E Diela e IV e kreshmës, Shën Joani i Shkallës, Midis Besimit & Pabesisë, Mitropoliti i Beratit, Vlorës & Kaninës, H. Ignati, 26.03.2023 (Tekst)
«Besoj o Zot. Ndihmomë në pabesinë time» (v. 24)
Ungjilli i sotëm na përshkruan një shembull nga shumë të tjerë të panumërt. Na tregon se Zoti, me dashurinë e Tij për njeriun, zbuloi edhe një herë tjetër, fuqinë e së mirës mbi të ligën, se u përpoq të forcojë besën në të mirën, si të tërëfuqishme dhe fitimprurëse. Këtë ngjarje e ka përshkruar, përveç ungjillor Markut, si më lartë, edhe ungjillor Lukai 9:37-42. Secili prej tyre, dhe madje Lukai si mjek, përshkruajnë disa detaje për sëmundjen e djalit. Ishte djali i vetëm i atit të tij dhe ishte pushtuar nga një “frymë e pagojë”. Kur fryma dinake hynte brenda tij, e trondiste djalin, e bënte të përpiqej dhe të nxirrte shkumë nga goja, të kërcëllijë dhëmbët dhe në fund të bjerë i mpirë dhe pa ndjenja.
“Iu luta nxënësve të t’u ta nxjerrin këtë frymë dinake, por ata nuk mundën” tha ati i tij. Së pari nga besa e tyre e paktë, së dyti nga besa e paktë e atit dhe së treti nga pabesia e përgjithshme e shkronjësve që ishin të pranishëm. Përmendet se rreth nxënësve ishin mbledhur dhe “shkruesit duke biseduar me ata” (Marku 9:16). Besa e pafuqishme e atit duket nga fjalët që i tha Krishtit. Nuk foli si lebrozi, që tha: “Zot, nëse do, mund të më pastrosh” (Matheu 8:2). Atje foli një njeri me besë të fortë. As si Jairi nuk foli, kur ftoi Krishtin të ngjallë bijën e tij: “Eja dhe vër dorën tënde mbi të, dhe do të rrojë” (Matheu 9:18). Dhe këtu ai që flet është njeri me besë të fortë. Shumë më pak foli se kryeqindësi i Kapernaumit, që kishte të sëmurë shërbëtorin e tij: “Zot… thuaj vetëm një fjalë dhe shërbëtori im do të shërohet” (Matheu 8:8). Këtu foli besa e madhe. Por ajo, që kishte besën më të madhe nga të gjithë, nuk tha asgjë. Thjeshtë iu afrua Krishtit dhe preku cepin e rrobës së Tij. Dhe ajo ishte gruaja gjakrrjedhëse.
Ati i të riut të sëmurë nuk vepron dhe as fletë si ata, por i thotë Krishtit: “Nëse mund të bësh gjë, ndihmona”. Njeri i vuajtur! Pak do të dinte, shumë pak për fuqinë e Krishtit, dhe prandaj i foli kështu Atij, që mund të bëjë çdo gjë. Besa e tij e pafuqishme e dobësoi edhe më shumë fuqinë e Apostujve. Në të kontribuuan edhe shpifjet e liga të shkronjësve kundër Krishtit dhe apostujve të Tij. “Nëse mund të bësh gjë, ndihmona”. Kjo shfaq një shkëndijë të vogël bese, shumë të vogël, gati për t’u fikur.
Krishti e drejtoi këtë qortim ndaj të gjithëve në përgjithësi. Ndaj gjithë të pranishmëve, siç ishte ati i pafuqishëm, nxënësit e Tij dhe veçanërisht shkronjësit. O brez i pabesë! Kjo do të thotë: Brez që iu nënshtrua të ligut, djallit, që beson vendosmërisht tek fuqia e të ligut, që i shërben me servilizëm të ligut dhe kundërshton të mirën, që mohon vetë Perëndinë. Brez besëpakë apo krejt i pabesë ndaj së mirës, që arratiset i revoltuar nga e mira.
Prandaj Jisu Krishti theksoi besimin, si kusht të shërimit dhe pyeti atin e të riut: “Sa kohë ka qëkurse i ngjau kjo?” (v.21). Nuk e bëri këtë pyetje për até, por për ata që ishin pranë tij. Vetë ai e dinte mirë, e dinte se fëmija ishte i sëmurë prej vitesh. Dhe ati u përgjigj: “Qëkurse ishte djalë i vogël”.
