E Diela IX e Lukait, Efesianët 2:4-10 Tre Vdekjet, nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës & Kaninës, H. Ignati, 19.11.2022 (Tekst)

 

“Duke qenë të vdekur për fajet, na dha neve jetë bashkë me Krishtin”v.5

Pjesa e sotme e Apostullit ka të vërteta të përmbledhura me shumë mesazhe të cilat, kur i pranojmë, i shijojmë dhe i përjetojmë në jetën tonë, kemi dobi në shpirtin tonë dhe tek njerëzit që na rrethojnë.

I

Kur dëgjojmë fjalën “vdekje”, menjëherë mendja jonë shkon tek ndarja e shpirtit nga trupi, në fundin e kësaj jete mbi tokë. Sigurisht edhe kjo është vdekje, dhe nga kjo vdekje nuk mund të shpëtojë askush, sipas fjalës së Shkrimit të Shenjtë: “Është urdhëruar për njerëzit një herë të vdesin, dhe pastaj është gjyqi” Hebrenjtë 9:27. Pra, me frazën “Duke qenë të vdekur për fajet”, apostull Pavli, nuk nënkupton se kemi vdekur trupërisht.

Bashkë me vdekjen trupore, që është edhe kjo pasojë e mëkatit, rrjedhojë e shkeljes së të Parëgatuarve, ekziston edhe një vdekje më e frikshme, që quhet vdekje shpirtërore. Është e tmerrshme kjo vdekje, sepse shumë herë, ndërkohë që mjaftë njerëz ecin dhe lëvizin, janë të vdekur shpirtërisht, “të vdekur për fajet e tyre”. Ndërkohë që shumë njerëz, shëtisin, mendojnë, punojnë, qeshin, hidhërohen, argëtohen, kanë reshtur së jetuari shpirtërisht.

* * *

Por, si vjen kjo vdekje? Është shumë dinak mëkati, që sjell vdekjen shpirtërore të çdo njeriu. Vjen gjoja me synime miqësore, me pajtime të vogla, dhe njeriu e pranon mëkatin. Nëse nuk e largojmë menjëherë mendimin mëkatar, ai zbret në zemër. Miratohet nga dëshira e njeriut dhe pret kushtet e jashtme, që të kryhet. Përsëritja e shpeshtë e të njëjtit gabim, krijon pasionin, dhe pasioni “shkakton vdekjen shpirtërore”.

Janë shumë kategorike fjalët e frymëzuara nga Shpirti i Shenjtë, të apostull Jakovit, vëllait të Krishtit: “Askush, kur ngitet, le të mos thotë se ngitem nga Perëndia; sepse Perëndia nuk mund të ngitet nga të ligat,

dhe ai asnjë nuk nget. Po gjithsecili ngitet duke u tërhequr e duke u mashtruar nga dëshirimet e vetes së tij; pastaj dëshirimi, si të mbarset, lind mëkat, dhe mëkati, si të bëhet, lind vdekje.” Jakovi 1:13-15.

E imagjinoni dot deri ku arrin njeriu, përderisa vetë Jisu Krishti, tha se: “Kushdo që vë re grua me dëshirim, apo gruaja burrin, e ka shkelur kurorën në zemrën e vetë” Mateu 5:27-28. Por, përse? Sepse e kanë miratuar brenda tyre, sepse kanë dhënë pëlqimin e tyre, pavarësisht nëse nuk u realizua praktikisht; në thelb, edhe shpirtërisht, mëkati u realizua. Tek pasionet trupore, nevojitet largim rrënjësor nga shkaqet dhe rastet e së keqes, të mëkatit. Mëkati është zjarr dhe qiriri nuk reziston pranë tij, dhe shkrin.

* * *

O njeri i mjerë! Vetëm një derë do të të hapet, që të shkosh në një jetë tjetër; nuk do të ikësh që të shuhesh e të mos ekzistosh më. Atje do të torturohesh përjetësisht dhe nuk do të kesh mundësi të zgjedhësh, që të largohesh nga ajo jetë; sepse dënimi është i përjetshëm; sepse vdekja shpirtërore është e përjetshme, nuk është për një moment. Prandaj ki kujdes o njeri.

Përsëri, vetë Zoti i bie ziles së rrezikut dhe na vë përpara përgjegjësisë, duke thënë: “Në të skandalizoftë syri yt i djathtë, nxirre atë e hidhe prej teje; sepse është më mirë të humbasë një nga copat e trupit tënd, dhe të mos hidhet tërë trupi yt në gjehenë. Edhe në të skandalizoftë dora jote e djathtë, preje atë, dhe hidhe prej teje, sepse është më mirë për ty të humbasë një nga copat e trupit tënd, dhe të mos hidhet tërë trupi yt në gjehenë.” Mateu 5:29-30. Prandaj, kujdesu o njeri! Të intereson të privohesh nga miqësia dhe dobia e personit që të është i domosdoshëm sa sytë e tu, sa dora e djathtë dhe këmba e djathtë, që të mos hidhesh bashkë me atë në zjarrin e mundimit të përjetshëm. Nëse arrin në atë vdekje, ajo është shumë e tmerrshme dhe e përjetshme. Atje arriti i pasuri i shëmbëlltyrës dhe i lutej me lot Abrahamit, që të dërgojë Llazarin e të lagë pak gishtin me ujë, që t’i freskojë gjuhën. Luka 16:19-31.

