– Profeti Abdi –
Nuk e njohim me saktësi origjinën e profetit Abdi, profecia e të cilit, më e shkurtra nga 12 profecitë e vogla (të Dhiatës së Vjetër), përmban kërcënimet kundër Edomit krenar dhe shpalljen e ditës së afërme të Zotit, kur kombet do të dënohen në zjarr dhe Izraeli do të shkëlqejë nga drita e Perëndisë, nga lartësia e malit mistik të Sionit.
Sipas disave, Abdiu ishte ekonomati i mbretit Ahab (i quajtur në tekstin hebre Obadiahu, 874-853 para Krishtit), i cili, kur Jezabeli masakroi profetët e Zotit, fshehu 100 nga ata në shpella, 50 e 50, dhe u jepte bukë e ujë (III Mbret. 18). I dërguar nga mbreti në kërkim të ushqimit për bagëtinë e uritur për shkak të thatësirës që erdhi nga Ilia, ai takoi profetin e madh, që i kërkoi të shkonte t’i shpallte mbretit vizitën e tij.
Në vazhdim, Abdiu la shërbimin pranë mbretit dhe u bë dishepull i Ilias. Atëherë shkroi edhe profecinë e tij.
* * * * *
– Episkop Filareti i Moskës –
Shën Fillareti ishte një nga figurat më të spikatura të Kishës ruse në shekullin e 19-të. Lindi më 1782 në Kolomna, pranë Moskës, në një familje priftërore dhe u pagëzua me emrin Vasil. Që në moshën 9-vjeçare hyri në seminarin lokal dhe vazhdoi më pas mësimet e tij kishtare në seminarin që ndodhej pranë Lavrës së Shën Trinisë Shën Sergj. Platoni, mitropoliti i Moskës, i cili qëndronte vazhdimisht në Lavër, i vuri re aftësitë e jashtëzakonshme të studentit të ri si për mësimin e gjuhëve të vjetra, ashtu edhe për teologji e poezi, ndaj dhe e mbante shumë pranë vetes. Me gjithë talentet që kishte, Vasili ishte i perëndishëm, i qetë dhe i thjeshtë, prandaj fitoi edhe vlerësimin e të gjithëve.
Pasi përfundoi studimet, i besuan mësimin e greqishtes, gjuhë që ai e shkruante dhe e fliste rrjedhshëm, si dhe të hebraishtes. Orator me plot finesë, që dinte të ndizte në shpirtra dashurinë për virtytet, shpejt u caktua predikues në Lavër dhe u emërua profesor i retorikës. Admiruesi i tij, mitropoliti i Moskës Platoni, i cili konsiderohej si një teolog i madh e orator, shkruan këtë për shenjtin: “Unë shkruaj si një njeri, por ai shkruan si një engjëll”. Pas një reflektimi të pjekur, shoqëruar me luftë të brendshme dhe me inkurajimin e mitropolitit, profesori brilant u qeth murg me emrin Fillaret dhe u dorëzua dhjak disa ditë më pas, më 1808.
Një vit më vonë u transferua në Seminarin e Shën Petërburgut, ku kreu funksionin e inspektorit dhe të profesorit të filozofisë dhe pasi u dorëzua edhe prift, dha mësim në Akademinë Theologjike: Shkrimin e Shenjtë, Histori Kishtare, Të Drejtën Kanonike si dhe Theologji Dogmatike. I vazhdonte predikimet e tij dhe zëri që kumbonte në katedralet më të mëdha tërhiqte admirues të shumtë. Mbante lidhje me shkrimtarët më të shkëlqyer të kohës së tij, si me Pushkinin, i cili i kishte kushtuar një poemë të veçantë dhe shenjti i shkruan me mirënjohje këtë: “Poeti, i pushtuar nga frika e shenjtë, dëgjon shpirtërisht harpën e Fillaretit”. U ngrit në rangun e arkimandritit në moshën 30-vjeçare dhe shpejt u emërua rektor i Akademisë Theologjike dhe igumen në shumë manastire të Novgorodit.
