– Oshënar Ambrozi i Milanos –

Ky atë i famshëm, një pishtar i ndezur nga drita e pakrijuar, emri i të cilit të sjell në mendje pavdekësinë hyjnore, vinte nga një familje e rëndësishme patricësh romakë që ishin konvertuar në Krishterim. Ai lindi në vitin 339 në Augusta Treverorum (Trier) ku ati i tij ishte prefekt i lartë i Galisë. Pas vdekjes së tij, e ëma u kthye në Romë me 3 bijtë e saj të rinj, Ambrozin, Marcelinusin dhe Satirusin, që do të nderoheshin më vonë të 3 si shenjtorë.

Një ditë, kur Ambrozi ende foshnjë ishte në djep, iu sul një tufë bletësh që fluturuan rreth tij, madje iu futën edhe në gojë dhe pastaj ikën lart në qiell, shenjë kjo e elokuencës së tij në të ardhmen, që ishte një dhuratë qiellore. I shkolluar në mënyrë të shkëlqyer prej mësuesve më të mirë, ai shfaqi një aftësi të madhe në të gjitha degët e shkencës dhe u admirua shpejt si një orator i përsosur. Pasi mbaroi studimet në drejtësi, ai u caktua guvernator i Emilias dhe i Ligurias nga perandori Valentian I (375) dhe shkoi të banonte në Milano, kryeqytetin e asaj province. “Të qeverisësh më tepër si një episkop, sesa si një gjykatës!” i tha në mënyrë profetike guvernatori Probus kur mori detyrën, pa i kuptuar as vetë ato që po i thoshte në ato çaste. Vërtet, urtësia dhe virtytet e Ambrozit të ri fituan shumë shpejt simpatinë dhe mirënjohjen e popullit.

Gjatë atyre ditëve, herezia e fortë arianiste e kishte përçarë Kishën me një mënyrë mizore, me gjithë përpjekjet e bëra në shumë vite duke nisur nga Sinodi i Nikeas në vitin 325. Veçanërisht në Lindje, mbështetja e perandorit Valens (364-78) i kishte dhënë herezisë një frymëmarrje të re.

Pas vdekjes së Auksentit, episkopit arianist të Milanos në vitin 373, u bë një takim në katedrale për të caktuar episkopin e ri të qytetit. Por mosmarrëveshja midis arianistëve dhe orthodhoksëve ishte aq e madhe, saqë nuk ekzistonte mundësi marrëveshjeje. Më pas iu bë një apel guvernatorit të qytetit, që të vinte dhe të mbante rregullin gjatë mbledhjeve. Fisnikëria, bindja e fortë dhe shpirti paqësor i Ambrozit shkaktuan përshtypje kaq të madhe te të gjithë besimtarët, saqë ata thirrën me një zë të vetëm: “Ambrozin duam për episkop!”. Por ai kundërshtoi për këtë gjë duke thënë se ishte ende një katikumen sepse në këtë kohë ekzistonte zakoni i shtyrjes në kohë të Pagëzimit nga frika se mos katikumeni ndotej me mëkate dhe u tërhoq në pallatin e tij, i ndjekur nga turma që thërriste po të njëjtën gjë.

Atë natë mori kalin dhe donte të ikte, por humbi rrugën dhe në mëngjes u gjet përsëri në vendin nga ku ishte nisur. Ai i shkroi perandorit përpjekjen e tij për t’iu shmangur episkopatës, por perandori Valens, që zakonisht nuk interesohej për çështjet e fesë, ishte shumë në favor të zgjedhjes së tij. Duke iu nënshtruar më në fund vullnetit të Perëndisë, avokati 34-vjeçar u dorëzua episkop 8 ditë pas Pagëzimit të tij, duke kënaqur si orthodhoksët, ashtu edhe arianistët.

Duke hequr dorë nga tërë pasuritë, kënaqësitë dhe privilegjet e shtresës së tij, Ambrozi iu përkushtua tërësisht Perëndisë dhe njeriut. Ua shpërndau pasuritë e tij të varfërve e kishës dhe, duke mos ruajtur asgjë për vete, ai e kalonte tërë javën në kreshmë të fortë. Gjatë natës lutej dhe studionte me zell Shkrimin e Shenjtë dhe Etërit e Kishës, ndërsa ditën merrej me punët e ndryshme të Kishës dhe drejtimin e grigjës së tij shpirtërore. Nën drejtimin e priftit Simplicien, ai fitoi një njohje të thellë të Etërve të Kishës, (veçanërisht të Origjenit) dhe u angazhua me zell të madh në mbrojtjen e besimit të vërtetë orthodhoks. Kjo gjë shkaktoi një pështjellim të madh tek arianistët, të cilët e kishin pranuar me dëshirë zgjedhjen e tij si njeri modest, duke shpresuar se do ta bënin më pas veglën e tyre.