II

Nga vdekja e mëkatit, vetëm Krishti na shpëton dhe mbjell brenda nesh farën e jetës së re. Ungjillori i hirshëm Joan, shkruan: “Në këtë u shfaq dashuria e Perëndisë tek ne, se Perëndia Birin e tij të vetëmlindur,

e dërgoi në botë, që të rrojmë me anë të tij.” I Jonai 4:9. Jeta e vërtetë e njeriut, është vetë Jisu Krishti. Bashkimi dhe komunikimi i pandërprerë i njeriut me Zotin bëhet burim jete.

Vepra e ringjalljes, e rilindjes së njeriut, që pruri dhe përuroi Krishti ynë, vazhdon edhe sot brena Kishës së Tij, me frymën e Shpirtit jetëbërës.

Hiri i Shpirtit të Shenjtë na rilind në momentin e Pagëzimit tonë të shenjtë dhe na fut në jetën e re të Krishtit. Si pjesëtarë të trupit të Kishës, mësojmë urdhrat jetëprurës të Zotit dhe bëhemi të aftë t’i zbatojmë. Gjithashtu, si anëtarë të Kishës, mund të marrim pjesë në hirin jetëbërës të Mistereve të shenjta, ku vepron fuqia e Shpirtit të Shenjtë. Si gjymtyrë të Kishës, denjësohemi të bëhemi pjesëmarrës në altarin mistik dhe jetëprurës, ku blatohet Trupi dhe Gjaku i Zotit, “për jetën dhe shpëtimin e botës” Joani 6:51, si “ilaç pavdekësie”, që të mos vdesim, por të rrojmë të bashkuar përgjithmonë me Jisu Krishtin, sipas shprehjes së bukur të hierodëshmorit të shenjtë Ignat Hyjmbajtësit.

* * *

Mundemi tashmë, edhe ne, të pohojmë bashkë me ungjillor Joanin: “E dimë se kemi shkuar prej vdekjes në jetë…” I Joani 3:14. Fitorja e Krishtit mbi vdekjen, është edhe fitorja jonë. Ekzistenca jonë e krishterë përbën kapërcimin e vdekjes. Është pjesëmarrje e vërtetë në jetën hyjnore të Jisu Krishtit të ngjallur. Kjo siguri që shpreh përvoja e krishterë, natyrisht nuk e anulon pritjen e Ngjalljes përfundimtare të të vdekurve, përgjatë Ardhjes së Dytë, por e shndërron që tani jetën tonë, në një jetë që i takon tashmë Krishtit, siç thotë diku tjetër Apostulli: “Jeta jonë është fshehur bashkë me Krishtin tek Perëndia.” Kolosianët 3:3. Shkruan edhe shën Makari i Egjiptit: “Ngjallja e shpirtrave të vdekur, që u ngjallën nga mëkati nëpërmjet pendimit, ndodh që tani. Por ngjallja e trupave, do të bëhet përgjatë ditës së Gjyqit të ardhshëm.

Shpëtimi ynë përbën një ngjarje të padiskutueshme. Sidoqoftë, për sa zgjat jeta e tashme, ne të krishterët kemi thjesht “unazën e trashëgimit tonë” Efesianët 1:14. Në plotësinë e tij, shpëtimi do të bëhet i yni, me Ardhjen e lavdishme të Zotit dhe Ngjalljen e përbashkët të trupave të vdekur. Atëherë, me të vërtetë, të gjithë të shpëtuarit do të ulen bashkë me Jisu Krishtin në “mbiqielloret”, “atje ku Krishti hyri për ne e na hapi udhën” Hebrenjve 6:20.

Deri atëherë do të jemi udhëtarë drejt sigurisë se, “në durofshim, kemi edhe për të mbretëruar bashkë me të”, siç na thotë në një vend tjetër Apostulli II Timoteu 2:12. Pjesëmarrja jonë në lavdinë e Krishtin në shekullin e ardhshëm, në përjetësi, ka si kusht pjesëmarrjen në pësimet e Tij, përgjatë jetës së tashme mbi tokë; “gëzohuni se jeni pjesëtarë të pësimeve të Krishtit, që të gëzoheni duke u ngazëlluar edhe në zbulimin e lavdisë së tij.” I Pjetri 4:13.

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

Tre vdekje, pra, na paraqet pjesa e sotme e Apostullit: vdekjen natyrore, vdekjen shpirtërore dhe vdekjen e përjetshme. Kështu, vdekja bëhet e pavdekshme. Të kujdesemi, pra, që të kemi jetë të pambaruar, të gëzuar dhe të lumtur. Të përdorim mjetet, që na jep Zoti ynë, siç i përdorën Shenjtorët e Kishës sonë, siç i përdorën Dëshmorët e besës sonë dhe u bënë të mrekullueshëm dhe të dashur nga Perëndia; u bënë shembuj për ne besimtarët. Le t’i imitojmë.

U bëftë!