E Diela III pas Pashkës, Shërimi i të paralizuarit, Virtyti I Durimiti, nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës & Kaninës, H. Ignati, 7.5.2023 (Tekst).

 

«Ishte një njeri i sëmurë, që kishte tridhjetetetë vjet që vuante» (v.5)

Shkrimi i Shenjtë dhe historia kishtare na ofrojnë shembujt më të mëdhenj të durimit, në tortura të parëdëgjuara nga njerëzit. Ungjilli i sotëm, përshkruan një shembull të tillë durimi të madh dhe kohëgjatë dhimbjeje. I paralizuari i Betesdasë, që përkthehet shtëpi e përdëllimit, për tridhjetetetë vite të tëra priste me durim kur të trazohej uji, që të futet në pellgun e dhenve për tu shëruar. Nuk kishte njeri ta ndihmonte për ta futur në pellg; por takoi Perëndi-njeriun, dhe kështu gjeti zgjidhjen për problemin e tij të mprehtë dhe kronik. Zoti e pyeti nëse dëshiron të shërohet dhe, duke parë vullnetin e tij të lirë dhe durimin e madh, iu përgjigj me bujari.

* * *

Të gjitha virtytet kanë hirin e tyre dhe midis tyre edhe durimi. Shën Joan Gojarti shumë herë shkruan qartë dhe prerë: “Me durimin s’ka gjë të barabartë”. Me të vërtetë, gjithë veprat e mëdha të moralit, të shkencës, të artit, dhe të ngjashmet me to, janë vepra durimi. Një murg në Meteorë, për gjashtëmbëdhjetë vjet skaliste në dru një kryq bekimi. Këtë durim le të admirojmë tek i paralizuari i pjesës së sotme të Ungjillit. Kemi të gjithë nevojë për të, në epokën tonë shumë të zënë me punë.

Shkruan një shenjtor bashkëkohor: “Ah, Betesda, Betesda, sa mbarëbotërore je. Tek ti, engjëlli i Perëndisë, në atë kohë shërbente si bari, që shpëton një nga një delet e humbura, derisa të shfaqet Bariu i të gjithëve, i engjëjve dhe i njerëzve. Një engjëll i heshtur, shërbyes i Krijuesit të tij, trazonte ujin që të lajë delen e sëmurë nga ndotja e mëkatit. Dhe kur zbriti tek ti Bariu i mirë, Fjala e mishëruar e Perëndisë, me fjalën e Tij krijuese, largoi ndotjen mëkatare dhe të zbrazi.” Ky ishte Bariu i mirë.

Nga ana e natyrës, ky pellg u quajt Porta e Dhenve, sepse nëpërmjet saj kalonin delet dhe pinin ujë. Nga ana e frymës, ky pellg u quajt në mënyrë profetike Porta e Dhenve për delet mendore të Krishtit, sepse nëpërmjet kësaj dere shkonin pranë Krishtit për të pirë ujin e pavdekshëm të Fjalës hyjnore dhe të shuajnë etjen e shpirtit. Krishti është Ai që na thotë: “Kush të ketë etje, le të vijë tek unë e le të pijë” (Joani 7:37). Dhe do të flasë në mënyrë alegorike në shëmbëlltyrën e Bariut të mirë, duke nënkuptuar veten e Tij: “Delet e dëgjojnë zërin e Bariut të Mirë, dhe ai i thërret delet e tij me emër dhe i prin jashtë, sepse e njohin zërin e tij” (Joani 10:3-4). Delet dëgjojnë zërin e Bariut të Mirë.

Zoti i gjithëditur, e kishte parë nga larg kush e kërkonte, kush kishte nevojë për Të. Njeriu në fjalë ishte shumë, shumë i sëmurë. Një sëmundje, që zgjat tridhjetetetë ditë, për njerëzit duket pambarim. Çfarë do të themi tani për një sëmundje që zgjat tridhjetetetë vjet? Sa shpejt apo ngadalë kalon sëmundja, varet nga qëndrimi ynë, nga dëshira jonë. Momentet e gëzueshme kanë krahë, kalojnë shpejt. Por momentet e dhimbjes janë pa krahë, shpesh nuk kanë as këmbë, dhe kalojnë shumë ngadalë. Për një njeri të paralizuar, duket të jetë paralizuar edhe vetë koha.

Çfarë durimi heroik kishte ky njeri! Çfarë përpjekjesh mbinjerëzore do të kishte ndërmarrë, që të sulet tek pellgu në momentin kur engjëlli i Perëndisë të trazonte ujin! Çfarë shprese të qëndrueshme kishte për shërimin e tij, nga dita në ditë, nga viti në vit, madje edhe nga dhjetëvjeçari në dhjetëvjeçar! Meqenëse ky njeri vuante kaq shumë për mëkatet e tij, s’kemi veçse ta admirojmë. Kur e sjellim ndërmend, s’mundemi veçse të mendojmë aq karaktere të dobët -burra dhe gra, të rinj dhe të reja- në ditët tona, që megjithëse iu nënshtrohen një trysnie shumë herë më të vogël, ngrenë duart e tyre, heqin dorë nga jeta dhe nisen për në jetën tjetër nga vetëvrasja.

