– Dëshmorët Bonifati, Agllaia, Senatore –

Shën Bonifati ishte skllav në shërbim të një zonje të pasur romake të quajtur Agllai, bijë e një prokonsulli të kryeqytetit, në kohën e perandorit Dioklecian (284-305). Ai merrej me mbarëvajtjen dhe mbarështimin e pasurisë së madhe të zonjës së tij dhe bënte jetë të shthurur, sipas zakoneve të njohura të Romës në këtë kohë. Shpeshherë, duke u dhënë pas dehjes dhe imoralitetit, ai kishte rënë në mëkat edhe me vetë Agllainë dhe nuk dukej se e vriste ndërgjegjja për një akt të tillë. Megjithatë, ai ishte i mirë dhe bujar, praktikonte mikpritjen në shkallën më të lartë për të huajt dhe u ndante lëmosha të shumta me dhembshuri të varfërve.

Pas disa vitesh të një jete të tillë, Agllaia, e munduar nga qortimet e ndërgjegjes së saj dhe duke pasur frikë se një ditë do të jepte llogari përpara Perëndisë, dëgjoi nga të krishterët se ai që u shërben dhe i nderon lipsanet e martirëve të shenjtë, do të gëzojë ndërmjetimin e tyre pranë Perëndisë dhe do të gjejë faljen e mëkateve të tij. Duke u mbushur me shpresë për një gjë të tillë, ajo e thirri Bonifatin dhe i dha urdhër të shkonte në Azinë e Vogël, atje ku të krishterët vuanin persekutimin, për të blerë me argjend lipsane të shenjta dhe për t’i sjellë ato në Romë. Ende i pandjeshëm ndaj Perëndisë, shërbëtori dhe i dashuri i saj iu përgjigj duke u tallur: “Po nëse të sjell trupin tim në formën e një lipsani, do ta nderosh si një shenjtor?”. “Nuk është koha për të bërë më shaka” iu përgjigj Agllaia me një ton qortues. “Shkunde dehjen tënde dhe bëhu gati me shpejtësi të madhe për këtë udhëtim, sepse unë mëkatarja po pres me padurim kthimin tënd, që të fitoj faljen nga Perëndia”.

Pasi mbërriti në Tars të Kilikisë, në krye të një shpure të shumtë në numër dhe i pajisur me sasi të madhe ari dhe çdo gjë tjetër që ishte e nevojshme për të balsamosur dhe për të transportuar me luks lipsanet e shenjta, Bonifati shkoi në amfiteatër, në arenën e të cilit pa i habitur torturat e një grupi martirësh prej 20 vetash. Njëri prej tyre i kishte gjymtyrët e shqyera në mes të 4 shtyllave, një tjetër ishte varur kokëposhtë, mbi të tjerët xhelatët po derdhnin tërë vrullin e tyre duke i rrahur me kamxhikë ose duke u çjerrë brinjët me grepa hekuri… Por gjithë të krishterët dukeshin sikur nuk i ndienin fare torturat, saqë kurtizani i shthurur ndjeu zemrën të zbutej përbrenda tij. I mbytur në lot ra në këmbët e tyre, deklaroi publikisht se ishte i krishterë.

E çuan përpara gjykatës së guvernatorit, ku ai hodhi poshtë me përbuzje kultin e idhujve dhe pohoi me guxim Shpëtimtarin Krisht. Më pas e dërguan edhe atë në amfiteatër, ku, falë lutjes së shenjtorëve, duroi të gjitha llojet e torturave me pandjeshmërinë e atij që duket sikur ka dalë jashtë trupit dhe është i huaj për botën. I futën shkopinj me majë në thonj, i derdhën plumb të shkrirë në gojë, e zhytën në një kazan me zift të valuar, por prapëseprapë ai mbeti i patundur përpara këtyre torturave.

Të nesërmen, atleti i Krishtit, dëgjoi me gëzim vendimin për vdekjen e tij dhe, para se t’i pritej koka, bëri shenjën e Kryqit, iu drejtua Zotit me një lutje të zjarrtë për forcimin e popullit të krishterë dhe që vdekja e tij, sipas imitimit të Krishtit, t’i falte faljen e mëkateve të tij dhe hyrjen në gëzimin e përjetshëm.

