– Ungjilli – Marku 10:17-28.
Edhe ndërsa po dilte në rrugë, një njeri u lëshua me vrap, edhe ra në gjunjë përpara tij, edhe e pyeste: Mësues i mirë, ç’të bëj që të trashëgoj jetën e përjetshme? Edhe Jisui i tha: Pse më thua i mirë? Asnjë s’është i mirë, përveç një, Perëndia.
Urdhërimet i di: “Mos shkel kurorën. Mos vrit. Mos vidh. Mos jep dëshmi të rreme. Mos mashtro. Ndero atin tënd dhe nënën tënde”.
Edhe ai iu përgjigj, e i tha: Mësues, këto i kam ruajtur që në rininë time.
Edhe Jisui hodhi sytë mbi të, edhe e deshi, edhe i tha: Një gjë të mungon, në do të jesh i përsosur, shko e shit sa ke, edhe jepua të varfërve dhe do të kesh thesar në qiell, edhe eja, ngri kryqin tënd e më ndiq pas.
Po ai u ngrys nga kjo fjalë, edhe iku i hidhëruar, se kishte shumë zotërime.
Edhe Jisui, si hodhi sytë përreth, u tha nxënësve të tij: Sa me vështirësi do të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë ata që kanë para!
Edhe nxënësit tmerroheshin për fjalët e tij. Po Jisui përsëri u përgjigj e u tha atyre: Bij, sa gjë e vështirë është të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë ata që shpresojnë në paratë!
Më lehtë është të shkojë gamilja nëpër vrimën e gjilpërës, se i pasuri të hyjë në mbretërinë e Perëndisë.
Edhe ata çuditeshin tepër, duke thënë me veten e tyre: Dhe cili mund të shpëtojë?
Edhe Jisui si hodhi sytë mbi ta, tha: Për njerëzit është e pamundur, po jo për Perëndinë; sepse të gjitha janë të mundura për Perëndinë.
Edhe Pjetri zuri t’i thotë: Ja ne tek i lamë të gjitha dhe erdhëm pas teje.