– Anargjendët Kozma e Damian, nga Azia –
Shenjtorët Kozma dhe Damian ishin nga Azia. Prindërit e tyre ishin një model i përkryer i bashkëshortëve të krishterë. Kur mamaja e tyre, Theodota, mbeti e ve, ia kushtoi të gjithë jetën edukimit të krishterë të fëmijëve, Kozmait dhe Damianit.
Të dy vëllezërit dalloheshin për zgjuarsinë e tyre dhe studiuan shumë shkenca, veçanërisht shkencën e mjekësisë dhe përkushtimin human.
Shëronin sëmundje të ndryshme pa marrë asnjë shpërblim dhe për këtë u quajtën anargjendë. Të shumtë ishin ata të sëmurë të cilët, pasi gjenin shërim, dëshironin të falënderonin shenjtorët por ata nuk i pranonin shumë nderimet e njerëzve dhe u përgjigjeshin atyre duke përdorur fjalët e Shkrimit të Shenjtë: “Bekimi dhe lavdia, urtësia dhe falënderimi, nderimi, fuqia dhe forca janë tek Perëndia ynë në jetë të jetëve”.
Kështu me përulësi anargjendët Kozma dhe Damian i shërbyen të tjerëve gjatë gjithë jetës së tyre. Ndërruan jetë në paqe dhe u varrosën në vendin e quajtur Ferema.
* * * * *
Oshënarëdëshmorët e Rinj Jakovi (nga Vithkuqi i Korçës), Dionisi dhe Jakovi.
Shën Jakovi lindi në një fshat të zonës së Vithkuqit të Korçës. Prindërit e tij quheshin Martin dhe Parashqevi. Mbas vdekjes së prindërve të tij ai punoi si bari dhe tufa e tij u rrit jashtëzakonisht shumë, duke shkaktuar kështu smirën dhe zilinë e vëllait të tij, ashtu si Abeli me Kainin. I verbuar nga zilia vëllai i tij sajoi një histori të rreme. Ai shkoi tek kadiu dhe i tha se Jakovi kishte gjetur një thesar të madh. Për të shpëtuar nga zilia e të vëllait dhe nga lakmia e kadiut, Jakovi u largua me shpejtësi nga fshati i tij dhe shkoi në Konstandinopojë. Atje ai filloi të merret me tregti, duke blerë dhe shitur bagëti.
Jakovi u pasurua shumë nga kjo tregti. Një ditë ai ndodhej si mik në shtëpinë e një turku të rangut të lartë, i cili e respektonte shumë krishtërimin. Turku i tregoi Jakovit se gruaja e tij kishte vuajtur shumë nga një sëmundje e rëndë mendore dhe ishte shëruar kur Patriku kishte vendosur mbi kokën e saj Ungjillin e shenjtë. Jakovit i bëri shumë përshtypje kjo dëshmi, e treguar nga një mysliman dhe u prek shumë në shpirt. Një dëshirë e zjarrtë iu ndez brenda dhe shkoi të takonte Patrikun. Në atë kohë Patrik ishte shën Nifoni – me origjinë arbërore dhe sipas traditës vëllamë i Gjergj Kastriotit. Mbasi u rrëfye tek vetë Patriku, Jakovi e ndau gjithë pasurinë e tij tek të varfërit dhe pastaj, u nis për në Malin e Shenjtë, ku edhe filloi jetën murgërore.
Si murg, Jakovi praktikoi asketizëm të ashpër, duke ngrënë dhe duke fjetur shumë pak dhe duke e kaluar pjesën më të madhe të ditës me punë dhe lutje. Ai e bëri zakon të fliste vetëm të shtunave dhe të dielave. Duke kërkuar një qetësi më të madhe për t’u lutur, ai u largua nga manastiri dhe shkoi të jetonte në një vend të shkretë në brendësi të Malit të Shenjtë. Shpesh ngjitej në majën e malit Athos dhe e kalonte gjithë natën duke u lutur. Kështu murgu Jakov arriti një shkallë të lartë të jetës shpirtërore dhe pati shumë vegime qiellore. Njëherë gjatë lutjes, në vegim, iu shfaq një plak i shenjtë dhe i tha se ishte dëshira e Perëndisë të linte Malin e Shenjtë dhe të dëshmonte tek njerëzit që ishin në vështirësi me besimin.