“Dëshiron të bëhesh i shëndetshëm?”, e pyeti Miku i vetëm që u përkul ndonjëherë pranë tij, në shtratin e vetë, në këto tridhjetetetë vjet. -“Zot, s’kam njeri”, iu përgjigj i sëmuri. I verbri ka një udhëheqës, invalidi ka të afërm, i pafuqishmi ka miq.

Unë s’kam asnjë njeri në tërë botën, që t’i dhimbsem dhe t’më fusë në ujë në momentin që merr fuqinë shëruese. Në momentin kur sulem të futem në ujë, dikush tjetër arrin më parë dhe shërohet, dhe unë duhet të bëj përsëri të njëjtën përpjekje të dhimbshme, që të kthehem në shtratin tim. Dhe kjo ndodh për tridhjetetetë vjet tashmë.

“S’kam njeri”, nuk kam as para as shërbëtorë. Këtu u gjend një njeri, njeriu i vetëm! Këtu është Zoti, që do më tepër se i afërmi dhe miku, që shërben më me besnikëri se shërbëtori. Nuk e bëri udhëtimin e largët dhe të mundimshëm, nga Galilea deri në Jerusalem, për të shtunën dhe të kremten, por për hir të një njeriu të vuajtur. Erdhi në mënyrë që, me punët e Tij dhe jo me fjalë, të denoncojë mungesën e frikshme të dashurisë së një populli, shqisat e të cilit janë dobësuar. Njeriu erdhi për hir të njeriut.

Që nga ai moment dhe, me sa duket, përgjithmonë, engjëlli pushoi së ardhuri për të trazuar ujin në pellgun e dhenve. Sepse u shfaq Mesia, Zoti i engjëjve, që shëron pa ndërmjetës. Për sa kohë njeriu ndodhej nën Ligj, shërbyes i Ligjit, Zoti përdorte shërbëtorët e Tij. Tani që erdhi Hiri, ra fuqia e ligjit, vjen vetë Zoti tek njeriu, si babai tek bijtë e tij. Vetë Ai, me duart e veta, u ofron dhuratat e Tij.

Zoti bëri veprën e mirë, veprën hyjnore, sa në fuqi edhe në dashuri, dhe u largua që t’i shpëtojë lëvdatës së njerëzve, siç tha pak më vonë: “Nuk marr lavdi prej njerëzish” (Joani 5:41). Ikën larg njerëzve, që mos ta kenë smirë, siç ndodh zakonisht. Por ikën që të japë një shembull edhe tek të gjithë ne që quhemi të krishterë. Vepra e mirë përsoset dhe drejtësohet, kur bëhet vetëm për dashurinë ndaj njeriut dhe lavdinë e Perëndisë. Të gjithë ata që dëshirojnë të bëjnë vepra të mira, le të mos i bëjnë për kotësi, lavdidashje, për të marrë lëvdatën e njerëzve. Ai që shfaq veprat e tij të mira në shesh, ngjan me njeriun që i fut dhëntë midis ujqve. Prandaj, duhet të kujdesemi shumë për veprat tona të mira, të shmangemi së provokuari lëvdatën apo smirën e të tjerëve. Ai që kërkon me qëllim lavdërimin nga të tjerët, përveç punës së mirë do të bëjë edhe dy të këqija: lëvdatën që do ta dëmtojë vetë atë personalisht, dhe smirën që do të dëmtojë të tjerët. T’i shmangemi lëvdatës, të durojmë pikëllimet që lejon Perëndia për të mirën e shpirtit tonë. Perëndia, në Dhiatën e Vjetër, shpërbleu durimin e Jovit. “Zoti i bekoi vitet e fundit të tij më tepër se vitet e para” (Jovi 42:12). Dhe i drejti tha lutjen falënderuese proverbiale: “Emri i Zotit qoftë i bekuar për jetë” (Jovi 1:21). Në Dhiatën e Re, shembull gjigant durimi dhe qëndrese, pas Mësuesit të pakrahasueshëm të frymës dhe të dashurisë, është i varfri i shëmbëlltyrës së të pasurit dhe Llazarit.

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

Për tridhjetetetë vjet tregoi durim ai njeri i vuajtur. Këtë virtyt të madh theksoi Shpërblenjësi, duke thënë fjalët madhështore: “Me durimin tuaj do të fitoni shpirtrat tuaj” (Lluka 21:19). Para rreth dyqind vjetësh, kompozitori i madh G. F. Handel, me durim dhe lutje, nga i paralizuar në trup dhe në shpirt, u bë në të dyja i shëndoshë, duke shkruar kryeveprën e tij “Messia”. Perëndia i durimit dhe i ngushëllimit, dhëntë durim që t’i pëlqejmë Atij.

U bëftë!