E Diela VI e Lukait, Hartë dhe Shkëmb, nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës & Kaninës, H. Ignati, 23.10.2022, (Tekst)
“Po ju bëj të ditur, vëllezër, se ungjilli që u predikua prej meje nuk është sipas njeriut” (v.11)
Këto fjalë të apostull Pavlit janë një dëshmi dhe deklaratë shumë serioze. Apostulli i hirshëm udhëtoi gjithë botën dhe i ftonte njerëzit t’i afroheshin Krishtit dhe të besojnë në fenë e re. U predikonte ungjillin, që është edhe baza e krishtërimit, dhe kërkonte zbatimin e tij me besnikëri. Që të kenë, pra, besim absolut në ato që u mësonte, fillon të bëjë këtë deklaratë të sotme serioze. Tre vjet mbeti Jisu Krishti midis njerëzve, gjatë jetës së Tij publike. Na solli dritën e Ungjillit. Na predikoi të vërtetën. E mbushi tokën me hirin e Tij. Gjeti bota, në personin e Tij, udhëheqësin e vërtetë. E deshi, dhe kur Udhëheqësi u ngjit në qiej, besimtarët e ruajtën me mall dritën që u ofroi Zoti Krisht. Ungjillin! Që të udhëheqë hapat tanë në shpëtim dhe në gëzim.
I
U njoftoj, vëllezër, shkruan shën Pavli, se ungjilli që ju predikova, nuk është shpikje njerëzish. Ashtu si apostujt e tjerë, kështu edhe unë, e mora jo nga ndonjë njeri, por drejtpërdrejtë nga Zoti Jisu Krisht. Rrjedhimisht, Ungjilli i shenjtë është fjalë e frymëzuar nga Perëndia. Nuk u shkrua nga ndonjë i urtë, apo ndonjë shkrimtar, por nga vetë Perëndia. Shpirti i Shenjtë ishte ai që ndriçoi një doganier si Mateu, një mjek si Lukai apo një peshkatar si Pjetri, të shkruajnë pa gabime, ato që janë të domosdoshme për shpëtimin tonë, ato që predikoi dhe punoi Zoti ynë Jisu Krisht.
E vërteta që u dëgjua për së pari, se Perëndia është triadik, vetëm nga vetë Perëndia ishte e mundur të zbulohet. Shpirti i Shenjtë ishte frymëzuesi dhe udhëheqësi i tyre në atë se çfarë do të shkruajnë për shpëtimin tonë. “Gjithë shkrimi i shenjtë është i frymëzuar nga Perëndia” (2 Tim. 3:16), thotë në një vend tjetër Apostulli i shenjtë. Fryma dhe ndriçimi i Perëndisë, forcuan mendjen dhe zemrën e shkrimtarëve të hirshëm, në mënyrë që, ato që shkruan, të jenë absolutisht të vërteta dhe shpëtuese. Prandaj, këto fjalë kanë fuqi që prej shekujsh dhe frymëzojnë e drejtojnë edhe neve sot, siç frymëzonin dhe etërit tanë dhe do të frymëzojnë edhe pasardhësit tanë në të ardhmen.
Nuk ishte vetëm apostull Pavli, i cili, nga një përndjekës i tmerrshëm i krishtërimit, u kthye dhe u bë predikues i pakrahasueshëm dhe i flaktë i Krishtit dhe shpallës i Ungjillit? Që prej njëzetë shekujsh tashmë, mijëra njerëz njohën të vërtetën hyjnore, nga fjala e Perëndisë, nga Ungjilli i shenjtë. Përmendim vetëm njërin: Agustinin e shenjtë. Pas një ndeshjeje shumëvjeçare shpirtërore, në një moment tronditës të jetës së tij, dëgjoi një zë të ëmbël fëminor, që i thotë: “Merr dhe lexo”. Dhe atëherë mori në duar papirusin, ku ishte e shkruar fjala hyjnore. E mori dhe lexoi fjalët e apostullit të kombeve: “Nata u thye dhe dita u afrua; le të hedhim pra, tej veprat e errësirës, dhe le të ngjeshim armët e dritës. Le të ecim hijshëm si ditën; jo në argëtime e dehje, jo në shtretër imoraliteti e ndyrësira, jo në grindje e smirë; po vishni Zotin Jisu Krisht, dhe mos bëni kujdes për mishin që t’i plotësoni lakminë.” (Rom. 13:12-14).
