Veprimtari të Kolegjit Universitar “LOGOS”
Dita Ndërkombëtare e gjuhës greke.
Departamenti i Gjuhës dhe Civilizimit Grek të Kolegjit Universitar “LOGOS”, në bashkëpunim me Departamentin e Gjuhës Greke të Universitetit të Tiranës dhe Ambasadën e Greqisë në Tiranë, organizoi më 9 shkurt aktivitetin në kuadër të Ditës Botërore të Gjuhës Greke.
Aktiviteti u çel nga Përgjegjësja e Departamentit të Gjuhës dhe Civilizimit Grek të “LOGOS”-it, Dr. Vasiliki Apostolouda dhe u përshëndet nga Ambasadorja e Greqisë në Shqipëri, znj. Konstantina Kamitsi, si dhe nga Dr. Isida Meta, nga Departamenti i Gjuhës Greke në Universitetin e Tiranës.
Në këtë kuadër, z. Theodosios P. Tassios, Profesor Emeritus i Universitetit Teknik Kombëtar të Athinës, prezantoi temën “Automatët dhe robotët në Greqinë e lashtë”.
Paralelisht u përurua ekspozita “Veprat e mëdha teknike të Greqisë antike”, e cila do të qëndrojë e hapur deri më 9 mars.
LOGOS në projekte evropiane:
Kolegji Universitar “Logos” merr pjesë në takimin fillestar të projektit ERASMUS+ KA-2, Ngritja e Kapaciteteve në Arsimin e Lartë, i titulluar MAGNET (Fuqizimi Menaxherial dhe Qeverisës përmes të Mësimdhënies dhe të Nxënit), që u mbajt më 16 – 17 shkurt 2023, pranë Universitetit “Demokriti”, të Trakës në Aleksandrupol, Greqi.
Dekani i Fakultetit të Shkencave Humane dhe Komunikimit Gjuhësor, Prof. Asoc. Konstantinos Jakumis dhe Dr. Valbona Nathanaili, anëtare e Departamentit të Pedagogjisë dhe Psikologjisë, si përfaqësues e Kolegjit Universitar “Logos” u angazhuan në procesin e reflektimit dhe organizimit të veprimtarisë së projektit.
Kolegji ynë bashkëpunon në gjithë aspektet e projektit të kryesuar nga Universiteti Demokrit i Trakës, por kryeson Paketën IV të Punës lidhur me Garantimin e Cilësisë. Përfshirja e Kolegjit në projekte të tilla evropiane është inkuadruan në planin strategjik për ndërkombëtarizimin e institucionit.