– Apostull Andrea, i Parëthirruri –

Apostulli i lavdishëm i Krishtit, shën Andrea, ishte vëllai i shën Petros dhe vinte nga Betsaida, në bregun perëndimor të liqenit të Gjenesaretit. Ndryshe nga i vëllai, që ishte i martuar, kishte preferuar të ruante dëlirësinë dhe banonte në shtëpinë e Petros. Të dy vëllezërit ishin peshkatarë dhe ruanin Ligjin me devotshmëri. Kur shën Joan Pagëzori përshkoi Judenë dhe krahinat e Jordanit për të përhapur mesazhin e pendimit, Andrea vrapoi drejt tij, braktisi gjithçka që e mbante lidhur me botën dhe u bë dishepull i tij.

Por një ditë, pasi pagëzoi Jisuin, Joan Pagëzori bisedonte me Andrean dhe me dishepullin tjetër të tij, Joan Ungjillorin, dhe, duke u treguar Jisuin që kalonte jo larg nga ai vend, u tha: “Ja Qengji i Perëndisë!” (Jn 1.35). Pas këtyre fjalëve të mësuesit të tyre, i cili u tregoi Atë që pararendi Pagëzori, Joani dhe Andrea e pasuan Jisuin, që të mësonin më shumë për Të. Krishti u kthye drejt tyre e u tha: “Ç’kërkoni?”. Ata iu përgjigjën me respekt: “Mësues, ku banon?”, “Ejani të shihni”, tha Jisui. Shkuan me të ku banonte si i huaj dhe gjithë ditën i bënin pyetje. Nuk e kuptonin ende që ky ishte Shpëtimtari dhe Biri i Perëndisë, dhe as të dëshironin bëheshin dishepujt e Tij, por ndienin një tërheqje të papërshkrueshme drejt Tij.

Nga kjo bisedë, Andrea u bind se Jisui ishte Mesia i pritur prej shekujsh nga populli i tij, Shpëtimtari i botës. Duke mos e përmbajtur gëzimin, shpejtoi tek i vëllai, Simoni, dhe i tha: “E gjetëm Mesian!” (Jn. 1.41), pastaj e drejtoi te Jisui. Andrea ishte i pari që njohu Krishtin dhe ia shpalli atij që më vonë do të bëhej korifeu i grupit të apostujve, prandaj mori edhe emrin I parëthirruri.

Pastaj Andrea ndoqi Zotin kudo që shkonte, në qytete e fshatra, në male e shkretëtira, që të pinte nga lumi i ujërave të gjalla të fjalëve të Tij. Ishte i pranishëm kur u bë shumimi i bukëve (Jn. 6) dhe ndërmjetoi te Zoti, që të ushqente me bukë tokësore 5 000 burra. Andrea kishte miqësi të veçantë me shën Filipin, i cili ishte edhe ai nga Betsaida. Kur disa grekë i kërkuan Filipit të shikonin Jisuin, Filipi i tha Andreas, i cili kishte më tepër afërsi me Mësuesin (Jn. 12.20). Pas të tre apostujve, Petros, Jakovit dhe Joanit, dëshmitarë të shfaqjeve madhështore të hyjnisë së Zotit Jisu, ishte edhe Andrea, i cili edhe ai kishte njëfarë përparësie mbi dishepujt e tjerë.

Ai ishte dëshmitar i ngjarjeve të frikshme që shoqëruan Pësimin shpëtimtar të Zotit dhe ishte i pranishëm me të tjerët në shfaqjet e Tij pas Ngjalljes. Gjatë Pentikostisë mori plotësinë e Hirit të Shpirtit të Shenjtë dhe i ra në short ungjillëzimi i brigjeve të Detit të Zi (Ponti Efksin), Bitinia, Thraka dhe Greqia (Maqedonia, Thesalia dhe Akaia). Besnik në porositë e Zotit, s’mori me vete as bukë, as trastë, as shkop (Matth. 5) dhe u nis për të shpallur Lajmin e Mirë të Shpëtimit.

Është e pamundur të thuhen sa sprova dhe rreziqe përballoi: privime të çdo lloji, sëmundje, rreziqe nga kusarët, keqtrajtime nga judenjtë dhe paganët… Por kudo që shkonte Shpirti i Shenjtë e shoqëronte, fliste me gojën e tij, kryente mrekulli dhe shërime, i jepte durim dhe gëzim në mundime. Ishte pikërisht kjo fuqi e Perëndisë që banonte brenda tij, që tërhiqte turmat në besim. Kudo që shkonte, pasi ndriçonte mendjet e njerëzve me predikimin e tij, bënte që të rilindnin shpirtrat me banjën e Pagëzimit të shenjtë, hirotoniste priftërinj dhe episkopë, ndërtonte kisha dhe organizonte atje shërbesat.

