Me rastin e një përvjetori historik.
– 115 vjet më parë, në Boston të SHBA-së u kremtua mesha e parë në gjuhën shqipe nga Imzot Theofani (Noli), të cilin e kujtojmë gjithashtu edhe me rastin e përvjetorit të fjetjes, më 5 mars 1965. Ky shkrim u botua në gazetën “Ngjallja” mars 1993 –
Më 22 mars 1908, u kremtua mesha e parë në gjuhën shqipe në Boston, prej të parit prift të Kishës Orthodhokse Shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Atë Theofan S. Noli, hirotonisja e të cilit në gradën priftërore ishte kryer dy javë më parë prej episkopit rus, Platon.
Liturgjia Hyjnore solemne, që u zhvillua mes një gëzimi të papërshkrueshëm dhe emocioneve të thella të patriotëve shqiptarë pjesëmarrës, të cilët kishin mbushur kishën plot e përplot; si edhe themelimi në të njëjtën ditë, i së parës Kishë shqiptare, përbëjnë ngjarje me rëndësi të madhe historike jo vetëm për Kishën, por edhe për mbarë popullin shqiptar.
Në të njëjtën kohë, kur në Shqipërinë mëmë intensifikohej lufta e popullit për liri e pavarësi, me gjithë masat e egra shtypëse të pushtuesit otoman, shqiptarët e mërguar në vende të ndryshme, si në Bullgari, Rumani, Rusi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e gjetkë, deri dhe në vetë zemrën e Perandorisë Otomane, Stambollin, duke pasur terren më të favorshëm, i hynë me mish e me shpirt punës së shenjtë dhe të gjith-anshme për njohjen e së drejtës legjitime të popullit shqiptar për të qenë i lirë e sovran, ashtu siç meriton një popull martir. Ky i fundit, me luftërat heroike kundër pu-shtuesve osmanë, me në krye heroin legjendar, Gjergj Kastriotin, çuditi botën mbarë për një çerek shekulli me radhë.
Në kuadrin e këtij aktiviteti të gjithanshëm kombëtaro-patriotik për çlirimin e vendit tonë, në ato vite zije e mjerimi, bën pjesë të pandarë dhe lëvizja për pavarësinë dhe kombëtarizimin e Kishës Orthodhokse. Kjo lëvizje u ndërmor sidomos nga shqiptarët e mërguar në Shtetet Bashkuara të Amerikës, me iniciativën e një numri patriotësh të shquar për atdhedashuri, me në krye Fan. S. Nolin. Hirësi Theofani e drejtoi me urtësi Kishën Orthodhokse Shqiptare në SH.B.A qysh nga data e theme-limit të saj e deri në vdekjen e tij. Kështu, ai dha një kontribut shumë të çmuar në kombëtarizimin e Kishës, sidomos me anën e përkthimit në gjuhën shqipe dhe të përshtatjes muzikale të librit të shërbesave fetare.
Kjo lëvizje për pavarësinë dhe kombëtarizimin e Kishës sonë nuk ishte rastësore dhe vetëm me karakter fetar, por bën pjesë në lëvizjen e gjithanshme për çlirimin nga zgjedha dhe influenca e huaj e tërë sektorëve të aktivitetit dhe të jetës së vendit tonë. Prandaj, edhe rëndësia e saj historike nuk ishte vetëm kishtare, kombëtare, por të gjitha ngjarjet që i referohen luftës së popullit për liri dhe pavarësi, qoftë me armë apo me çdo mënyrë tjetër, sipas kushteve aktuale lokale, qoftë brenda apo jashtë Shqipërisë, nuk janë të shkëputura dhe të pavarura nga njëra-tjetra, por të lidhura ngushtë në mes tyre, si pjesë përbërëse të një epopeje të tërë.
Pra, 22 marsi 1908 është data historike, e cila përbën bërthamën dhe gurin themeltar të autoqefalisë dhe të kombëtarizimit të Kishës Orthodhokse shqiptare. Në ndërgjegjen e Kishës dhe të popullit tonë, kjo ngjarje ka qenë çmuar dhe vlerësuar kurdoherë.
Regjimi komunist ateist nuk i njohu kurrë sakrificat e patriotëve të vërtetë dhe të popullit tonë në përgjithësi, por shtrembëroi ose la qëllimisht në harresë faktorët e vërtetë që u kanë shërbyer interesave kombëtare. Edhe kjo ngjarje me rëndësi u la në harresë, mbytur në llumin e pasioneve të lindura nga ndjenjat egoiste të komunistëve.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, duke ushtruar sot misionin e saj në Atdhe të lirë e sovran, e përshëndet nga zemra 85-vjetorin e themelimit të kishës së parë Orthodhokse Shqiptare dhe e përkujton këtë ditë si datë të shënuar…
Njëkohësisht, Kisha jonë përshëndet nga zemra, duke iu uruar shëndet të plotë dhe jetë të gjatë, tërë patriotët veteranë brenda apo jashtë atdheut, për kontributin e tyre të çmuar në këtë drejtim dhe besnikërinë ndaj Kishës e atdheut.
Në këtë përvjetor, ajo përkujton dhe hirësinë e tij, Imzot Theofan S. Nolin në përvjetorin e vdekjes së tij, si protagonisti i 22 marsit 1908 dhe luftëtar i shquar për një kishë të pavarur, së cilës i ka kushtuar pjesën më të madhe të aktivitetit të jetës së tij. Nga ana tjetër, përkujtojmë me nderime tërë patriotët e vërtetë të jetëndërruar.
Dhimitër Beduli