E Diela VII e Lukait, Ai të jetë brenda nesh, nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës & Kaninës, H. Ignati, 06.11.2022 (Tekst).
“Bashkë me Krishtin u kryqëzova; dhe s’rroj më unë, po Krishti rron tek unë” (v.20)
Brenda shumicës së paanë të gjërave me të cilat merret njeriu, një është vepra e tij kryesore, vepër e madhe, e çuditshme dhe e lartë; kultivimi i jetës shpirtërore, domethënë, të zhdukë të keqen që është brenda tij dhe të jetojë jetën me Perëndinë. Kur apostull Pavli shkruante letrat e tij të shenjta, ky shndërrim ishte kryer në shpirtin e tij. Ndiente dhe shkruante: “Bashkë me Krishtin u kryqëzova; dhe s’rroj më unë, po Krishti rron tek unë” (v.20). Brenda Pavlit nuk jetonte askush tjetër, përveçse Krishti, që ta frymëzojë Krishti, ta udhëheqë Krishti, të drejtojë dhe mendjen dhe sytë dhe gjuhën dhe mendimet dhe zemrën dhe të gjitha Krishti. Kjo është jeta e besimtarit, e çdo besimtari, jetë e pëlqyer nga Perëndia, e shenjtë, shpirtërore. Vallë, këtë jetë e kemi ne? E ndiejmë udhëheqës të jetës sonë Krishtin? Nëse jo, duhet ta fitojmë. Le të përpiqemi të thellohemi, disi, në këtë rrëfim madhështor të shën Pavlit.
* * *
Fjalët e tij janë një e vërtetë tronditëse, që tronditnin vetë Apostullin dhe besimtarët tashmë prej njëzetenjë shekujsh dhe ne sot duhet të na tronditin. Thotë: Me pagëzimin e shenjtë jam kryqëzuar dhe kam vdekur bashkë me Krishtin. Tanimë nuk jeton brenda meje njeriu i vjetër, por jeton Krishti. Dhe kjo jetë që jetoj trupërisht, është jetë, të cilën e frymëzon, dhe zotërues i së cilës është Krishti. Besoj në mënyrë të palëkundur dhe të patronditur, se Krishti është Biri i Perëndisë, që më ka dashur dhe dorëzoi, për hirin tim, veten e tij në vdekje, madje vdekje në kryq. Prandaj ndiej se duhet edhe unë të kryqëzohem bashkë me Zotin Krisht. Dhe të jetojë gjithmonë brenda meje Ai. “Bashkë me Krishtin u kryqëzova; dhe s’rroj më unë, po Krishti rron tek unë” (v.20).
Domethënë, vetja ime e vjetër, thotë apostull Pavli, -Sauli i vjetër- nuk vepron, nuk ka manifestime të këqija dhe mëkatare, sepse ka vdekur… E pazakontë duket kjo gjë. Por bëhet fjalë për një arritje të rëndësishme, për një situatë të bekuar dhe të lumtur. Sepse, kur njeriu bën të vdekur veten e tij të vjetër dhe të ligë, atëherë është me të vërtetë i lirë dhe realisht i lumtur. Sepse është i çliruar nga pasionet, nga dinakëria dhe shtrembërimi torturues, nga çdo gjë e poshtër që lind mëkati.
Vetë ai na thotë në vazhdim, “rroj në besimin e Birit të Perëndisë” (v.20). Domethënë, e gjithë jeta ime frymëzohet dhe drejtohet dhe udhëhiqet nga besimi te Biri i Perëndisë, i cili më deshi dhe dorëzoi veten e Tij, në vdekje, për shpëtimin tim. Nën këto fjalë fshihen thesare shpirtëror të paçmueshëm. Për të vlerësuar disi vetëm se çdo të thotë kjo frazë e vogël e apostullit “rroj në besimin e Birit të Perëndisë” (v.20), nevojitet të studiojmë për shumë kohë jetën e tij të shenjtë, që frymëzohej thellësisht nga besimi ndaj Krishtit.
Besimi i madh dhe i flaktë i apostullit, ishte ai që i jepte fuqi për të kryer këtë vepër të çuditshme, që shkakton admirimin madje edhe të pabesëve dhe mohuesve. Besimi i tij e frymëzonte në vështirësitë e tmerrshme dhe sprovat e tij të frikshme dhe, ai, nuk e lejonte të mburrej në arritjet e tij të shumta. Besimi i tij i jepte fuqi, për të nënshtruar dhe përmbajtur veten e tij dhe i paraqiste në mënyrë të gjallë, përpara tij, të mirat e pashprehshme të Mbretërisë Qiellore.
