– Apostulli – Hebrenjve 7:1-6.
Sepse ky Melkisedeku, ishte mbreti i Salemit, prift i fort të lartit Perëndi, i cili u takua me Abrahamin kur ky kthehej nga shpartallimi i mbretërve, edhe e bekoi. Atij Abrahami i ndau edhe të dhjetën e të gjithave, i cili së pari përkthehet mbret i drejtësisë, edhe pastaj edhe mbret i Salemit, që do me thënë mbret i paqes, pa atë, pa nënë, pa gjenealogji, pa pasur as fillim ditësh, as fund jete, por bërë i ngjashëm me Birin e Perëndisë, mbetet prift përgjithnjë.
Pa mendoni sa i madh ishte ky, të cilit Abrahami, kryeati, i dha edhe të dhjetën e plaçkës. Edhe nga të bijtë e Levit ata që marrin priftërinë, kanë urdhërimin të marrin sipas ligjit të dhjetën nga populli, domethënë nga vëllezërit e tyre, ndonëse kanë dalë nga mesi i Abrahamit. Po ai që nuk e kishte gjenealogjinë nga ata mori të dhjetën nga Abrahami, edhe bekoi atë që kishte premtimin.