Punime Restaurimi dhe Mirëmbajtjeje.

Pas një periudhe 25 vjeçare, nga koha kur u ringritën dhe u restauruan konakët e manastirit “Fjetja Hyjlindëses Mari”, në ishullin e Zvërnecit, në janar 2023 filluan punime të thella mirëmbajtje në këto struktura. Punimet u kryen me projekt të hartuar nga DRTK Vlorë dhe të miratuar në KKTKM, me vendim nr. 284, dt. 08.06.2021.

Si edhe për ndërhyrjet e restaurimet e mëparshme në Manastir, fondet për realizimin e tyre u siguruan nga Kryepiskopi Anastas. Në kuadrin e këtij financimi nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Bërthama e Trashëgimisë Kulturore e saj po realizon dhe ndjek punimet, si dhe koordinon bashkëpunimin me Drejtorinë Rajonale te Kulturës Kombëtare Vlorë dhe IKTK.

Në vitet 97-98, u restauruan konakët e manastirit me fondet e Kishës sonë. Ndërsa gjatë vitit 2003, përsëri me fondet e Kishës u bë restaurimi i plote i kishës së manastirit.

Punimet që po kryhen tani konsistojnë në ribërjen e plotë të suvasë, pastrimin dhe meremetimin e çatisë, përforcimin e elementeve prej druri etj. Ky monument, për shkak të vendndodhjes dhe pozicionit është gjithmonë nën ndikimin e lagështisë dhe ujit të kripur të lagunës së Nartës. Për këtë arsye, dëmtimet e rifiniturës dhe të elementeve janë me të shpejta dhe intensive. Ndaj, për restaurimin e konakëve po përdoren solucione përkatëse në forme aditivi, për eliminimin e pranisë së lagështisë dhe ujit të kripur brenda strukturës së elementëve.

* * * * *

Manastiri i Zvërnecit

Manastiri i Fjetjes së Hyjlindëses ngrihet në ishullin e vogël, në lagunën e Nartës, përballë fshatit Zvërnec. Peizazhi mjaft piktoresk si dhe selvitë e larta që mbulojnë kodrën e ulët të ishullit, i japin manastirit edhe vlera mjedisore.

Kisha është një nga monumentet më të rëndësishme të periudhës bizantine dhe, së bashku me kishën e Marmiroit, janë të vetmit shembuj të tipit në formë kryqi të lirë me kupolë, që njihen deri më sot në Shqipëri. Përbëhet nga naosi, që i përket fazës fillestare dhe narteksit, në anën perëndimore dhe hajatit nga veriu, të cilat i janë shtuar në një fazë të vonë, gjatë shekujve 18-19.

Naosi e ka shumë të theksuar bërthamën qendrore të mbuluar me kupolë mbi tambur të lartë, i cili, nëpërmjet trekëndëshave sferike, ngrihet mbi qemerët cilindrikë të krahëve të kryqit. Hapësira e narteksit, e mbuluar me qemer cilindrik, unifikohet me atë të naosit.

Kjo, si dhe madhësia jo e barabartë e krahëve të kryqit, nga të cilat krahu lindor dhe ai perëndimor janë më të gjatë se ato verior dhe jugor, i kanë dhënë kishës një aks të dallueshëm gjatësor.

Naosi përmban pak pikturë murale, që ruhet në ambientin e altarit dhe pjesërisht në kupolë, e cila nuk është e njëkohshme me ndërtimin e kishës. Në pjesë të caktuara, sidomos në shpatullat e dritareve, vërehet një nënshtresë e pikturës së vjetër. Ikonostasi i kishës, ndonëse nuk ruhet i plotë, dëshmon për një cilësi të lartë artistike. Pjesët e gdhendura janë të praruara dhe evidentohen bukur nga sfondi i lyer me ngjyrë të kuqe të thellë dhe blu të errët.

Në pamjen e jashtme forma e kryqit nuk është po aq e theksuar sa në brendësi. Ne kompozimin vëllimor mbizotëron vëllimi i tamburit të kupolës, i cili ngrihet mbi çatitë dyujëse të krahëve të kryqit.

Frontonet e tyre janë të gjallëruara me arkada të verbëta, të përbëra nga një hark qendror më të lartë dhe dy harqe më të vegjël anësorë.

Në krahasim me kishën e Marmiroit, kisha e Zvërnecit ka forma më të hedhura, më të zhvilluara dhe paraqet jo vetëm një ndërtim më të vonë, por edhe më me mjeshtëri. Sipas studimit të kryer nga prof. dr. A. Meksi. në revistën Monumente 1975 Nr. 10, ajo datohet e shekullit XIII – XIV, ku si bazë merret trajtimi i fasadave në arkada, si dhe në bazë të analogjisë ku kjo kishë përafron me kishën e Shën Nikollës në Kurjan të Fierit. Në Simpoziumin “2000 vjet krishterim”, sipas prof. dr. P. Vokotopoullos, kisha është e shekullit të X- të. Ne mbishkrimin ne gur tek porta kryesore e hajatit jepet viti i ndërtimit të tij, që është 1884. Ky ndërtim është i fazës së dytë të ndërtimit, ku përfshihen hajati, eksonarteksi dhe kambanorja.


 

Foto Album:

 

Punime Restaurimi Dhe Mirëmbajtjeje Te Manastiri I Zvërnecit