– Hierodëshmor Vasili i Amasisë –
Ati ynë i shenjtë, shën Vasili, ishte episkop i Amasisë, në Pont, në kohën e persekutimeve të mëdha të Dioklecianit, Maksimianit dhe Maksimin Daias. Ai e tregoi me jetën e tij se një i krishterë duhet të jetë gjithnjë gati të derdhë gjakun për Krishtin. Në fund të represioneve të përgjakshme, ai fuqizoi në besim kishat e Pontit, mori pjesë në sinodet e Ankirës dhe të Neoqesarisë (314) dhe i mësoi besimtarët të ruheshin nga heretikët.
Kthimi i shën Konstandinit të Madh dhe marrja e pushtetit në Perëndim (312), dukej sikur po i jepte fund persekutimit, por djalli gjeti te Licini (308-325) instrumentin e planeve të tij. Licini vinte nga një familje e thjeshtë dhe fitoi pushtetin mbi provincat danubiane me zotësinë e tij ushtarake. Pasi njohu sovranitetin e Konstandinit dhe pasi u martua me motrën e tij, Konstancën, e dërguan në Nikomedi për t’i dhënë fund mizorive të Maksimin Daias. Por, kur përmbysi Maksiminin, ai mori pushtetin mbi Perandorinë e Lindjes dhe tregoi fytyrën e tij të vërtetë, duke persekutuar pa mëshirë dishepujt e Krishtit.
Gruaja e tij kishte një shërbëtore të krishterë, të bukur dhe të dëlirë, Glafirën, që i pëlqente shumë Licinit, i cili kërkonte me çdo kusht të plotësonte pasionin e tij. Por Glafira, e informuar nga një kurtizane, ia rrëfeu të gjitha Konstancës. Ajo përhapi lajmin se shërbëtorja e saj kishte pësuar një krizë epilepsie dhe e dërgoi në Amasi, të veshur si burrë. Glafira u prit në mënyrë atërore nga shën Vasili dhe ajo i dhuroi një shumë të madhe parash për të ndërtuar një kishë. Glafira i dërgoi një letër zonjës së saj, ku i shkruante se ku ndodhej dhe i kërkonte ndihmë për të përfunduar ndërtimin e kishës, por letra ra në dorë të Licinit dhe ai e mori vesh si qëndronin punët. Dërgoi menjëherë njerëz të armatosur në Amasi, që të arrestonin gruan bashkë me Vasilin. Por, kur mbërritën në Amasi, ushtarët mësuan se Glafira ia kishte dorëzuar shpirtin Zotit disa ditë më parë. Ata kapën Vasilin dhe e morën të lidhur si një dele që shkon në thertore, të ndjekur nga dy dhjakonë: Theotimi dhe Partheni.
Kur mbërriti në Nikomedi, shën Vasili pati një vizion ku mësoi se së shpejti do të martirizohej, si dhe emrin e pasuesit të tij. Të nesërmen në mëngjes, e shpunë para Licinit, i cili u habit nga qetësia dhe madhështia e episkopit, ndaj u tërhoq dhe ngarkoi prefektin e Nikomedisë ta merrte në pyetje. Ky i tha Vasilit se do ta anashkalonte çështjen e Glafirës dhe, jo vetëm që do t’i falej jeta, por edhe do t’i ofrohej nderi si kryeprift, nëse do t’u falej idhujve të perandorisë, si çdo qytetar i mirë romak. Episkopi i shenjtë mori fjalën dhe tregoi për të gjitha tmerret dhe aktet e turpshme të kryera nga perënditë e mitologjisë dhe i provoi se çfarë marrëzie e madhe ishte për njeriun t’u falej përbindëshave të tillë. Apologjia e tij nuk e ndryshoi mendjen e ngurtësuar nga pasionet të atyre që e dëgjonin dhe prefekti dështoi në tentativën e tij të re për ta bërë që të ndryshonte mendje. Ndaj perandori vendosi të dënohej me vdekje (322).
Shën Vasili u lumturua që do të shkëputej nga lidhjet e kësaj bote që prishet, lavdëroi Zotin me himne dhe u lut për grigjën e tij shpirtërore. Pasi përqafoi nxënësit, shtriu qafën, duke i thënë xhelatit: “Miku im, bëj çfarë të kanë urdhëruar!”.
Licini, i pangopur edhe me ekzekutimin, dha urdhër ta hidhnin në det trupin e shenjtorit, por natën që pasoi, një engjëll u bëri të ditur nxënësve të Vasilit se shenjtori i priste në Sinopë. Kur mbërritën në këtë qytet, engjëlli u shfaq përsëri dhe i çoi deri në një vend pranë bregut, ku ndodhej lipsani i shenjtë. Edhe pse kishte qëndruar në ujë, trupi u gjet i paprishur dhe lëshonte një aromë të mrekullueshme, ndërsa koka i ishte ngjitur trupit dhe kishte vetëm një shenjë të lehtë të shpatës, që dallohej nga një vijë e kuqe. Lipsani i nderuar u transferua në Amasi, ku u vendos me nderime të mëdha në kishën që kishte ndërtuar shenjtori.
* * * * *
– Oshënar Rikier në Pikardi –
Vinte nga një familje fisnike e Pikardisë. Një ditë kishte takuar dy misionarë irlandezë të cilët ishin të keqtrajtuar nga banorët e kësaj krahine pothuajse pagane. I dëgjoi gjatë gjithë natës të flisnin për Perëndinë, rrëfeu me lot mëkatet dhe vendosi t’i kushtohej ungjillit. I çliroi skllevërit që kishte dhe filloi predikimin e Lajmit të Mirë.
Ushtrohej në asketizëm, lëmoshë, ndihmonte të varfrit. Shkonte në provincat e Veriut duke arritur deri në Angli, ktheu shumë idhujtarë. Për dishepujt që donin ta ndiqnin pas, ai themeloi në vendlindjen e tij, në Setul, një kishë e një manastir, ku dëshironte edhe vetë të tërhiqej. Mbreti Dagobert (629-639), i cili kishte një nderim të madh për shenjtin, e vizitonte shpesh atë, këshilloj me të. Kur arriti në një moshë të madhe, donte të tërhiqej në një vend të vetmuar, që të përgatitej për vdekjen. Mbreti i ofroi një vend të përshtatshëm, në pyllin e Kresisë, ku shenjti u vendos bashkë me vëllazërinë e tij. I dyfishoi betejat e tij aq shumë, saqë mori karizma nga Perëndia.
Biografi i tij shkruan për të: “Të gjithë ata për të cilët lutej shenjti, menjëherë fitonin nga mirësia e Krishtit për gjithçka që kërkonin”. Ndjeu se po i afrohej vdekja. I kërkoi njërit prej dishepujve të tij të përgatiste një varr në trungun e një peme dhe tha këtë lutje: “Qoftë i mëshirshëm Zoti me mua, dhe pasi ishte ngushëllimtari im në këtë jetë, qoftë shpërblyesi im në jetën tjetër”. Fjeti në paqe më 26 prill, në vitin 645.
Lipsani i tij u bë një burim shërimesh për të gjithë. Në varrin e tij u ndërtua një kishë për manastirin që ishte nga më të shkëlqyerat në mesjetën perëndimore.