I palodhur në shkrimet dhe predikimet e tij, episkopi i Milanos u tregua për 25 vjet me radhë mbrojtës i pamposhtur i Orthodhoksisë në Perëndim, pas shën Ilarionit, dhe e bëri dioqezën e tij, e cila ishte shpallur kryeqendra e perandorisë së Perëndimit që nga viti 381, mitropolinë ku vendoseshin të gjitha çështjet që kishin lidhje me dioqezat e Italisë, Panonisë, Dakisë dhe Maqedonisë. Duke e kundërshtuar me forcë perandoreshën Justina dhe rrethin e princit trashëgimtar Valentiniani II, të cilët ishin mposhtur nga herezia, Ambrozi arriti të fitonte interesimin dhe besimin e perandorit të Perëndimit, Graciani (375-383), falë të cilit ai arriti të mblidhte edhe Sinodin e Sirmiumit (korrik 378) dhe të dekretonte ligje që ndalonin arianizmin.

Pas vdekjes së Valensit (379), perandoria e Lindjes kaloi në duart e shën Theodhosit (17 janar), i cili kishte dashuri dhe respekt për episkopin e shenjtë. Thellësisht orthodhoks, perandori i ri mblodhi Sinodin e madh dhe të shenjtë të Konstandinopojës (Sinodi II Ekumenik) në korrik 381, gjatë të cilit Gracieni, i këshilluar nga Ambrozi, mblodhi Sinodin e Akuilas, i cili shënoi fundin e arianizmit në Perëndim.

Por kjo miqësi me princat, nuk bëri të humbte tek Ambrozi ndjenja e pavarësisë së Kishës ndaj pushtetit civil. I shtyrë nga nëna e tij ariane, Justina, Valentiani II i dha një ditë episkopit të shenjtë urdhër të lironte kishën e tij. “Shkoni t’i thoni zotërisë suaj” u tha Ambrozi të dërguarve të perandorit, “që një episkop nuk e dorëzon kurrë kishën e Perëndisë!”. Ai u mbyll në kishë i rrethuar nga populli i tij, që kishte vendosur të vdiste bashkë me të. Dhe, nga e Diela e Dafinave deri të Enjten e Madhe, ai u rezistoi në këtë mënyrë ushtarëve që kishin rrethuar kishën, duke pasur armë të tij predikimin e zjarrtë dhe këndimin e psalmeve dhe të himneve.

Disa vite më vonë, kur ndodhej në majë të lavdisë së tij, Theodhosi shtypi me mizori të padëgjuar një kryengritje që kishte shpërthyer në Selanik dhe kishte masakruar më shumë se 7.000 veta. Lajmi mbërriti deri në Milano dhe, kur perandori që po vizitonte metropolin italian erdhi te dera e kishës ku meshonte Ambrozi për të marrë pjesë në Liturgjinë Hyjnore, episkopi i shenjtë, duke u bërë zëdhënës i zemëratës hyjnore, nuk pati frikë që t’i ndalonte hyrjen në kishë perandorit. Për më tepër i ndaloi kungimin për 8 muaj. Duke respektuar disiplinën e Kishës, sovrani, përpara të cilit trembej mbarë bota e atëhershme, u tërhoq duke qarë në pallatin e tij perandorak dhe iu nënshtrua me përulësi pendesës publike. Ditën e Krishtlindjes, ai erdhi përsëri në kishën e shenjtë, u shtri përdhé në këmbët e Ambrozit, duke e njomur dyshemenë me lot dhe kërkoi të pranohej përsëri në kungimin e Mistereve të Shenjta.

Pasi mori faljen e episkopit, në momentin e kungimit, ai hyri në altar për t’u kunguar bashkë me klerikët e tjerë sipas zakonit në Konstandinopojë. Por shërbëtori i Perëndisë, Ambrozi, u kthye nga ai dhe e përuli publikisht për herë të dytë duke e larguar që nga altari dhe duke i thënë: “Dil që këtu dhe qëndro në mes të laikëve, sepse porfira jote nuk bën priftërinj, por perandorë”. Pa i kthyer përgjigje, Theodhosi doli nga altari dhe zuri vendin e tij në rangun e të penduarve, sepse ndiente një respekt shumë të madh për Ambrozin. Kur u kthye në Konstandinopojë, nuk u fut kurrë në altar për t’u kunguar.

Familjar me princat dhe të mëdhenjtë e kësaj bote, Ambrozi tregonte kujdesin më të veçantë edhe për më të voglin, sipas kësaj bote. Kur një mëkatar vinte tek ai për t’u rrëfyer, ai e përqafonte dhe e lante me lotët e tij. Mbrojtës i zjarrtë i pendimit, ai ktheu një numër të madh paganësh nga errësira në dritë dhe i inicioi në misterin e madh të Krishterimit, si me predikimet e tij publike, ashtu edhe me bisedat private. Më i famshmi ndër nxënësit e tij është shën Augustini (15 qershor) i cili, falë episkopit të Milanos, mundi të shpëtonte nga kthetrat e manikeizmit dhe të hynte përfundimisht në Kishë, ku shërbeu me shkëlqim të madh. Falë shën Ambrozit, u kthye edhe mbretëresha e fisit gjermanik të makromanëve, e cila u pagëzua prej tij dhe tërhoqi edhe popullin e saj në besimin e vërtetë.

