– Ungjilli – Marku 14:1 – 11.

Edhe pas dy ditësh ishte pashka dhe të pabrumëtat; edhe kryepriftërinjtë e shkruesit kërkonin si ta kapin me mashtrim dhe ta vrasin.

Edhe thoshin: Jo të kremten, se mos bëhet trazirë në popull.

Edhe ndërsa ai ishte në Betani, në shtëpinë e Simon lebrozit, duke ndenjur në tryezë, erdhi një grua që kishte një alabastër me miro nardi të pastër shumë të shtrenjtë; edhe si e theu alabastrin, e derdhi mbi kryet e tij.

Edhe ishin disa që zemëroheshin në veten e tyre e thoshin: Pse të humbasë kjo miro?

Sepse kjo miro mund të shitej mbi treqind dinarë dhe t’u jepeshin të varfërve; edhe e qortonin ashpër atë.

Po Jisui tha: Lëreni; pse e mundoni? Punë të mirë bën për mua.

Sepse të varfërit i keni gjithnjë me vete, edhe kur të doni, mund t’u bëni mirë atyre; po mua nuk më keni gjithnjë.

Atë që mundi, ajo e bëri; arriti që përpara të lyejë me miro trupin tim për varrimin.

Me të vërtetë po ju them juve: Kudo që të predikohet ky ungjill në gjithë botën, edhe ç’bëri kjo do të flitet për kujtim të saj.

Edhe Juda Iskarioti, një nga të dymbëdhjetët, shkoi te kryepriftërinjtë që t’ua dorëzojë atë atyre.

Edhe ata kur dëgjuan, u gëzuan; edhe iu zotuan t’i japin argjende. Edhe ai kërkonte sesi në kohën e duhur ta dorëzojë atë.