Kishte dituri të rrallë dhe dashuri të zjarrtë, me të cilat përpiqej të komunikonte para së gjithash me auditorët apo me lexuesit e veprave të tij, të cilat mbeten klasike të letërsisë orthodhokse, “fryma e Orthodhoksisë”, prandaj që kur ishte ende gjallë e konsideronin si një atë të vërtetë të Kishës dhe i kishin vënë emrin “Gojarti i ri”. Pasi mori titullin “Doktor” në Theologji, Fillareti u hirotonis episkop në moshën 35-vjeçare (1817). Fillimisht si zëvendës i mitropolisë së Shën Petërburgut, e shpejt si kryepiskop i Tverit e pastaj i Jaroslavit. Pas 5 vjetësh u ngrit në nderimin e mitropolitit të Moskës dhe të Kolomnës, detyrë që e kreu deri në fund të jetës së tij këtu në tokë.
Si hierark e administronte dioqezën e tij me të njëjtën energji. Kur u emërua në Tver, e përshkonte për 100 ditë këtë dioqezë të madhe, duke predikuar në të gjitha kishat. Kur ishte në krye të dioqezës së Moskës, punoi me këmbëngulje për të korrigjuar gabimet e klerit. Kërkonte me ngulm rreptësinë morale të klerikëve të tij dhe nuk ngurronte t’u caktonte edhe dënime kanonike, por dinte ta kontrollonte këtë rreptësi, duke ndihmuar me të mira materiale familjet e klerikëve të dënuar përkohësisht.
Duke punuar pa pushim, nuk iu dha ndonjëherë argëtimeve, e asnjë nuk e dinte se kur flinte, sepse cilido që e vizitonte, si ditën ashtu edhe natën, e gjente duke punuar në tavolinë. Hartoi vepra teologjie, manuale, artikuj dhe në ligjëratat e tij jepte më të mirën nga vetja. La gjithashtu një korrespondencë të madhe, e cila përmban mësime të çmuara që lidhen me çështje kishtare. Ishte iniciatori i përkthimit të Ungjillit në rusisht, punë me mundim të madh, ku dha kontributin e tij duke përkthyer shumë libra, të cilat përfunduan pas 50 vjetësh, për shkak të kundërshtimit të Carit dhe të disa qarqeve kishtare.
Falë mbështetjes dhe bashkëpunimit të etërve të Optinës, mundën të publikoheshin përkthimet e tij për Etërit e Kishës, të cilat u bënë nxitje e madhe për një zgjim shpirtëror në Rusi. Dinte të konsultohej me bashkëpunëtorët e tij e të pranonte me përulësi kritikat, por hierarku i shenjtë ishte i butë dhe i duruar edhe me armiqtë dhe duronte me tolerancë akuzat nga më të padrejtat që i bënin. Gjithë të ardhurat e tij i përdorte për bamirësi, duke u kujdesur që këto vepra të mbeteshin të fshehta.
Me burimet e tij ndërtoi një qendër për jetimët dhe për fëmijët e familjeve të varfra besimtare. Që nga viti 1819, u bë anëtar i Sinodit të Shenjtë. Asnjë çështje nuk i shpëtoi kompetencës së tij. I merrnin mendimin edhe kur nuk asistonte në sesione.
Problemeve më të mprehta u jepte zgjidhje të drejtë, të urtë, bazuar në parimet kanonike. Duke qenë asket nga natyra, mitropolitit të shenjtë i pëlqente të tërhiqej në vetmi, për t’iu kushtuar lutjes dhe meditimit. Prandaj edhe ndërtoi skitin e Gjetsemanisë, pranë lavrës së Shën Trinisë, ku kalonte disa ditë në një qeli të thjeshtë murgërore. Plot dashuri hyjnore, sytë i shkëlqenin nga lotët kur dëgjonte për ndonjë vepër të mirë, një qëllim mirëbërës apo ndjenja të mira.
Përpiqej të përmbushte vetë i pari atë që u këshillonte të tjerëve. Pasi shkëlqeu gjatë një gjysmë shekulli si pishtar hiri në llambën e Kishës, shën Fillareti ia dorëzoi shpirtin Perëndisë më 19 nëntor 1867, në moshën 85-vjeçare. Disa muaj më parë, kishte parë në ëndërr atin e tij, i cili e kishte këshilluar të ishte i vëmendshëm në datën 19 nëntor.
* * * * *
– Oshënar Joani në Rila –