Ankesë për keqpërdorimin e televizionit Publik (Rtsh) nga gazetari Ilir Yzeiri.

Drejtorit të Përgjithshëm të Radio Televizionit Shqiptar

Enkelejd Joti.

Kryetares së Autoritetit të Mediave Audiovizive

Znj. Armela Krasniqi.

Ditën e enjte, 12 janar 2023, në emisionin “ADN”, “Janullatosi dhe rënia e pavarësisë së Kishës Ortodokse Shqiptare”, të gazetarit Ilir Yzeiri, me të ftuar z. Pëllumb Xhufi, janë bërë sulme të papranueshme kundër Kryepiskopit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe gjithë Komunitetit Orthodhoks shqiptar.

Nuk bëhet fjalë vetëm për qëndrimet e këtyre dy individëve, tendencioziteti antiorthodhoks i të cilëve është i njohur, por shqetësimin kryesor e përbën fakti se për këtë propagandë baltosëse dhe përçarëse, atyre u vihet në dispozicionin ekrani i Televizionit Publik, nga i cili pritet njohja dhe promovimi i komuniteteve fetare dhe i harmonisë mes tyre. Pa harruar edhe se orthodhoksët janë taksapagues që kontribuojnë qenësishëm për mbajtjen e shërbimit publik dhe revoltohen kur ai keqpërdoret kundër tyre.

Kujtomë se:

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë dhe Kryepiskopi Anastas, i zgjedhur sipas Kanoneve të Shenjta Orthodhokse, njihen kanonikisht dhe si të barabartë nga të gjitha Kishat Orthodhokse në botë, si dhe nga Kishat e Krishtera dhe komunitetet e tjera fetare.

Kryepiskopi Anastas është udhëheqësi i Komunitetit Orthodhoks të Shqipërisë, i njohur, pranuar dhe vlerësuar që nga viti 1992 nga të gjitha qeveritë e vendit tonë, duke i dhënë vazhdimësi veprës së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë (njohur kanonikisht në vitin 1937), pasqyruar qartë mes të tjerash edhe në Marrëveshjen me Shtetin Shqiptar, të ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë (LIGJ Nr.10 057, datë 22.1.2009).

Kryepiskopi Anastas, personalitet i njohur dhe i vlerësuar gjerësisht brenda dhe jashtë vendit, është anëtar themelues i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë (“Nderi i Kombit”) dhe ka punuar në çdo çast për forcimin e harmonisë fetare, si një pasuri e çmuar kombëtare. Është qytetar shqiptar, i vlerësuar ndër të tjera me Urdhrin “Skënderbeu”, si dhe “Qytetar Nderi” i Tiranës dhe i disa qyteteve.

E gjithë veprimtaria e Kishës sonë dhe e Fortlumturisë së Tij Anastasit ka vlerësuar dhe vazhduar veprën kolosale të Imzot Theofanit (Nolit). Atë Artur Liolin (Kryekancelari i Kishës Orthodhokse Shqiptare në Boston SHBA) ka thënë: “…Unë jam i sigurt se Noli do ishte mik me Imzot Anastasin…”

Me kërkesën dhe bindjen se do ndërhyni për të korrigjuar këto anomali, shprehim respektin dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar në vazhdimësi.

Zyra e Shtypit e Kryepiskopatës