Pjesa I: Ikonostasi i Spilesë (shek. XVII)
Nga Dr. Konstantinos Giakoumis
Botuar te Gazeta Shqiptare, dt. 22 nëntor 2013,
me titullin “Ikonat e sekuestruara u morën në kishën e Spilesë.
Me rastin e zbulimit të një sërë veprash arti të vjedhura nga kisha të ndryshme ortodokse të Shqipërisë së jugut dhe të Maqedonisë, çështja e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore diskutohet në bazë të re. Sipas mendimit tim, vjedhja e veprave të artit përbën një lloj idiosinkratik krimi.
Së pari, sepse shkëput një vepër arti nga komuniteti, i cili e krijoi dhe e mbrojti brez pas brezi. Në rastin konkret, të veprave që po prezantohen këtu [Fig. A dhe B], ruajtja e tyre në manastirin e Lindjes së Shën Mërisë të Spilesë në Lunxhëri, zgjati për afro 400 vjet, para se të vidhen. Pra, kemi të bëjmë me një lloj vjedhjeje jo të zakontë. Ndërsa në një vjedhje të zakonshme ka një ose më shumë hajdutë dhe zakonisht një të vjedhur, në rastin e vjedhjes së veprave të trashëgimisë kulturore nga komuniteti i tyre, të vjedhurit janë breza të tërë paraardhësish, si edhe komuniteti i gjallë.
Së dyti, sepse çdo vjedhje e veprave të artit nga monumentet e tyre përforcon mendimin se komunitetet e kanë të pamundur të mbrojnë trashëgiminë e tyre kulturore, edhe pse e kanë bërë nëpër shekuj. Ky mendim çon, sigurisht, drejt objektivizimit dhe kthimit të veprave të artit në objekte muzeore, në më të shumtën e rasteve, duke i larguar nga vendi ku jetonin prej shekujsh bashkë me komunitetin e tyre.
Së treti, sepse pasurimi i përkohshëm i hajdutit privon komunitetin e veprës së vjedhur të artit nga një mundësi zhvillimi përmes turizmit ekokulturor. I tillë është rasti i vjedhjes së epistilit me ikona të vogla të ikonostasit të manastirit të Shën Mërisë së Spilesë në Lunxhëri, të cilin e prezantoj këtu [krahaso Fig. A dhe B me Fig.2, 7 dhe 8].
Qëllimi i artikullit nuk kufizohet vetëm në sensibilizimin e publikut mbi vlerat e njërës prej veprave të vjedhura. Por ai shkon më tej, në shpresën se hetimet e prokurorisë do të zgjerohen edhe në vendet e prejardhjes së këtyre objekteve, aty, të paktën, ku identifikimi i tyre është i mundshëm, me synim zbërthimin e tërë hallkave të rrjetit të vjedhjes dhe trafikimit të veprave të artit që nga burimi, me lidhjet e tij të mundshme me individë brenda komunitetit. Në rastin që trajtohet këtu bëhet fjalë për fshatrat Saraqinishtë dhe Tranosishtë, prej të cilëve u shkëputën disa thesare të trashëgimisë së tyre kulturore. Një nga objektet të cilat policia e shtetit, krenare për arritjen e saj, e shtriu në mënyrë të trishtueshme përtokë në Galerinë e Arteve të Tiranës para disa ditësh, sipas vlerësimit tim, bazuar vetëm në pikëpamje filmike të një kanali të madh privat televiziv [Fig. A dhe B], mund t’i atribuohet pjesës së sipërme të ikonostasit (epistilit) me ikona të vogla nga manastiri i Lindjes së Shën Mërisë, i ashtuquajturi “i Spilesë” në Lunxhëri [krahaso Fig. A dhe B me Fig.2, 7 dhe 8].
Manastiri i Spilesë ndodhet në lindje të fshatit Tranosishtë të Lunxhërisë (Gjirokastër), gjysmë ore me këmbë larg tij. Manastiri është ndërtuar pranë masiveve shkëmbore të skalitur në formë shpellash. Prej këtyre shpellave, të cilat përdoreshin prej heremitëve si vend lutjeje dhe ushtrimi shpirtëror, manastiri mori emrin “i Shën Mërisë së Spilesë”. Manastiri feston në Lindjen e Shën Mërisë (8 shtator) dhe u krijua në fillim të shek. XVII. Që atëkohë e deri më 1924, ky manastir ka gëzuar statusin stravropigjik dhe patriarkal. Me gjithë vendimet e përkohshme dhe të kundërta, manastiri ka qenë eksarki patriarkale bashkë me fshatrat përreth nga fillimi i shek. XVII gjer më 1880. Ky status ishte i privilegjuar dhe i jepte manastirit dhe eksarkisë së tij një formë autonomie nga autoriteti vendor kishtar përmes vartësisë së tij drejtpërdrejt nga Patrikana e Stambollit. Vlen të përmendet se, sipas Pukevilit (Pouqueville), banorët e Lunxhërisë mbaheshin për si inxhinierë të zotë ujëmbledhësish, të cilët, sipas traditave lunxhjote të regjistruara prej Pukevilit, mburreshin për punimet e tyre të lashtë në Stimfali (Korinth) dhe Stambol. Mandej, Pukevili përmend se inxhinierët e sistemeve hidraulike prej Lunxhërisë, ishin kaq të famshme për punët e tyre, sa të marrin një firman në vitin H 1119 (1707/8).