Me gjithë punët e tij të shumta, ky bari i shenjtë gjeti kohën për të kompozuar vepra të shumta, kryesisht shpjeguese dhe morale, në të cilat ai shfaq kulturën e lartë që zotëronte, si të shenjtën, ashtu edhe atë profane, dhe kjo vepër kontribuoi shumë në përhapjen e doktrinës së Etërve të Lindjes në botën latine. Përveç veprës së tij oratorike, Ambrozi pasuroi Kishën edhe me himne të mrekullueshme liturgjike, të destinuara që të psalen nga populli në dy kore antifone, që ishin nga elementet më të pasura të liturgjisë latine për shumë shekuj.

Shën Ambrozi fjeti paqësisht në Zotin, më 4 prill 397, 2 vjet pas mikut dhe nxënësit të tij, perandorit Theodhos, për të cilin mbajti edhe fjalimin varrimor. Trupi i tij prehet edhe sot në katedralen e Milanos.

* * * * *

– Oshënar Grigori në Athos –

I lindur në fillim në shekullit të 14-të në një krahinë të panjohur të Ballkanit (ndoshta të Serbisë), shën Grigori dëgjoi të flitej, ndërsa ishte shumë i ri, për virtytet e shën Grigor Sinaitit (6 prill) dhe rendi të bashkohej me nxënësit e tij. Pas fjetjes së këtij rinovuesi të jetës hesikaste në Malin e Shenjtë dhe në Ballkan, Grigori erdhi nga Konstandinopoja dhe takoi shën Romilin në Parori të Thrakës, pranë kufirit midis Bullgarisë dhe Bizantit (viti 1350).

Por ca kohë më vonë, iu desh të braktisnin vendin ku asketizonin, për shkak të sulmeve turke dhe të gjenin strehë në Zagori, në shoqërinë e atit të tyre shpirtëror jerond Ilarioni. Më pas, Romili u nis për në Malin e Shenjtë, ku shkoi dhe takoi Grigorin, pas fjetjes së Ilarionit. Ata jetuan të dy bashkë në qetësinë dhe në luftërat e virtytit, jo shumë larg Lavrës së Madhe, në vendet e vetmuara më të largëta në jug të Athosit. Por dyndja e madhe e vizitorëve dhe e murgjve që vinin të kërkonin tek ata këshilla dhe ngushëllim, i detyroi të shkonin në një vend akoma më të izoluar.

Në vitin 1371, pas vdekjes së sundimtarit të Serbisë Joan Ugleshi, mbrojtësit të madh të Malit të Shenjtë, në mes të murgjve lindi një frikë e madhe për shkak të invazioneve turke dhe shumë prej tyre, si dhe shën Romili, braktisën Malin e Shenjtë. Shën Grigori qëndroi dhe themeloi pranë qelisë ku jetonte manastirin e Shën Nikollës, që sot quhet manastiri i Shën Grigorit. Por edhe ai u detyrua të largohej për shkak të kërcënimit turk dhe të gjente strehë në Serbi, ku sundonte princi Llazar (15 qershor), një njeri besimtar dhe mik i murgjve.

Llazari mbushi kodrat dhe malet e vendit të tij me shumë manastire për murgjit. Princi priti me shumë dëshirë shën Romilin, shën Grigorin dhe pjesën tjetër të murgjve që i kishin shoqëruar të quajtur edhe Sinaitë për shkak të besnikërisë së tyre ndaj mësimit të shën Grigor Sinaitit dhe kështu ata morën një vend të qetë dhe mikpritës pranë Braniçevos. Shenjtori u vendos në një shpellë, e cila u shndërrua shumë shpejt në një kishë dedikuar shën Nikollës dhe themeloi për nxënësit e tij manastirin e Gorniakut. Prej andej, “sinaitët” themeluan manastire të shumta në vende të tjera të Serbisë, duke përhapur në popullin orthodhoks të vendit traditën e lutjes mendore, të ardhur nga Athosi dhe Sinai.

Sipas disave, shën Grigori u kthye në manastirin që themeloi në Malin e Shenjtë, pak para fjetjes së tij në Zotin. Lipsanet e tij u ruajtën atje deri në djegien e manastirit në vitin 1761, pastaj u transferuan në Serbi, ku u zhvendosën shumë herë në vende të ndryshme, për t’u rivendosur përsëri në manastirin e Gorniakut. Një pjesë e këtyre lipsaneve është rikthyer në manastirin e Shën Grigorit, në Malin Athos.