– Ungjilli- Llukai 11:1-10.
Edhe ndodhi që ndërsa ai po lutej në një vend, si pushoi, një nga nxënësit e tij i tha: Zot, mësona të lutemi, si dhe Joani mësoi nxënësit e tij.
Edhe ai u tha atyre, kur të luteni, thoni:
Ati ynë që je në qiejt, u shenjtëroftë emri yt; ardhtë mbretëria jote; u bëftë dëshira jote, si në qiell, ashtu edhe mbi dhe.
Bukën tonë të përditshme jepna neve sot; dhe falna fajet tona, sikurse edhe ne ua falim fajtorëve tanë; dhe mos na shtjer në ngasje, po shpëtona nga i ligu.
Dhe u tha atyre: Cili prej jush, në pastë një mik, dhe të shkojë tek ai në mes të natës, e t’i thotë: Mik, jepmë hua tri bukë, sepse erdhi një miku im prej udhe tek unë, dhe s’kam ç’t’i vë përpara.
Edhe ai të përgjigjet që brenda e t’i thotë: Mos më vë në mundim. Dera tani është mbyllur dhe fëmijët e mi janë në shtrat bashkë me mua. S’mund të ngrihem e të t’i jap.
Po ju them juve, edhe nëse nuk ngrihet e t’ia japë se është miku i tij, për paturpësinë e tij do të ngrihet e do t’i japë sa i duhen. Edhe unë po ju them: Lypni, edhe do t’ju jepet; kërkoni, edhe do të gjeni; trokitni, edhe do t’ju hapet.
Sepse kushdo që lyp merr; edhe ai që kërkon gjen; edhe atij që troket do t’i hapet.