Kisha qendrore e manastirit (katholikoni) i përket tipit kryq i brendashkruar me absida anësore (varianti i Malit të Shenjtë, Athos) [Fig. 1]. Studimi i arkitekturës së tij tregon se është ndërtuar para vitit 1623 nga të njëjtët mjeshtër që ndërtuan edhe kishën e Shën Kollit në Saraqinishtë, Lunxhëri. Kemi të bëjmë me një grup mjeshtërish të aktivizuar në rajon gjatë viteve 1620-1630. Kisha ka pasur dëmtime dhe mbështetej me skela druri të paktën deri në vitin 1997. Në brendësi, kisha është tërësisht e pikturuar me afreske. Naosi u pikturua më 1634 “përmes dorës së Mihailit nga Linotopi”, qytezë vllehësh me atelie të shumta artistike në shek. XVI-XVIII, e cila ndoqi nga afër fatin e Voskopojës, vetëm se edhe sot është e pabanuar. Narteksi u pikturua më 1659 nga piktorë të panjohur, dhe ka ngjashmëri ikonografike dhe stilistike me afresket e fazës së dytë të manastirit të Ravenjës, në Goranxi të Dropullit, Gjirokastër.
Ikonostasi (ikonëmbajtësi) i kishës [Fig. 2 krahasuar me Fig. A] në vitin 1997 paraqitej i zhveshur nga dyert e bukura, nga ikonat e mëdha, ikonat e Dymbëdhjetë Festave në pjesën e epërme të ikonostasit, si edhe nga Krishti i kryqëzuar në majën e ikonostasit. Këto vepra ruheshin në Institutin e Monumenteve në Tiranë me numra rendore 176, 574, 154, 715-721 dhe 725-726. Ikonostasi ndahej në tri zona, më e ulëta prej të cilave mbartte panele të lugëta në formë trëndafili të brendashkruar në rombe tetëbrinjësh, me anët e sipërme dhe të poshtme në formë harku. Në të katërta këndet panelet dekorative mbartin zbukurime floreale. Në zonën e dytë, shtyllat zbukurohen me elementë bimore, në anët e të cilave formohen bime kacavjerrëse. Pjesa e epërme e shtyllave kurorëzohet me pseudokapitele. Në pjesën mbi shtyllat (epistil) të bëjnë përshtypje guaskat e mirëformuara, të cilat rrethojnë një lule në qendrën e tyre dhe mbështeten në korniza të skalitura në formë bime kacavjerrëse me lule në qendër. Skalitja e ikonostasit paraqet ngjashmëri me dyert e bukura të manastirit të Makryaleksit të Lavdhanit, Pogon (1592/3), të cilët ndodhen sot në Muzeun Bizantin të Janinës. Pjesët midis guaskave plotësohen me zbukurime floreale dhe bimore, ndërsa hapësirat janë pikturuar në ngjyrë të kuqe dhe blu. Në mënyrë parësore, hapësirat mbulohen me panele të lugëta dhe të zgjatura vertikalisht, prej të njëjtit dru të ikonostasit, maja e të cilave përfundon me një hark. Këto panele janë të pikturuara. Është pikërisht kjo zonë, të cilën ma zuri syri në ekspozimin e objekteve të vjedhura. Pjesa e sipërme e epistilit është e skalitur në formë bime kacavjerrëse. I njëjti rend zbukurimor ndiqet edhe në pjesën më të lartë të ikonostasit, ku guaskat janë më të vogla dhe s’lenë hapësirë për ikona.