Si fillim, shkoi në Amisos, në brigjet e Detit të Zi dhe ktheu shumë judenj, pastaj, me fuqinë e Perëndisë, shëroi ata që vuanin nga sëmundje të shumëllojshme. E vazhdoi misionin e tij në Trebizondë dhe Lazik dhe për Pashkë u kthye në Jerusalem. Prej andej u nis me shën Joan Theologun për në Efes dhe ungjillëzoi për disa kohë krahinat perëndimore të Azisë së Vogël. Kur ngjitej përsëri për në Propontidë dhe kur predikonte në qytetet e Nikeas, Nikomedisë, Kalqedonisë, Iraklias së Pontit dhe Amastridës iu desh të përballej me fanatikë të kulteve idhujtare dhe me argumentimet e gënjeshtërta të sofistëve, por i theu si njërën palë dhe tjetrën me urtësinë dhe mrekullitë e tij.

Kur arriti në Sinopë, çliroi me lutjen e tij apostull Mathian nga zinxhirët, por u zu rob nga paganët e tërbuar dhe vuajti shumë tortura: e hodhën përtokë, e godisnin të gjithë bashkë, madje i prenë një gisht me dhëmbë. Në të gjitha sprovat nuk kërkoi të arratisej, as të mbrohej, por i duronte të gjitha duke imituar Mësuesin e tij, Qengjin e Perëndisë, i Cili erdhi në tokë që të vuante e të ngrinte mëkatet e botës. Nga këmbëngulja e tij, durimi tejet i madh me xhelatët dhe nga mrekullitë e shumta që kryente, banorët e Sinopës u penduan, i kërkuan të falur dhe morën Pagëzimin e shenjtë.

Andrea caktoi episkopë dhe priftërinj në Sinopë dhe pastaj u nis në qytetet e Pontit, të cilat i kishte ungjillëzuar tashmë, që t’i forconte në besim. E vazhdoi predikimin e tij dhe i zmbrapsi paganët e urtë në qytetet e Neoqesarisë dhe të Samosatës, pastaj shkoi sërish në Jerusalem për Sinodin e Apostujve, që u thirr për çështjen e mënyrës së pranimit të ish-idhujtarëve në Kishë (Vep. 15.6).

Pas festës së Pashkës, shoqëroi për disa kohë Mathian dhe Tadeun nëpër Mesopotami dhe u nis të ungjillëzonte krahinat barbare në Lindje të Detit të Zi, në jug të Rusisë së sotme (Krimea, Jugu i Ukrahinës). Pastaj zbriti në Thrakë dhe ndriçoi me predikimin e tij zemrat e besimtarëve të qytetit të vogël të Bizantit. Ai themeloi aty një kishë kushtuar Hyjlindëses dhe la si episkop Stakin (31 tetor), një nga Shtatëdhjetë dishepujt. Më pas e vazhdoi udhëtimin e tij të palodhur në Thrakë, Maqedoni dhe Thesali dhe arriti deri në Peloponez, në qytetin e Patrës.

Në Patra, apostulli i shenjtë ktheu në të krishterë vetë gruan e kryekonsullit romak, Maksimilën, duke e çliruar nga një sëmundje e pashërueshme. U solli shumë të mira banorëve dhe për një kohë të shkurtër ngriti një komunitet me dishepuj të Krishtit. Gjatë mungesës së kryekonsullit, Igjiatit, ktheu edhe të vëllanë dhe zëvendësin e tij, Stratoklin. Kur Igjiati u kthye, u tërbua kur pa përparimin e Krishterimit, që kishte arritur edhe në shtëpinë e tij, prandaj e arrestoi apostullin. Ndonëse në burg, Andrea e vazhdoi predikimin dhe dorëzoi Stratoklin si episkop të Patrës.

Disa ditë më vonë, vendimi u mor pa gjyq dhe shenjtin e kryqëzuan me kokë poshtë. Sa i madh ishte gëzimi i tij, që po imitonte me të njëjtën mënyrë vdekjeje Zotin Krisht! Nuk i la shokët ta zbrisnin prej andej, i bekoi për herë të fundit besimtarët dhe dha shpirtin te Perëndia. Si ndëshkim të ligësisë së tij, kryekonsulli pësoi vdekje brutale. Episkop Stratokli, pasi ua shpërndau pasurinë të varfërve, ndërtoi katedralen e tij në të njëjtin vend ku apostulli u martirizua.

