ju kam njohur juve, ikni prej meje ju që keni punuar paudhësinë” Mat. 7:23.

Sot, të jesh i Krishterë, nuk është diçka e natyrshme dhe e nënkuptuar. Është çështje e një vendimi të ndërgjegjshëm dhe zgjedhjeje personale. Besa përqafohet në mënyrë të vetëdijshme dhe arrihet përditë. Jo për një vit. I Krishteri është ftuar për t’u shenjtëruar. Shenjtori është një njeri i shartuar me vetëdije në ullirin e butë të Kishës, domethënë tek Trupi i Krishtit, dhe thith në kuptimin e vërtetë të fjalës, lëngjet e Shpirtit të Shenjtë dhe brumoset me Hirin e Perëndisë, të cilin e rrezaton me jetën e tij.

Mentaliteti i njerëzve të botës është të jenë të vetëmjaftueshëm, të duken, të sundojnë, të kenë pushtet. Mentaliteti i njerëzve të Perëndisë, i shenjtorëve domethënë, është varësia nga Perëndia, heshtja, përulësia, shërbimi, sakrifica. Shenjtori është pikërisht ai që lufton për të tashmen dhe pret të ardhmen. Pret dhe lajmëron me jetën e vetë, ardhjen e Zotit të tij, me lutjen “Eja Zoti Jisu” Zbulesa 22:20.

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

Sa më shumë ndriçohet jeta jonë mbi tokë nga kjo pritje, aq më tepër hapat tanë shkelin në rrugën e shenjtërisë, që përshkuan të gjithë Shenjtorët, të cilët, në të kremten e tyre, Kisha i nderon dhe i lavdëron. Në këtë rrugë na drejtojnë gjithmonë “miqtë e Krishtit” Psalmi 138:17, vëllezërit tanë, Shenjtorët, në mënyrë që “sipas shembullit të Perëndisë së shenjtë, që na ftoi të bëhemi shenjtorë, në çdo rast dhe në çdo sjellje të jetë sonë” 1 Pjetri 1:15. Në këtë rrugë le të mbetemi të qëndrueshëm, duke luftuar pa u tërhequr.

U bëftë!