– Apostulli – 1 Thesalonikasve 4:1-12

Së fundi pra, o vëllezër, ju lutemi dhe ju nxisim me anë të Zotit Jisu, sikundër morët prej nesh se si duhet të ecni dhe t’i pëlqeni Perëndisë, kështu të teproni shumë e më shumë. Sepse e dini çfarë porosish ju lamë me anë të Zotit Jisu.

Sepse kjo është dëshira e Perëndisë, shenjtërimi juaj: të hiqni dorë nga kurvëria; të dijë gjithsecili prej jush të mbajë enën e tij me shenjtërim e me nder; jo në pësim dëshirimi, ashtu si edhe kombet që s’njohin Perëndinë. Të mos kapërcejë ndonjë e t’i bëjë keq të vëllait në këtë punë; sepse Zoti është shpagimtar për gjithë këto; sikurse edhe jua thamë juve më përpara, edhe me dëshmi jua vërtetuam.

Sepse Perëndia nuk na thirri në papastërti, po në shenjtërim. Prandaj ai që hedh tej këto, nuk hedh tej njeri, po Perëndinë, që na dha neve Frymën e tij të Shenjtë.

Edhe për dashurinë vëllazërore s’keni nevojë t’ju shkruajmë, se ju vetë jeni të mësuar prej Perëndisë që të doni njëri-tjetrin; sepse edhe e bëni këtë për të gjithë vëllezërit që janë në gjithë Maqedoninë.

Po ju lutemi, o vëllezër, të teproni në këtë shumë e më shumë. Edhe ta keni për nder të rrini urtë e të shikoni punët tuaja, edhe të punoni me duart tuaja, siç ju porositëm, që të ecni para atyre që janë jashtë siç ka hije, edhe të mos keni nevojë për asgjë.