Shokët e tij të udhëtimit, fillimisht menduan se, sipas zakonit të tij, Bonifati duhej të gjendej në ndonjë tavernë apo në vende të tjera të shthurura, por më pas nisën të shqetësoheshin për mungesën e tij të gjatë dhe filluan kërkimet. Ata takuan rastësisht në qytet vëllanë e xhelatit që i kishte prerë kokën Bonifatit dhe ai u tha se pikërisht një natë më parë, kishin ekzekutuar një romak, që dukej se i përputhej përshkrimit të bërë të shokut të tyre. Edhe pse u dukej e pamundur që martiri në fjalë të ishte Bonifati, ai njeri i shthurur, ata shkuan me vrap në amfiteatër dhe gjetën të habitur aty trupin e tij, të cilin e blenë për 50 lira ari dhe e çuan me nderime të mëdha në Romë.

Një engjëll i Zotit, iu shfaq atëherë Agllaisë dhe i tha: “Ngrihu për të takuar atë që ishte shërbëtori yt dhe shoku yt i shthurjes dhe tani është bërë vëllai ynë. Prite si zotërinë tënd, sepse, falë atij, të gjitha mëkatet e tua të janë falur”. Në kulmin e gëzimit, ajo mblodhi një shpurë tërë shkëlqim për ta pritur, sipas profecisë së pavullnetshme, trupin e shën Bonifatit, disi më larg Romës, në një vend ku më pas ajo ndërtoi një kishë të bukur dhe të madhe në nder të tij, në të cilën janë kryer shumë mrekulli. Agllaia, në vazhdim, hoqi dorë nga nderimet e botës, ua shpërndau pasurinë të varfërve dhe iu përkushtua asketizmit e lutjes, duke fituar edhe fuqinë për të bërë mrekulli. Ajo fjeti në paqe në Zotin 13 vjet më vonë, me sigurinë se fëlliqësitë e jetës së saj të kaluar ishin shlyer, falë ndërmjetimit të shën Bonifatit.

 

* * * * *

– Oshënar Grigjenti i Etiopisë –

Shën Grigjenti lindi në qytetin e Milanos, në fund të shekullit të 5-të dhe u rrit nga prindër shpresëtarë. Solli shpejt fryte, sepse ishte tokë e mirë, kështu që virtytet lulëzuan shpejt tek ai. U hirotonis dhjak kur mbushi moshën e kërkuar nga kanonet e shenjta, dhe ia kushtoi aq shumë jetën kreshmimit dhe mundimeve të tjera asketike, saqë Perëndia kryente mrekulli dhe shenja nëpërmjet tij. Një asket i shenjtë që jetonte afër qytetit e mësonte të riun në theologji dhe profetizoi se ai ishte i thirrur të bëhej episkop në Arabinë e largme të Jugut, gjë që ishte konfirmuar nga një vizion i apostull Petros.

Rreth vitit 526, mbreti Elesbaan (Kaleb Ella Asbeha) i Aksumit (Etiopi), me inkurajimin e perandorit romak Justin I (518-27), kreu një ekspeditë ushtarake të suksesshme nëpërmjet Detit të Kuq në Himyar (Jemen), ku pushtetari i vendit, Dhu-Novas, një i konvertuar në Judaizëm, kryente persekutime të mëdha kundër të krishterëve dhe i masakronte në provincën e Najranit. Pasi pushtoi vendin, Elesbaani caktoi një nënmbret nga Aksumi dhe rivendosi Krishterimin. Ai ishte aq i zellshëm për besimin e krishterë, sa ndihmoi me duart e tij për themelimin e një kishe kushtuar Trinisë së Shenjtë, ndërtuar pranë pallatit mbretëror në Safar, kryeqyteti i vendit. Ai i shkroi Timotheut III, patriarkut të Aleksandrisë, duke i kërkuar që të dërgonte një njeri besimtar, me frikë Perëndie, të mbushur me zell apostolik, si episkop për Kishën e Himiarit, e cila ishte e dobët dhe e çorganizuar pas persekutimit judeas.

Duke mos pasur mundësi të gjente një kandidat, patriarku nisi të lutej. Në mbarim të natës, ungjillori i shenjtë Mark, themeluesi dhe mbrojtësi i mitropolisë së Afrikës, iu shfaq atij dhe i tregoi zgjedhjen e Perëndisë, që ishte i riu italian Grigjenti, i cili ndodhej në Aleksandri në ato ditë me një mikun e tij të krishterë. Shumë i gëzuar, patriarku dërgoi të gjenin Grigjentin, e informoi për zgjedhjen e Perëndisë dhe, pasi kaloi disa ditë me të në një bisedë të ngrohtë atërore, e ngriti në rangun e episkopit dhe e dërgoi me një shpurë të mjaftueshme në mbretërinë e Himyarit. Bariu i ri u fronëzua episkop i Safarit në mes të gëzimit të madh të banorëve. Në vazhdim nisi të mësonte dhe të fuqizonte popullin në besimin e tij dhe të fuste zakone e të ndërtonte institucione të krishtera. Ai dorëzoi një numër të madh priftërinjsh e dhjakonësh për të ripërtërirë jetën e krishterë në mbarë vendin dhe u mor vetë me sfidën e judaizmit, që ishte i përhapur më gjerësisht në mes të popujve të Arabisë Felikse.

