– Dëshmorët Thirski, Lefki, Kaliniku –

Gjatë persekutimit të Decit (250), Kumbriku u dërgua si guvernator i Bitinisë për të torturuar dhe vrarë të krishterët e qyteteve të Nikomedisë, Nikeas dhe Qesarisë. Një fisnik i krishterë i Qesarisë, që quhej Lefki, u zemërua aq shumë nga bëmat e përgjakshme të guvernatorit, saqë i doli përpara duke e qortuar me zë të lartë: “ O qen i pangopur, për sa kohë do të derdhësh gjak si ujë duke vrarë pa mëshirë dishepujt e Krishtit, ngaqë dëshiron që ata t’u falen gurëve dhe drurëve sikur të ishin perëndi?”. Guvernatori, i tërbuar nga guximi i tij, e rrahu derisa ia bëri mishin copa-copa. I egërsuar në kulm, urdhëroi xhelatët t’ia prisnin kokën.

Të tmerruar nga lajmi i martirizimit të Lefkit, të krishterët kërkuan të gjenin mbrojtje nëpër shpella e male, përveç Thirsit, i cili shquhej për trimëri. Ai shkoi vetë përpara tiranit dhe i kërkoi ta dëgjonte në audiencë. Duke i folur me qetësi dhe i bindur në ato çka thoshte, u përpoq t’i tregonte se sa e dëmshme është për njerëz të pajisur me arsye që të adhurojnë krijesat pa arsye dhe elementet e natyrës. Ai u mbështet në dëshmitë e Shkrimit të Shenjtë, por e gjithë përpjekja e tij shkoi kot në këtë rast. Kumbriku nuk donte as të dëgjonte dhe as të arsyetonte, por i kërkoi që t’i bindej verbërisht vullnetit dhe urdhrit të perandorit. Thirsi, i lidhur kokë e këmbë, iu dorëzua egërsisë së torturuesve. Ata e rrahën derisa u lodhën vetë; i dërrmuan brinjët; i nxorën jashtë sytë dhe i derdhën sipër trupit plumb të shkrirë. Por shenjtori qëndronte i pamposhtur ndaj këtyre torturave, sepse mbrohej nga Hiri i Perëndisë që e rrethonte si një parzmore e padukshme dhe madje i rrëzoi edhe idhujt që ishin aty, me anë të lutjes së tij. Kur e çuan në qeli, u vizitua nga vetë Zoti Jisu Krisht që i dha guxim dhe kurajë për betejën dhe e çoi pranë një episkopi për të marrë Pagëzimin e shenjtë, si përgatitje për Pagëzimin e vërtetë me gjakun e martirizimit.

Thirsi u torturua edhe në Apamea kur mbërriti atje Silvani, zyrtar perandorak, i cili po bënte një udhëtim për të inspektuar krahinat e ndryshme, para të cilit Kumbriku donte të shfaqte tërë zellin e tij. Por përsëri shenjtori qëndroi i palëkundur në pohimin e besës së krishterë. Për më tepër u tha të 2 zyrtarëve se vdekja e tyre ishte shumë e afërt. Kjo gjë ndodhi dhe ata u zëvendësuan nga një i tretë që quhej Babdus, i cili e hodhi Thirsin në det të mbyllur në një thes, por martiri i pamposhtur u shpëtua nga një engjëll. Më pas u mor nga Apamea dhe u çua në qytetin e tij të lindjes, në Qesari, që ta hidhnin në gropën e luanëve. Por edhe në këtë rast torturuesit e tij dështuan, sepse luanët erdhën dhe nisën t’i lëpinin këmbët Thirsit e të luanin rrotull tij.

Atëherë tirani e transferoi shenjtorin në një qytet të vogël të Bitinisë, që quhej Apollonia, ku iu nënshtrua përsëri torturave. Një prift idhujtar që quhej Kalinik, duke parë qëndrueshmërinë e shenjtorit dhe mrekullitë që kryheshin nga hiri i Perëndisë, e kuptoi fuqinë e madhe që të krishterët e marrin nga Perëndia i Vetëm, Krijuesi dhe Zoti i të gjitha gjërave. Prandaj i doli përpara guvernatorit dhe u tall me kotësinë e kultit perandorak. Për këtë arsye, u arrestua dhe u dënua të vdiste bashkë me Thirsin. Kalinikut i prenë kokën, ndërsa Thirsin, pasi e futën në një kuti të ngushtë druri, e vranë duke e sharruar me ngadalë.