Struktura e ikonostasit është e ngjashme me ikonostase nga Thesalia, Maqedonia dhe Serbia jugore të shek. XVI – fillim shek. XVII, ndërsa zona e dyfishtë e guaskave, edhe pse më pak të stilizuara, paraqitet në ikonostase nga Kreta qysh prej shek. XV. Guaska, si zbukurim, e ka prejardhjen qysh nga periudha paleokristiane dhe, në periudhën nga shek. XV-XVII, paraqitet në ikonostase në ishullin e Patmos, në Dymbëdhjetë Ishujt e Egjeut edhe në Epir – Shqipëri. Ngjyrosja e hapësirave bosh edhe mbilyerja me bojë ari paraqitet shpesh në ikonostase të shek. XV-XVII. Tiparet e ikonostasit e klasifikojnë atë të një tipi tranzicional, nga tipi A (shek. XV-XVII), në tipin B (gjysma e shek. XVII-fillimi i shek, XVIII) sipas tipologjisë së studiuesit të shquar të ikonostaseve, Caparlis-it. Këto elemente, bashkë me datimin e kishës dhe të ikonave të vogla të epistilit, na lejojnë që ikonostasin dhe ikonat e tij t’ia atribuojmë ateliesë së piktorëve nga Linotopi, me shumë përvojë pamore edhe jashtë Epirit – Shqipërisë, dhe na çojnë në datimin e ikonostasit dhe të ikonave të vogla rreth vitit 1620. Këtë datim e mbështesin edhe ikonostaset shumë të ngjashme të manastirit të Ravenjës, Dropull [Fig. 3], të manastirit të Ungjillëzimit në Dropull dhe atij të Drenovës në Mingul të Lunxhërisë [Fig. 4].
Panelet e lugëta në vetë drurin e ikonostasit (përmasa të përafërta: 17 x 11 cm), që ndodhen midis guaskave të epistilit, kanë të pikturuar, mbi një nënshtresë gipsi me pëlhurë, tetë profetë [Fig. 5-12]. Në mënyrë emërore, nga djathtas deri majtas, pikturohen me trup të plotë profetët: Isaia, Abakumi, Danieli, Moisiu, Davidi, Solomoni, Jezekieli dhe Jeremia. Ikonat e vogla, në vija të përgjithshme, nuk kishin pësuar dëmtime të rënda në vitin 1997, kur e vizitova manastirin. Megjithatë, dalloheshin qartë shenjat e ndërhyrjes së një dore jo mjeshtërore, e cila rreth shek. XIX-XX mbipikturoi (d.m.th. pikturoi përmbi pikturën ekzistuese) një pjesë të rrobave. Kjo dallohet më mirë tek profetë-mbretërit David dhe Solomon [Fig. 9-10], lorus-et (pjesë e rrobave perandorake) mbretërore të të cilëve, që një kohë, me siguri, ishin të ngjyrosur me bojë ari, mezi dalloheshin poshtë ngjyrës së kuqe të unifikuar, me të cilën u mbuluan si ato, ashtu edhe hitonët dhe veshjet e tjera të tyre. Fatmirësisht, ndërhyrjet nuk e prishin pamjen e përgjithshme të ikonave të vogla dhe lejuan studimin e tyre pa nevojën e një restaurimi paraprak.
Pesë nga profetët mbajnë në duar rrotulla të shkruara me tekste që lidhen me Shën Mërinë, ndërsa tre të tjerët me Krishtin. Gjashtë prej këtyre shkrimeve propozohen nga Manuali i Interpretimit të Artit Bizantin për skenën “Profetët që lartazi”. Si rrjedhojë, ikonat e vogla, në tërësinë e tyre, mund të konsiderohen si paraqitje e përmbledhur e kësaj teme.
Me gjithë përmasat e vogla të paneleve, dizenjimi i ikonave është mëtues dhe përgjithësisht i mirë. Profetët nuk pikturohen në mënyrë ballore, siç ndoshta do të ishte më e lehtë për piktorin, por me lëvizje të gjalla ose të vrullshme dhe gjeste të forta. Analiza e kujdesshme tregon edhe dobësitë e pakta të dizenjimit: koka proporcionalisht më të vogla, si tek profeti Moisi [Fig. 8], më pak te Abakumi [Fig. 6] dhe Solomoni [Fig. 10], gjetiu qafë të trashë (Abakumi), ose shumë të hollë dhe të gjatë, si Jeremia [Fig. 12] dhe Moisiu, ose thuajse pa qafë fare, si Jezekieli [Fig. 11] dhe Isaia [Fig. 5]). Paraqitja e lëvizjes me dis-harmoni të pjesëve të trupit, si disproporcionaliteti i këmbëve me tendencë përkuljeje përpara (më e dukshme te Jezekieli), disnivelimi i syve, shtrembërimi i trupave dhe i kokave, e ka origjinën nga koha e Paleologëve dhe trashëgohet edhe në shkollën epirote të pikturës. Palat e rrobave bëhen kryesisht përmes dizenjimit, me vija të mëdha ose më të vogla, që ndjekin në mënyrë të përafërt përkuljen e trupit. Dizenjimi paraqet një përqasje plasticiteti dhe dramaticiteti.
