E Diela e të Lidhurit të Mishit, Gjykimi i fundit, nga Mitropoliti i Apollonisë & Fierit, H. Nikolla, 19.02.2023. (Tekst)
“Jemi ne, me jetën tonë, që kemi vendosur për të jetuar bashkë me Zotin apo larg Tij, në vendin e mundimeve!”
Me ngjarjen tragjike që kemi dëgjuar të dashur besimtarë, atë të tërmetit që ndodhi në Turqi dhe në Siri, ku siç na thonë lajmet e ndryshme ku deri tani janë mbi dyzet mijë (40000) vetë kanë humbur jetën e tyre. Kjo ngjarje ka tronditur mbarë opinionin njerëzor, ka tronditur të gjithë zemrat tona.
Të tilla momente të dhimbshme, sidomos për këta dy popuj, sidomos për ata njerëz që kanë humbur të afërmit e tyre, ata të cilët kanë humbur gjithçka nga kjo ngjarje tragjike, dëgjohen dhe zera të ndryshëm të cilët thonë: “Po Perëndia ku është? Perëndia që është i mirë. Perëndia që është njëridashës. Pse të ndodhin të tilla gjëra nëse Perëndia me të vërtetë ekziston?”
Sigurisht që Perëndia ekziston. Sigurisht që Perëndia është i mirë dhe njerëdashës. E përsërisim përsëri dhe përsëri që duke qënë Perëndi i mirë asgjë e keqe nuk mund të burojë nga Perëndia i mirë. Këto janë të gjitha pasojë e mëkatit tonë. Ne me mëkatin tonë prishëm marrëdhënien tonë me Perëndinë. Ne me mëkatin tonë prishëm marrëdhënien tonë me njëri- tjetrin. Ne prishëm marrëdhënien tonë me gjithë krijimin. Me mëkatin tonë ne prishëm ekosistemin dhe vazhdojmë ta bëjmë akoma më tej të prishim atë që Zoti në mënyrë të mrekullueshme krijoi. Akoma më tepër kësaj gjëje i shtojmë pangopësinë tonë për tu bërë sa më tepër të pasur, për të fituar sa më tepër. E themi këtë se shikojmë në televizion se shumë ndërtesa që u prishën ishim të një cilësie jo të mirë. Pangopësia e njeriut për të fituar sa më tepër.
Po Zoti pse e lejon një gjë të tillë? E lejon që të pendohemi. E lejon që të ndërrojmë rrugë dhe të kthehemi tek rruga e Tij e vërtetë. Akoma edhe vdekjen që është ngjarja më e dhimbshme në historinë e njerëzimit, siç na thotë dhe Grigor Theologu “e lejoj Zoti vdekjen që e keqja të mos mbetet e përjetshme”. Në të vërtet Zoti është Perëndia i mirë, është Perëndi i dashuri por njëkohësisht është dhe Perëndia i drejtësisë. Na thuhet në Zbulesë: “Zerat e njerëzve të drejtë dhe të shenjtë vazhdimisht ankohen pranë fronit të Perëndisë dhe thonë deri kur o Zot ti do të vendosësh drejtësi?”
Zoti do të vij një ditë që të vendosi drejtësi dhe ne besojmë këtë dhe e themi në Simbolin e Besimit për Krishtin “Do të vijë përsëri me lavdi të gjykojë të gjallët dhe të vdekurit, mbretëria e të cilit nuk do të ketë mbarim”. Zoti do të vij dhe një herë të dytë, jo si herën e parë siç erdhi i përulur, i pa dëgjuar që me thjeshtësinë e Tij, mori formë njerëzore. Mësoi, predikoi, bëri mrekulli, pësoi, vuajti, u kryqëzua, vdiq për ne. Këtë radhë do të vij në mënyrë të dukshme. Do të vij me shenjën e Tij, do të vij me ushtritë ëngjëllore. Siç e dëgjuam në Ungjillin e sotëm, sot të Dielën e Gjykimit. Thuhet në pjesën e Ungjillit se Zoti do të vijë me lavdi bashkë me ëngjëjt e Tij, për të gjykuar të gjithë njerëzimit. Askush nuk do ti shpëtojë gjykimit të Zotit.