Me një shpirt të pastruar prej asketizmit shumëvjeçar, shën Grigjenti zotëronte një njohje të thellë dhe shumë të gjerë të Shkrimit të Shenjtë, më të lartë se ajo e drejtuesve të Sinagogës, të cilët i mposhti pareshtur, i armatosur vetëm me fjalën e Perëndisë, e cila është më e mprehtë se shpata me dy tehe (Hebr. 4:12). Asgjë nuk mundej dot ta ndalte atë, as sofizmat komplekse, as citimet e marra gabim nga pasazhe të paqarta të Dhiatës së Vjetër. Fjala e tij kumbonte si një bronz i kalitur më së miri dhe ai i detyronte kundërshtarët e tij të pranonin Fjalën e mishëruar të Perëndisë ose të zbulonin para të gjithëve besimin e tyre të gabuar dhe ngurtësinë e zemrës së tyre.

Me rabinin e ditur, Herban, shenjtori bëri një diskutim me argumente dhe citime nga Shkrimi i Shenjtë në një debat të hapur e të fortë, që zgjati shumë ditë, pa bërë aspak pushim. Asgjë nuk dukej se ishte e mjaftueshme për të hedhur poshtë kokëfortësinë e kundërshtarit të tij, i cili, pasi i shteroi të gjitha argumentet e tij, tha me zë të lartë: “Përse duhet të harxhojmë më tepër kohë me argumente që nuk na vlejnë? Nëse Jisui, që u kryqëzua prej stëretërve tanë është, si ti thua, i gjallë dhe për më tepër Biri i Perëndisë, le ta shikoj Atë dhe do të besoj tek Ai!”. Meqë hebrenjtë e tjerë iu bashkuan kësaj kauze të Herbanit, shën Grigjenti u tërhoq për disa çaste dhe bëri një lutje te Zoti. Pastaj dheu u lëkund, qielli u hap dhe Krishti u shfaq Vetë në tërë lavdinë, që ka për ta shoqëruar në Ardhjen e Dytë, duke i rrëzuar përtokë dhe duke i verbuar jobesimtarët por, në anën tjetër duke i mbushur me dritë dhe gëzim të krishterët, si një parashijim i të mirave të jetës së përjetshme.

Shenjtori u shpjegoi hebrenjve të tmerruar se ata u verbuan për shkak të pabesisë së tyre dhe se do të binin në errësirën e përjetshme në Ditën e Gjyqit, nëse nuk pendoheshin dhe nuk besonin te Shpëtimtari. Një prej tyre vendosi të pranonte Pagëzimin e shenjtë dhe doli prej banjës së rilindjes plot gëzim, duke rigjetur përsëri dritën e syve truporë, pasi u ndriçua me dritën shpirtërore. Ai u ndoq nga më shumë se 5.000 hebrenj dhe nga vetë Hebrani, i cili, ngaqë shfaqi një pendim shembullor, mori emrin e Leonit dhe u bë një prej këshilltarëve më të afërt të mbretit.

Në vazhdim, shën Grigjenti hartoi një kod ligjesh që rregullonte sjelljen dhe zakonet e të krishterëve. Kishat u shumëfishuan dhe mbreti, nën drejtimin e tij shpirtëror, hapi spitale të shumta dhe fondacione bamirësie. Pas vdekjes së mbretit, biri i tij, Erdidos, vazhdoi me devotshmëri të madhe veprën e ndërmarrë nga i ati.

Pasi i mbushi të gjithë me mrekulli dhe hire shpirtërore gjatë viteve të shumta të episkopatës së tij, Grigjenti, ky apostull i ri, fjeti në Zotin me një vdekje të shenjtë më 19 dhjetor 552 dhe u vajtua nga i gjithë populli i mbledhur në funeralin e tij. Kisha e Mbretërisë së Arabisë së Re vazhdoi ekzistencën e saj në paqe, derisa u zhduk përfundimisht nga batica myslimane (rreth vitit 632).