– Apostulli – Galatianëve 3:23-4:5.

 

Edhe përpara se të vinte besimi, ruheshim nën ligj, të mbyllur brenda në besimin, i cili ishte për t’u zbuluar.

Prandaj ligji u bë mësuesi ynë në Krishtin, që të drejtësohemi prej besimit. Por si erdhi besimi, nuk jemi më nën mësues.

Sepse të gjithë ju jeni bij të Perëndisë me anë të besimit që është në Krishtin Jisu. Sepse sa u pagëzuat në Krishtin, në Krishtin u veshët.

Nuk ka më Jude as Grek; nuk ka më shërbëtor, as të lirë; nuk ka më mashkull e femër; sepse ju të gjithë jeni në Krishtin Jisu. Edhe në jeni ju të Krishtit, atëherë jeni farë e Abrahamit dhe trashëgimtarë sipas premtimit.

Edhe them se, sa kohë trashëgimtari është foshnjë, nuk dallon fare nga shërbëtori, ndonëse është i zoti i të gjithave; por është nën mbikqyrës e kujdestarë, deri në kohën e caktuar nga i ati.

Kështu edhe ne, kur ishim foshnja, ishim robër nën elementë te botës; po kur erdhi plotësia e kohës, Perëndia dërgoi të Birin, që lindi prej gruaje dhe që ishte nën ligj, që të shpërblejë ata që ishin nën ligj, që të marrin birësinë.