* * * * *

– Dëshmorët Filemoni, Apolloni, Ariani –

Kur persekutimi i Dioklecianit në tërë perandorinë (305) ishte në kulmin e tij, 37 të krishterë nga qyteti i Tebës në Egjipt, midis tyre anagnosti Apollon, i burgosën në Aleksandri dhe më pas i nxorën përpara guvernatorit Arian. Apolloni u frikësua përpara torturave, por njëkohësisht nuk donte të mohonte besimin. Prandaj i kërkoi njërit prej gardianëve, kitaristit Filemon, të vishte rrobat e tij dhe t’u sakrifikonte idhujve në vend të tij, duke e shpërblyer për këtë me 4 monedha ari. Filemoni e pranoi këtë propozim, por në çastin kur po vishte rrobat e Apollonit u mbulua nga hiri dhe besoi te Krishti me gjithë zemër, kështu që nuk pranoi t’i ofronte sakrificë në emër të Apollonit dhe vendosi të pohonte besimin e shenjtë.

Ndërkohë guvernatori çoi njerëz të thërrisnin Filemonin, për të luajtur muzikë përpara të burgosurve dhe t’u rikujtonte edhe një herë kënaqësitë e kësaj bote, që të detyroheshin të mohonin besimin te Zoti. Filemoni në ato çaste deklaroi me zë të lartë, në mes të amfiteatrit, se ai ishte kitaristi dhe se mohonte kultin e perandorit dhe pohonte Krishtin Perëndi. Paganët u përpoqën ta bindnin se ai nuk kishte të bënte me të krishterët, pasi nuk ishte i pagëzuar dhe se nuk mund të quhej i krishterë. Por vendosmëria e Filemonit ishte e palëkundur. Ai mori Pagëzimin e shenjtë me një mrekulli: bëri të binte shi prej qiellit vetëm përmbi atë dhe, me anë të lutjes së tij, u konsumuan 4 monedhat e arta që kishte marrë prej Apollonit me anë të një zjarri të mistershëm. Kjo ndodhi që të mos ekzistonte edhe hija më e vogël e dyshimit mbi seriozitetin e konvertimit të tij në të krishterë.

Apolloni, i cili ishte strumbullari i tërë kësaj ndodhie, u thirr përpara gjykatësit, ku pohoi Krishtin me burrëri dhe u bë gati të duronte të gjitha torturat. Ata i prenë kyçet e këmbëve dhe e tërhoqën zvarrë në tërë qytetin. Ndërsa Filemonin e varën në një pemë ulliri dhe i gjuanin me shigjeta, por ato nuk e godisnin, edhe pse njëra prej tyre i nxori syrin guvernatorit. Duke ndier dhembshuri për të, Filemoni paratha se pas vdekjes së martirëve, ai do të rifitonte syrin, nëse do ta fërkonte me dhé nga varri i tyre.

Dy shenjtorëve iu pre koka dhe kështu ata patën një fund të lavdishëm. Jo shumë kohë më pas, Ariani fitoi shikimin, sipas asaj që i kishte parathënë Filemoni dhe ai pohoi besimin bashkë me 4 truprojat e tij. Kur dëgjoi për pagëzimin e tij, Diokleciani i arrestoi të pestë dhe urdhëroi që Ariani të lidhej kokë e këmbë dhe të hidhej në një pus të thellë, me një gur të rëndë të lidhur në qafë. Pusi ishte mbushur me dhé dhe perandori vuri fronin e tij përmbi të, duke deklaruar me të madhe: “ Tani do ta shikojmë nëse Perëndia i tij do të vijë dhe do ta nxjerrë atë prej pusit”. Por kur u kthye në pallat dhe hyri në dhomën e gjumit, ai pa gurin dhe zinxhirët e Arianit të varur sipër shtratit të tij dhe shenjtorin që po qëndronte shtrirë mbi shtrojat. I tmerruar nga kjo pamje, tirani u tërhoq në një qoshe, por, pasi e mblodhi veten, thirri rojat dhe i urdhëroi të flaknin magjistarin dhe 4 shokët e tij në det të futur brenda thasëve me rërë.

Meqë Perëndia donte që lipsanet e tyre të mos humbisnin, Ai dërgoi një delfin të madh për të mbledhur thasët dhe për t’i nxjerrë në breg pranë Aleksandrisë. Aty u mblodhën nga shërbëtorët besnikë të Arianit, që u lajmëruan nga zotëria i tyre me anë të një ëndrre dhe u sollën me triumf të madh në Antinoe.