Shumë vite më vonë, më 3 mars 357, lipsanet e çmuara të shenjtit u transferuan nga Patra për në Konstandinopojë nga shën Artemi (20 tetor), me urdhër të perandor Konstancit, i biri i shën Konstandinit të Madh. Ato u vendosën bashkë me lipsanet e shën Llukait dhe shën Tadeut në kishën e sapondërtuar të Apostujve të Shenjtë. Pas 500 vjetësh, u kthyen në Patra, të dërguara nga perandori Vasili I Maqedonasi (867-886). Më pas, para kërcënimit të invazionit turk në Peloponez, iu dërguan Papa Piut II të Romës nga Despoti i Moresë, Thoma Paleologu, më 1460. Koka e shenjtorit u rikthye në Patra më 26 shtator 1964, për gëzimin e orthodhoksëve besimtarë.

Sipas një tradite sllave, shën Andrea mund të ketë ungjillëzuar deri në Rusi dhe Kisha Ruse mund të ketë pasur që atëherë një origjinë të hershme apostolike, identike me atë të Bizantit. Megjithatë, ajo i përket degës që doli nga shën Andrea, përderisa pas kthimit të saj, ajo ishte e varur për shekuj nga patriarkana e Konstandinopojës.

Sipas traditës perëndimore, shën Andrea nderohet edhe si mbrojtës i Skocisë. Gjatë Mesjetës atje numëroheshin më shumë se 800 kisha kushtuar të Parëthirrurit.

* * * * *

– Oshënar Frumenti i Abisinisë, Ndriçues i Etiopisë –

Nën mbretërimin e shën Konstandinit të madh (330), Mropius, një filozof nga Tiri i Fenikës, ndërmori një udhëtim zbulimi drejt tokave të panjohura të të lashtëve, që gjendeshin në brigjet e Detit të Kuq. Mori me vete dy fëmijë të krishterë, Frumentin dhe Edesin. Një ditë, kur ndaloi në port për të marrë ujë, anija e tyre u sulmua nga piratët dhe të gjithë anëtarët e ekspeditës u masakruan egërsisht, përveç dy fëmijëve.

Frumentin dhe Edesin i çuan në oborrin e mbretit të Abisinisë, ku edhe i mbajtën. Atje u dalluan për fisnikërinë e tyre dhe aftësitë që kishin, prandaj u bënë ekonomë të pallatit.

Më pas, Frumentit iu ngarkua edukimi i trashëgimtarit të ri të fronit. Ai kishte favore të mëdha te mbreti, kështu që fitoi lirinë për praktikimin e Krishterimit, i cili tashmë dëshmohej në mbretërinë e Aksumit nga disa tregtarë romakë. Disa vite më vonë, si u kthyen në Bizant, ata treguan aventurat e tyre. Edesi u kthye në Tir, në vendlindjen e tij dhe u bë prift, por Frumenti, i mbushur me zell apostolik, shkoi pranë Athanasit të Madh të Aleksandrisë. I raportoi hierarkut të shenjtë se në cilën gjendje paditurie ishin banorët e atyre krahinave të largëta dhe se sa etje kishin për Lajmin e Mirë. Athanasi, pasi e pa zellin e tij, e dorëzoi Frumentin episkop dhe e dërgoi me mision si episkopi i parë i Abisinisë, rreth vitit 350.

Me ndihmën e Hirit të shenjtë, Frumenti u bë apostull i vërtetë. Përktheu Shkrimin e Shenjtë në gjuhën vendase dhe mësonte pa pushim. Vraponte në qytete e shkretëtira dhe kudo kryente mrekulli e shërime, për t’u treguar idhujtarëve se fjala e Ungjillit ishte fuqi Perëndie. Ktheu në besim një shumicë të madhe idhujtarësh, ndërtoi kisha, por mbretëria e atij vendi u bë më vonë shtet i krishterë, në shekullin e 6-të.

Perandori heretik, Konstandi, nuk donte ta linte meritën dhe kontrollin e misionit të largët tek episkopi i Aleksandrisë dhe tek orthodhoksët. Kështu, kur e largoi Athanasin nga froni, i shkroi mbretit të Aksumit, Aizanit, ta dërgonte Frumentin në Aleksandri, ku episkopi arian do ta indoktrinonte. Ky mision u ndërmor nga episkopi heretik Theofil indiani, më 357, por ai u ndal në mbretërinë fqinje të Homeritëve, pa prekur territorin ku ungjillëzonte Frumenti. Episkopi i shenjtë fjeti në paqe më Zotin dhe lipsani i tij kryen shumë çudira. Nderohet si ndriçues i Etiopisë, ku e quajnë “Atë i Paqes”.