Kisha e manastirit të Shën Athanasit në Leshnicë të Sarandës, është i vetmi element që ka mbijetuar nga kompleksi manastirial. Ajo mbart vlera të veçanta adhuruese, historike e kulturore dhe është një monument i trashëgimisë shpirtërore Orthodhokse. Pranverën e vitit të kaluar u krijua një situatë mjaft e rënduar pas rrënimit të një pjese të madhe të strukturës. Ajo ka statusin e “monumentit kulturor nën mbrojtjen e shtetit”, gjë që ka penguar kryerjen e çfarëdo punimi mirëmbajtjeje nga komuniteti Orthodhoks lokal. Braktisja dhe mungesa e ndërhyrjeve emergjente për zgjidhjen e problemeve me çatinë dhe sidomos mungesa e ndërhyrjeve për konsolidimin e themeleve, bënë që ndërtesa të pësojë dëmtime të rënda pas rrëshqitjeve të dherave të shkaktuara nga lëkundjet sizmike.
Pas këtij dëmtimi, ishte i menjëhershëm kujdesi personal i Kryepiskopit Anastas, për kapërcimin e situatës së krijuar. Kjo, si shprehje e ndjeshmërisë së tij të vazhdueshme për ruajtjen e gjithë trashëgimisë historike të Kishës Orthodhokse, por edhe për të qenë pranë shqetësimit të komunitetit lokal. Për të krijuar mundësinë e ndërhyrjeve të nevojshme, u dërguan aty specialistë për të parë gjendjen dhe për të hartuar projektet për ndërhyrjet emergjente. Ndërkaq, nga ana e IMK u dërgua një grup punëtorësh, por, në fakt, u vendosën vetëm disa mbulesa plastmasi. Kjo solli që gjatë dimrit situata të rëndohej më tej….
Duke pasur parasysh, se çdo ditë që kalonte mund të sillte pasoja akoma më të rënda në pjesët e mbetura me afreske agjiografike të një vlere të veçantë, nga ana e Kryepiskopit Anastas u dha porosi dhe gjatë muajit mars 2018, pavarësisht vështirësive financiare, u realizuan në objekt punime që konsistonin në shpëtimin e asaj çfarë ka mbetur, konservimin e saj dhe krijimin e kushteve për rehabilitim funksional të kishës së Shën Athanasit.
U realizuan këto punime: largimi i gjitha mbetjeve që kishin rënë në brendësi të kishës dhe sistemimi i materialit, duke veçuar pjesët me përmbajtje gjurmësh afreskesh. U pastrua zona përreth nga bimësia dhe u hap shtegu i mbërritjes në kishë. U rehabilitua gjithë sistemi i drenazhimit sipërfaqësor, në mënyrë që rrjedhjet e ujërave të mos ndikojnë në strukturën e themeleve. U grumbulluan pjesët e mbetura nga ikonostasi. Gjithashtu, në arkadat ende në këmbë, nga ana veriore e lindore, u krijuan struktura mbështetëse. Fragmentet nga struktura, që ishin në shembje dhe përbënin rrezik për besimtarët dhe vizitorët, u larguan me kujdes, si edhe mbetjet nga mbulesa e çatisë me rrasa guri.
Ndërhyrja kryesore që u realizua ishte vendosja e një strehe të lartë metalike, e cila mbulon gjithë strukturat e mureve dhe kubeve të mbetura, për t’i konservuar ato në mënyrë afatgjatë dhe për të pasur të hapur perspektivën për ndërhyrje të mëvonshme, kur kushtet do të lejojnë për rindërtimin eventual të kishës së Shën Athanasit.
Përtej kostos së punimeve, duhet marrë parasysh fakti se punimet u realizuan me impenjim të veçantë në kushte të jashtëzakonshme të terrenit, mungesës së rrugës, transportimit me shumë vështirësi të materialeve, mungesës së energjisë elektrike për punimet e ngjitjes dhe montimit etj.
Nuk mund të përmendim, se në këtë periudhë vështirësish financiare, në këtë enori të largët dhe të izoluar të Mitropolisë e Gjirokastrës ka pasur edhe kontribute të tjera nga ana e Kryepiskopit, në mbështetje të komunitetit besimtarëve, siç ishte rehabilitimi i rrugës automobilistike, restaurimi i kishës së Shën Nikollës etj.
Një ndërhyrje tjetër, që duhet programuar për t’u realizuar sa më shpejt, është ajo për fiksimin e afreskeve në zonat e rrezikuara, për të shmangur dëmtime të mëtejshme, pasi bëhet fjalë për një realizim artistik me vlera të rralla për nga tematika dhe realizimi.