Apostujt Stahi, Ampeli Ampli, Narkisi, Urbani, Aristovuli nga Të 70-t.
Të pesë apostujt e shenjtë bënin pjesë në 70 apostujt.
Stahi, i quajtur “shumë i dashur” nga Pavli (Rom. 16.9), u bë episkop i Bizantit nga apostull Andrea, themeluesi i tij. Ai ndërtoi një kishë në Argjiropoli, pranë Bizantit, ku mblidheshin më shumë se dy mijë të krishterë për të mësuar dhe kunguar me Misteret e shenjta. E kulloti grigjën shpirtërore të Krishtit për 16 vjet (38-54) dhe më pas fjeti në paqe.
Apeli, “i provuari në Krishtin” (Rom. 16.10) u bë episkop i Iraklisë (Azi e Vogël) dhe fjeti në paqe, pasi kishte sjellë shumë veta në besim.
Ampli dhe Urbani (Rom. 16.8-9) u dorëzuan episkopë nga apostull Andrea: Ampli i Odisopolit (në Maqedoni) dhe Urbani i Maqedonisë. Siç predikonin me zell besimin në Perëndinë e vetëm në tre persona zbuluar nga Jisu Krishti, ata u vranë pas shumë sfilitjesh, Ampli nga paganët, ndërsa Urbani nga paganët e judenjtë që ishin të lidhur.
Narkisi (Rom. 16.10) u bë episkop i Athinës. U martirizua për shpalljen e së Vërtetës.
Aristovuli (Aristobuli), episkop i Anglisë, luftoi pa u lodhur që t’u mësonte popujve të paditur fjalën jetëdhënëse të Zotit dhe fjeti në paqe.
* * * *
Jakovi i Nisibit dhe i Mikdonisë
Lindi në Mesopotami, ndoshta në Nisibi, kryeqytet i Mikdonisë. U bë eremit në male duke përballur motin e keq. U dobësua nga ushqimi shumë i varfër dhe ushtrimi i trupit të tij, por shpirti iu forcua me anën e lutjes dhe të leximit.
Kishte dhuntinë e parashikimit. Gjithashtu në vitet 308-309 u dorëzua episkop i parë i Nisibit. Solli pranë Krishtit shumë idhujtarë si dhe ata që nuk u kishin rezistuar torturave dhe kishin mohuar Krishtin gjatë kohës së persekutimeve. Vetë ai kishte vuajtur atëherë së tepërmi. U kujdes edhe për edukimin e bashkëpunëtorit të tij të mëvonshëm, shën Efremit Sirianit. Në vitin 325, pasi mori pjesë aktive në Sinodin i Parë Ekumenik të Nikesë, siç dëshmon Athanasi i madh, takoi në Bizant episkopin e atjeshëm, shën Mitrofanin, të cilin dhe e varrosi kur vdiq.
Në vitin 338, kur persët kishin rrethuar pa rezultat Nisibin, ai veproi në mbrojtje të qytetit dhe dërgoi një re insektesh që pickoi kuajt dhe elefantët e armikut dhe i egërsuan ato. Fjeti në bedenat e qytetit dhe u varros në muret e tij. Lipsani i tij u bë simboli mbrojtës i qytetit. Shkroi vepra të pavërtetuara. Nderohet më 31 tetor dhe më 13 janar.