Ne dimë që me vdekjen tonë ndahet shpirti nga trupi, trupi mbetet në varr dhe shpirti kalon në një jetë tjetër. Po ky shpirt ka një gjykim sipas veprave të tij ai do të jetojë ose Parajsën ose vendin e mundimeve. Do të jetojë në një gjëndje të mesme, të ndërmjetme deri në ardhjen e dytë të Zotit. Kur të vij Zoti në ardhjen e dytë, të gjithë ata që kanë ndërruat jetë më përpara do të marin trup të pavdekshëm, të lavdëruar dhe me këtë trup do të shfaqen përpara Zotit. Ndërsa të gjithë ata që do të jenë duke jetuar kur të vij Zoti do të shndërrohen me një trup të tillë të pavdekshëm. Kështu të gjithë do të dalin të gjykohen përpara Zotit. Do të shfaqen tek secili prej nesh gjithë jeta jonë, gjithçka siç e kemi kaluar, gjithë mëkatet tona. Të gjitha do të duken në sytë tanë, jo në sytë e Perëndisë se Perëndia i di të gjitha, por në sytë tanë për të kuptuar ku kemi jetuar, si kemi jetuar, si i kemi ruajtur urdhëresat e Perëndisë ose si i kemi shkelur urdhëresat e Perëndisë. Atëherë duke parë jetën tonë do të kuptojmë çfarë na pret. Nuk është Zoti që do të gjykojë jetën tonë, jemi ne që kemi vendosur me jetën tonë gjykimin tonë. Kemi vendosur ku do të shkojmë, do të shkojmë me të bekuarit, në të djathtë të Perëndisë për të jetuar bashkë me Zotin, me ëngjëjt, apo larg Perëndisë në vendin e mundimeve.
Kush është kriteri që dëgjuam në pjesën e Ungjillit të sotëm? Është kriteri i dashurisë. Zoti thotë kriteri i dashurisë për ata njerëz që janë në nevojë, që janë të zhveshur , për ata që janë të uritur, që janë të sëmurë, që janë në burg, të gjithë njerëzit që kanë nevojë për ndihmën tonë. Kur ne kemi ndihmuar këta njerëz kemi ndihmuar vetë Zotin. Sigurisht që kriteri i dashurisë nuk mbetet i ndarë nga gjithë jeta dhe nga mënyra si ne jetojmë jetën tonë. Nëse ne me të vërtetë ndihmojmë ata që kanë nevojë dhe vrasim një njeri, ne kemi shkelur të gjithë urdhëresën e Perëndisë. Sigurisht që ne do të humbasim Mbretërinë e Perëndisë. Është e frikshme, është e frikshme vdekja, por është akoma më e frikshme dita që Zoti do të vij për gjykim me lavdi.
Ava Ilia thotë se tre gjëra e frikësojnë shumë:
- Momenti i ndarjes së shpirtit nga trupi.
- Momenti kur unë jam përpara gjykatësit.
- Vendimi që do të dëgjojë nga gjykatësi.
Na i ka treguar Krishti me gojën e Tij, që kjo është një e vërtetë. Ne kemi sigurinë, ndoshta në jetën tonë mund të mos ndodhin të gjitha ato që kemi ëndërruar ose menduar për jetën tonë, por një gjë do të ndodh me siguri që një ditë do të kalojmë në jetën tjetër. Bashkë me këtë është aq e sigurtë që ne një ditë do jemi ball për ball me Zotin, për tu gjykuar për veprat tona.
Le të përpiqemi me pendim dhe me dashuri ndaj të afërmit tonë, që atë ditë të dëgjojmë zerin e Perëndisë të ma thotë: “Qofsh i bekuar, qëndro në të djathtën time dhe gëzohu me gëzimin e përjetshëm bashkë me ëngjëjt.” Amin!