II
Sa i fort është një besim i tillë dhe sa e lartëson njeriun! Sepse, nuk mbetet besim teorik, që njeriu e dëshmon me buzët e tij, por bëhet besë-jetë. Besim që e shndërron njeriun, që ndikon sjelljen e tij dhe e bën të shenjtë në çështjet e mëdha apo të vogla të jetës së tij. Kur një besim i tillë ekziston, atëherë, besimtari që e disponon, e do me vepra dhe Perëndinë dhe të afërmin e tij. Është i përulur, fal, lufton të jetë i qashtër dhe i drejtë. Dhe ushtron çdo virtyt. Dhe, në një besimtar të tillë, edhe veprat që i karakterizuam më lartë, si vepra tipike fetare, marrin tashmë një kuptim tjetër. Lëmosha, dhuratat, lambadhat etj, bëhen të pëlqyeshme nga Perëndia, sepse vijnë nga një njeri, që përpiqet, që i trembet dhe e do me të vërtetë Perëndinë dhe që shenjtërohet në hirin e tij.
Do të mundeshim, vallë, të përsërisnim edhe ne “rroj në besimin e Birit të Perëndisë” (v.20), që tha Apostulli i shenjtë? Sepse, fatkeqësisht, tek shumica e njerëzve, jetojnë brenda tyre aq e aq gjëra të tjera dhe jo Zoti ynë. Jetojnë dhe mbizotërojnë brenda tyre, dëshirat e këqija dhe epshet mëkatare. Jetojnë brenda tyre pasionet. Jeton brenda tyre “bota”, me gjithë produktet e saj tërheqëse. Jeton brenda tyre dëshira për argëtime të liga dhe mëkatare, për dukje në shoqëri me çdo mjet të pandershëm. Jetojnë brenda helmeve të së keqes, narkotikëve dhe në aq të tjera që ofron kultura jonë e pabesë.
Dhe këtë katandisje e përjetojmë çdo ditë. Në llumin e së keqes, shpesh, zhyten shumë njerëz… Megjithatë edhe sot, shën Pavli, gjëmon dhe thotë: njerëz të shekullit të 21, përpiquni të njihni thellësisht dhe personalisht Krishtin, jo si ndonjë mësues të shquar dhe etikolog të shkëlqyer, por si një çlirimtar të veçantë personal nga barra e mëkatit dhe e fajit. Njiheni Atë, jo thjesht duke lexuar diçka për Të, por me zbatimin e fjalëve të Tij, me formimin e jetës suaj sipas urdhrave të Tij hyjnore, me kontaktin e vazhdueshëm dhe pjesëmarrjen në misteret e Tij hyjnore. Dhe atëherë, do t’i shijoni edhe ju bukuritë e dashurisë së Tij hyjnore. Do ta ndjeni si një mik dhe vëlla personal. Do të ndjeni të digjet në shpirtin tuaj, zjarri i dashurisë së shenjtë të Jisuit.
Perëndia e njeh, sigurisht, situatën e gjithsecilit. Por ekzistojnë disa modele, që tregojnë nëse dhe sa dikush jeton me besim. “Jeton me besim”, për shembull, kur jeton me shikimin gjithmonë të drejtuar ndaj Krishtit, si luledielli që kthehet vazhdimisht ndaj diellit. Domethënë, kur nuk vëren dhe nuk të bën përshtypje, asgjë që nuk të kujton dhe nuk sjell aromën e Krishtit. “Me besim jeton”, gjithashtu, kur nuk dorëzohesh para ndonjë sëmundje apo ndonjë hidhërimi, por shikon pas gjithë pikëllimeve dorën e tërëmirë dhe atërore të Zotit, që na ushtron për dobinë tonë të përjetshme. “Jeton me besim” madje edhe atëherë kur lufton të mbetesh i qashtër nga mënyra e ndotur e të menduarit dhe jetës së botës dhe vendos, mbi gjithë arritjet e kësaj jete, vullnetin e Perëndisë dhe bërjen për vete të Mbretërisë së Tij.
Sigurisht, kjo gjë, do të na vështirësojë, sidomos në fillim. Por do të konstatojmë se, realisht, vetëm kështu do të kemi paqe të vërtetë, gëzim të saktë, fuqi të mbinatyrshme dhe të vërtetë brenda nesh. Sepse do të kemi vetë Krishtin duke banuar brenda nesh, siç e kishte apostull Pavli
* * *
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!
Zoti na dha model dhe shembull të përsosur për të ndjekur gjurmët e tij. Pra, imitimi i Krishtit, le të jetë synimi ynë gjatë gjithë jetës. Ashtu si jetoi Ai, kështu të jetojmë edhe ne. Zoti ishte krejtësisht i huaj ndaj mëkatit dhe pa asnjë lidhje me tërheqjet e mëkatit. Njësoj edhe ne, le të jemi të vdekur për çdo gjë mëkatare. Tashmë, të mos jetojë më vetja jonë e vjetër. Të jetojë brenda nesh vetëm Krishti, thesari i madh, burimi i shenjtërimit dhe i hirit, dhënësi i lumturisë së vërtetë. U bëftë.