Por le të shohim edhe një herë tjetër me sa urtësi dhe me çfarë mënyre lidh Zoti vendosmërinë me fisnikërinë. Kur denoncon me mprehtësi pabesinë, flet përgjithësisht dhe forcon besën e të gjithëve, por nuk ul asnjë personalisht. Por kur i drejtohet personalisht dikujt që i përgjërohet, nuk flet rreptësishtë, por me kujdes të madh dhe mirësjellje. Mirësjellja dhe dallueshmëria nga ana e Krishtit, sollën rezultatin e dëshiruar. Ati thirri me lot: “Besoj o Zot. Ndihmomë në pabesinë time” (v.24). Nuk ekziston asgjë tjetër që të shkrijë kaq lehtë akullin e pabesisë, sa lotët. Në momentin që ai njeri qau përpara Zotit, ishte penduar tashmë për pabesinë e tij të mëparshme. Brenda tij, përkundrejt Perëndisë, besa e tij doli papritur siç kërcen një rrëke nga lumi i fryrë. Dhe më pas ajo besë u shndërrua në zë, në fjalë, që mbetën si mesazh dinamik në gjithë brezat e njerëzve. “Besoj o Zot. Ndihmomë në pabesinë time!”
Këto fjalë do të thonë se njeriu nuk mund të arrijë në besë pa ndihmën e Perëndisë. Gjëja e vetme që mund të bëjë njeriu, është të përvetësojë një besë të vogël fillestare. Të besojë, pra, në ekzistencën e së mirës dhe së ligës, apo të dyshojë të mirën dhe të ligën. Por distanca nga kjo besë e vogël në atë të vërtetë, është e madhe. Nuk mund ta përshkojë dikush nëse nuk e drejton dora e Perëndisë. Fjalët që tha ati: “Ndihmomë në pabesinë time” janë si të thotë: “Zot, ndihmomë të besoj!… Ndihmomë të mos besoj tek i ligu!… Ndihmomë të çlirohem nga i ligu dhe të bashkohem me Ty!”
* * *
“Dhe ndërsa ai po vinte pranë”, djalli e hodhi poshtë dhe e tronditi me të përplasura gjithë trupin (Luka 9:42). Kjo ishte gjëja e fundit që lejoi Perëndia të bëjë demoni, në mënyrë që të shohin njerëzit dhe të ndihmohen, të tmerrohen nga ato që mund t’i bëjë satanai njeriut. Të besojnë dhe të kuptojnë sa e pamjaftueshme është fuqia e njeriut, madje edhe fuqia e mjekëve më të aftë të botës, që të shpëtojnë jetën, qoftë edhe të një njeriu, nga një frikë dhe tmerr i tillë. Dhe pasi të shikojnë fuqinë e djallit dhe të ndërgjegjësohen për dobësinë e tyre, njerëzit do të njohin madhështinë dhe fuqinë hyjnore të Zotit Krisht.
Ungjillor Marku përmend këtu fjalët që tha Krishti ndaj frymës së ligë: “Frymë e pagojë dhe e shurdhër, unë të urdhëroj, dhe të mos hysh më tek ai” (v.25). Të urdhëroj, thotë Zoti. Ai është burimi i pushtetit dhe i fuqisë. Nuk ka nevojë t’i marrë borxh ato nga dikush tjetër. “Gjithë sa ka Ati, janë të miat” (Joani 16:15), ka thënë Krishti në një rast tjetër. Dhe siç shohim, e zbaton këtë në vepra. “Unë të flas. Të urdhëroj me pushtetin Tim, të nxjerr me fuqinë Time”.
Duhet të kuptojë mirë bota se Krishti nuk është një nga profetët që bënë gjëra të mrekullueshme me ndihmën e Perëndisë. Krishti është Biri i Perëndisë së Gjallë, për të Cilin profetizuan profetët dhe të Cilin priste bota. Pas asaj mrekullie kaq të madhe të Krishtit, “të gjithë mahniteshin për madhështinë e Perëndisë” (Luka 9:43).
Madhështia e Perëndisë dhe tërëfuqia e Tij, lum të mbeteshin vazhdimisht dhe të pandryshueshme në shpirtrat e njerëzve. Të mos shkrijnë si flluska në ujë. Por Perëndia nuk mbjell më kot. Nëse fara që do të bjerë në rrugë, në gurë apo midis gjembave do të humbasë, ajo që do të bjerë në tokë të mirë nuk humbet, por do të sjellë fryt njëqindfish.
* * *
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!
Edhe ne, vazhdimisht, sado që jemi të pajustifikuar për besën tonë të paktë, anemike, thuajse minimale, le të mos ngurojmë t’i afrohemi Zotit dhe t’i kërkojmë të na ndihmojë në pabesinë tonë. Le t’i përsërisim edhe ne “Besoj o Zot. Ndihmomë në pabesinë time!”. Dhe Zoti, i Cili asnjë nga ata që afrohen tek Ai nuk e kthen të zbrazët, do të na japë aq besim, në mënyrë që me të, sado të mëdhenj të jenë malet e besës sonë të paktë, t’i lëvizim dhe t’i hedhim në detin e paanë të mëshirës së Tij hyjnore. Kjo është mënyra e vetme, që t’i dhurojmë shpirtit tonë të trazuar, qetësinë e dëshiruar dhe jetëdhënëse, nga e cila ka kaq nevojë dhe e cila do ta mbushë me gëzim të pashprehshëm dhe lumturi të vërtetë. Amin.