– Apostulli – Galatianëve 4:22-27.

 

Sepse është shkruar se Abrahami pati dy bij, një prej shërbëtores, dhe një prej së lirës; por ai që lindi prej shërbëtores lindi sipas mishit; edhe ai prej së lirës, lindi me anë të premtimit. Këto tregojnë një kuptim tjetër; sepse këtu janë të dy dhiatat, njëra nga mali Sina, që lind për skllavëri, që është Agara.

Sepse Agara është mali Sina në Arabi, edhe përkon me Jerusalemin e sotëm, edhe është në skllavëri bashkë me të bijtë.

Po Jerusalemi i sipërm është i lirë, i cili është nëna e ne të gjithëve. Sepse është shkruar: “Gëzohu ti, o shterpë që nuk lind; bërtit e thërrit ti që nuk ke dhimbje lindjeje, sepse djemtë e shkretëtirës janë më shumë se të asaj që ka burrin”.