Jakovi u largua nga Athosi i shoqëruar nga dy prej nxënësve të tij. Fillimisht ai vizitoi një qytet të quajtur Petra, pastaj shkoi në Meteora, ku qëndroi për një kohë të shkurtër dhe më pas u vendos në manastirin kushtuar Pararendësit në Dervekishtë, pranë Nafpaktos. Shumë njerëz filluan të vinin në manastir për të takuar shenjtorin, sepse fama e shenjtërisë së tij e kishte paraprirë. Kudo që ai shkonte mblidhej një turmë e madhe. Jakovi predikoi shumë për të forcuar popullin në besim dhe bëri shërime dhe mrekulli të shumta. Fjalët e tij, të shoqëruara me mrekulli, kthyen shumë njerëz në rrugën e drejtë. Perëndia i kishte dhuruar atij dhuratën e profecisë dhe të gjitha profecitë që ai bëri u realizuan. Gjithashtu, ai kishte edhe dhuratën të dallonte mendimet e fshehta të çdo personi që takonte.
Por, jo të gjithë e pranuan këtë dhuratë që Perëndia kishte dërguar për shërim të shpirtrave. Ashtu siç ka ndodhur shpesh, drita urrehet nga errësira dhe në zemrat e papastra lind zilia kur flitet mirë për dikë. Kështu që zilia dhe smira u ndez në zëmrën e disa murgjërve të tjerë, të cilët filluan të shpifin kundër Jakovit. Ata nxitën gjithashtu mitropolitin e Artës, Akakios, i cili edhe vetë ishte bërë xheloz nga veprimtaria e Jakovit. I errësuar nga zilia, ai informoi beun e Trikallasë, sikur Jakovi po kryente një aktivitet të fshehtë dhe po mblidhte njerëz rrotull tij për të filluar një kryengritje.
Ky lajm e tronditi beun dhe ai urdhëroi të arrestohet Jakovi dhe të sillet tek ai menjëherë. Por Jakovi e kishte parashikuar këtë dhe u përgatit me lutje për martirizimin që po e priste. Ushtarët erdhën dhe e arrestuan atë, sëbashku me dy nxënësit e tij, dhjakun Jakov dhe murgun Dionis. I çuan tek beu dhe ai e mori në pyetje Jakovin, herë me të mirë dhe herë me kërcënime. Pas dyzet ditësh, të lidhur me zinxhirë, i çuan para sulltan Selimit, i cili po qëndronte në Adrianopojë. Pas torturave të tmerrshme dhe përpjekjeve të dështuara të sulltanit për t’i detyruar të kthenin fenë, Jakovi dhe dy nxënësit e tij u vranë në 1 Nëntor të vitit 1519. (Disa sinaksarë të tjerë japin vitin 1520).
Lipsanet e tyre u blenë nga disa të krishterë të devotshëm dhe u varrosën në fshatin Arvanitohori, në tre varre të veçantë, pranë Adrianopojës. Lipsani i shën Jakovit u bë një burim mrekullish dhe shërimesh. Sot lipsanet e tij ndodhën në manastirin e shën Anastasisë Farmakolitria, në Selanik, ndërsa koka e tij në Mitropolinë e Kosturit. Një pjesë e vogël nga lipsani i tij që ruhet në Kostur iu dhurua Mitropolisë së Korçës me rastin e 500 vjetorit të martirizimit.
* * * * *
– Dëshmoret Kiriana Dhe Juliana Nga Kilikia –
Këto dy shenjtore u martirizuan në kohën e Dioklecianit (rreth vitit 305). Kiriana ishte nga Tarsi i Kilikisë dhe Juliana nga qyteti Roso i së njëjtës krahinë.
Me urdhër të Markianit, guvernatorit të Kilikisë, i kapën dhe kërkuan që ato t’u sakrifikonin idhujve. Por shenjtoret kundërshtuan me trimëri, prandaj e morën Kirianën, ia qethën kokën dhe vetullat dhe pastaj e hipën të zhveshur mbi gomar, duke e detyruar t’i binte katër herë përqark qytetit të Tarsit.
Nga pas e ndiqte një turmë fëmijësh, të cilët e godisnin me shkopinj dhe e përqeshnin, gjë që nxiste talljen e popullit dhe të ushtarëve. Por, në mënyrë të mistershme, e mbuluar nga veli i hirit, shenjtorja nuk ndjeu turp.
Pas kësaj e çuan në Roso, dhe e dogjën në zjarr bashkë me Julianën.