* * *
Ungjilli i shenjtë është fjalë shpëtuese për çdo njeri. Të pasur dhe të varfër, të lavdishëm dhe të parëndësishëm, të urtë dhe të pashkolluar, mësohemi dhe ringjallemi nga fjala e Ungjillit. Sjell tek secili prej nesh mesazhin e gëzueshëm, lajmin e mirë për shpëtimin, nëpërmjet përdëllimeve të Birit të vetëmlindur të Perëndisë. Fjalët e Ungjillit i japin të munduarit, durim; të përndjekurit, ndihmë; të dëshpëruarit, shpresë; të sëmurit, ngushëllim.
E frymëzojnë dhe e nxisin të riun në përpjekje heroike për arritje në jetë, por mbështesin edhe të moshuarin që “të kalojë në paqe dhe në pendim, jetën që i mbetet”. Ungjilli godet padrejtësinë, qorton pabarazinë dhe krijon një jetë të re shoqërore, me bazë dashurinë. Ungjilli na u dhurua nga Perëndia “për mësim, për qortim, për ndreqje, për arsim që është me drejtësi; që të jetë i përsosur njeriu i Perëndisë, i gatshëm për çdo punë të mirë” (2 Kor. 3:16-17). Por, çfarë duhet të bëjë secili prej nesh që të realizohet edhe për ne qëllimi dhe paracaktimi i jetës sonë?
II
Së pari, ta studiojmë. Studimi i Ungjillit të shenjtë është ushqimi i shpirtit. Nuk jemi vetëm trup, kemi edhe shpirt dhe nuk duhet ta lëmë kurrë të uritur, ashtu siç nuk lëmë asnjëherë të uritur trupin tonë. Nuk nevojitet shumë mundim dhe shumë kohë për këtë ushqim. Disa minuta çdo ditë janë të mjaftueshme. Edhe njeriu më i zënë me punë, nëse dëshiron, mund të gjejë pak kohë për studimin e fjalës së Perëndisë. Dhe ky studim duhet të bëhet me shpresëtari, me përulësi dhe me dëshirë jo kritike, por dobie. Atëherë, fjalët hyjnore mbillen thellë brenda zemrës sonë dhe sjellin fryte të shumtë.
Profeti i frymëzuar, psalmisti dhe mbreti David, me gjithë përgjegjësitë dhe detyrat e tij, gjente kohë dhe lumuron njeriun që studion përditë fjalën e Perëndisë (Psalmi1:2).
* * *
Por, ajo që nevojitet kryesisht është që fjala e Perëndisë të bëhet rregulluese e jetës sonë. Duhet të jetojmë “denjësisht në ungjillin e Krishtit” (Filip. 1:27). Sjellja jonë të ndikohet nga urdhërimet e Tij. Në familje, për shembull, marrëdhëniet e bashkëshortëve, të prindërve ndaj fëmijëve dhe të fëmijëve ndaj prindërve, të rregullohen bazuar në fjalën e Ungjillit. Gjithashtu, në profesionin tonë, marrëdhëniet me klientët dhe bashkëpunimi me kolegët, të kenë si busull Ungjillin e shenjtë. Le të mos biem, ne besimtarët, në kurthin e djallit, i cili transmeton dinakërinë se nuk i intereson njeriut të punojë me bazë Ungjillin. Përkundrazi, të shfaqet edhe në jetën tonë, siç u shfaq në jetën e shumë besimtarëve se, puna, vetëm atëherë sjell thelbësisht rezultate, kur është sipas Ungjillit. Kështu që Ungjilli nuk është një teori, që u përket diskutimeve të zyrave dhe të salloneve. U përket gjithë fushave të jetës dhe mund të zbatohet gjithmonë.
Ungjilli, sipas shën Joan Gojartit, është “puna e Zotit: rrëzimi i ferrit, falja e mëkateve, drejtësimi dhe shenjtërimi, shpërblimi dhe adoptimi, trashëgimi i qiejve dhe farefisnia me të Birin e Perëndisë. Thekson në mënyrë epigramatike se, Ungjill, do të thotë: Perëndia në tokë dhe njeriu në qiell”.
* * *
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!
Në kishën tonë orthodhokse, Ungjilli zë vendin më qendror. Leximi dhe shpjegimi i tij ishin përherë pjesë të pashkëputura të adhurimit hyjnor të përbashkët. Asnjë nga shtatë misteret e hirshme, që japin hirin hyjnor, nuk kryhet pa u dëgjuar edhe fjala e Ungjillit, që simbolizon vetë Zotin. Le të bëhet pra, Ungjilli boshti dhe qendra e jetës sonë individuale. Le të jetë ai udhëheqësi ynë. Atëherë, hiri që ka dhe dhuron, do të mbushë edhe shpirtin tonë.
ME URIME TË PËRZEMËRTA DHE BEKIME TË SHUMTA:
MITROPOLITI I BERATIT, VLORËS DHE KANINËS
† IGNATI
Berat më 23.10.2022