Vihen re tri mënyra ndriçimi mbi sfondin e butë dhe me ngjyrë gështenje të errët. Së pari, sfondi parapërgatitor i pikturës së profetëve Abakum dhe Daniel alternon sipërfaqe fort të ndriçuara me penelata të nxituar në pjesë të jashtme të trupit, duke krijuar një kundërshti të theksuar ngjyrash, me mungesën e nuancave të ndërmjetme. Këto zgjidhje janë të njohura qysh prej kohës së Paleologëve, mirëpo këtu paraqiten mjaft të stilizuara. Së dyti, sipërfaqja e ndriçuar e profetëve Moisi, David, Isai, Jezekiel dhe Jeremi krijohet në mënyrë të stilizuar me penelata të holla dhe të gjata që ndjekin kurbat e trupit, të cilat dalin nga sfondi pikturor me nuanca të ndërmjetme, teknikë që u zhvillua në artin e Paleologëve dhe u trashëgua në shkollat e Kretës në shek. XVI, dhe të Epirit. Së treti, në paraqitjen e profetit Solomon ndiqet një mënyrë tjetër ndriçimi: sipërfaqja e ndriçuar është më e gjerë, me penelata të bardha, shumë të stilizuara, të cilat ndjekin formën e fytyrës dhe zgjerohen gjatë pjesës më të madhe të saj. Kjo mënyrë ngjan më tepër me ikonat e shek. XVI-XVII, siç ato paraqiten në dyert e bukura të manastirit të Makryaleksit dhe në dy ikona nga ikonostasi i tij. Vëllimet e trupave të profetëve realizohen më tepër me dritëhije, ndërsa rrudhat me penelata të vogla ngjyrëkafe, të alternuara me penelatat e bardha të ndriçimit.
Analiza të mëtejshme stilistike nxjerrin në pah një sërë ngjashmërish me afreske të disa monumenteve të fillim shekullit XVII, si në naosin e vetë Manastirit të Spilesë, në manastirin e Vanistrës e Goranxisë, të Profet Ilia, në narteksin e manastirit në Jorgucat, Dropull, si edhe monumente të tjera në Greqi, të pikturuara prej Mihal Linotopitit. Ngjashmëritë ndeshen në konturet e veshjeve edhe të vëllimeve të tjera, në formën e hundëve, të vetullave, të syve dhe të gojëve. Në bazë të këtyre elementeve, si edhe datës së njërës prej ikonave të mëdha të ikonostasit, është propozuar datimi i ikonave në vitin 1623. Atribuimi i tyre si vepra të piktorit Mihal nga Linotopi tregon edhe një element tjetër të historisë së artit të shek. XVII në trevat ballkanike. Piktorët linotopitë bashkëpunonin me drugdhendës nga po i njëjti fshati, në mënyrë që, gjatë muajve të dimrit, kohë e papërshtatshme për pikturimin e kishave, për shkak të lagështirës, të mos ndërprisnin aktivitetin e tyre artistik. Prandaj edhe ikonostasi u është atribuar atelieve linotopite.
Integrimi i ikonostasit në monumentin ku ndodhej, i pikturuar nga i njëjti piktor, është i rrallë. Është tragjike se pas vjedhjes së ikonostasit dhe kthimit të tij në objekt muzeor pas gjetjes – një rrugë aq e trishtueshme, po aq sa, ndoshta, edhe e domosdoshme – vjedhësi i ikonostasit ka qenë personi i fundit që e ka parë monumentin ashtu siç qe ruajtur për afro 400 vjet…
Fig. A: Fragment i epistilit të ikonostasit të manastirit të Spilesë, Tranosishtë, Lunxhëri. Imazh nga pamje filmike të një televizori privat.
Fig. B: Detaje të epistilit të ikonostasit të manastirit të Spilesë, Tranosishtë, Lunxhëri: Profetët Daniel dhe Moisi. Imazh nga pamje filmike të një televizori privat.
Fig. 1: Kisha kryesore e manastirit të Lindjes së Shën Mërisë, Tranosishtë, Lunxhëri, fillim shek. XVII. Pamje verilindore.
Fig. 2: Ikonostasi i manastirit të Spilesë, viti 1623. Fotografi nga 1997.
Fig. 3: Ikonostasi i manastirit të Fjetjes së Shën Mërisë Ravenja, Goranxi, Dropull, gjysma e parë e shek. XVII.
Fig. 4: Ikonostasi i manastirit të Drenovës, Mingul, Lunxhëri, pjesa I e shek. XVII.
Fig. 5: Mihali nga Linotopi, Profeti Isaia nga ikonostasi i manastirit të Spilesë, Tranosishtë, Lunxhëri, gjysma e parë e shek. XVII.
Fig. 6: Po aty, Profeti Abakum.
Fig. 7: Po aty, Profeti Daniel.
Fig. 8: Po aty, Profeti Moisi.
Fig. 9: Po aty, Profeti David.
Fig. 10: Po aty, Profeti Solomon.
Fig. 11: Po aty, Profeti Jezekiel.
Fig. 12: Po aty, Profeti Jeremi.