E Diela V e Llukait, të Palëkundur, në vështirësitë e Jetës, nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës & Kaninës, H. Ignati, 30.10.2022 (Tekst)

«Të mjafton hiri im; sepse fuqia ime në dobësi tregohet e përsosur» (v. 9)

Të pasosura janë pësimet dhe përndjekjet e apostull Pavlit, për ungjillin e Shpëtimtarit Krisht. Por, shumë të mëdha janë gjithashtu edhe zbulesat qiellore që i bëri Zoti për mbështetjen dhe forcimin e tij. Nuk përkulej nga përndjekjet Apostulli. Nuk mburrej për zbulesat hyjnore. Mburrej vetëm më Zotin dhe përulej, përderisa vetë Zoti, me dhembshuri të thellë, nga larg, e ndihmonte në përulësi dhe në durim. Sa më shumë fuqia e tij dukej e lëkundur, aq më e pasur dhe e madhe shfaqej fuqia e Perëndisë. Apostull Pavli kishte tërhequr hirin e Perëndisë. Por ne, si do ta tërheqim hirin e Perëndisë?

Le të dëgjojmë nga goja e vetë Apostullit, si e përballonte problemin e sëmundjes së tij. Thotë, meqenëse Perëndia më bëri zbulesa të mëdha, njëkohësisht më dha edhe një sëmundje të pashërueshme, në mënyrë që i shqetësuar nga ajo të shikoj dobësinë time dhe të mos mburrem. Kjo sëmundje e mbronte Apostullin e Krishtit nga rreziku i mendjemadhësisë. Vuante sigurisht trupi, por shpirti ruhej në gjendjen e bekuar të përulësisë. Apostulli thotë se, tri herë iu lut Zotit dhe iu përgjërua ta çlirojë nga kjo sëmundje. Por Perëndia nuk e dëgjoi. I tha, “të mjafton hiri im”.

Shpjeguesi i madh i fjalës së ungjillit dhe oratori kishtar, i urti Niqifor Theotoqi, i përçon si më poshtë fjalët e përgjigjes së Perëndisë ndaj shën Pavlit: «I mjaftueshëm është për ndihmën tënde kundër armiqve të predikimit të ungjillit, hiri që të dhashë. Me atë flet gjuhë të huaja, shëron të sëmurë, nxjerr djaj, ngjall të vdekur; ky hir të mjafton; mos kërko të largoj nga ti përndjekësit e besës. Nëse nuk i kundërvihet dikush predikimit, ti nuk do të jesh i fortë dhe i fuqishëm. Me pasurinë dhe fuqinë dhe pushtetin, askush nuk do të mendojë atëherë se predikimi i besës është vepër e fuqisë sime.

Për sa kohë ti je i pafuqishëm, dhe përndjekësit më të fuqishëm, dhe predikimi i ungjillit përhapet dhe numri i besimtarëve shumohet, aq më shumë shfaqet fuqia ime dhe përsosmëria». “Sepse fuqia ime në dobësi tregohet e përsosur”.

Ka dinakëri të madhe Satanai, o vëllai im, për të krijuar ndjenja vetëkënaqësie dhe mendjemadhësie brenda nesh, për shkak të disa sukseseve tona. Prandaj vjen Ati ynë i dhembshur, Perëndia, për të na mbrojtur nga kjo dinakëri. Dhe që të na mbajë në përulësinë e shenjtë, na jep një pikëllim, një sëmundje, një fatkeqësi. Lejon të kemi dhimbje, të vuajmë, që të mos i besojmë vetes sonë dhe fuqive tona. Që të mos harrojmë se çdo e mirë që kemi, nuk është e jona, por e Perëndisë. Akoma, që të mos ngjitet shpirti ynë në lëvdatat e njerëzve dhe të mirat e dheut, por ta kërkojë tek Perëndia ngushëllimin, gëzimin, lumturinë.

Sa më të shumta dhe të mëdha janë, shumë herë, ngasjet, aq më i pasur është edhe hiri që na jep Krishti; fuqinë e Tij, që t’i durojmë. Këtë të vërtetë të madhe, shën Diadoku, episkopi i Fotikisë, na e paraqet me një shëmbëllesë të mrekullueshme: “Ashtu si dylli, kur nuk ngrohet dhe nuk zbutet mirë, nuk mund të mbajë shenjat e vulës mbi të, kështu edhe njeriu nuk mund të pranojë vulën e virtytit të Perëndisë, nëse nuk sprovohet me mundime dhe ngasje”.

Ngasjet përbëjnë “shortin” e jetës më Krishtin. I krishteri shpëton brenda sprovave dhe pikëllimeve të ndryshme që i ndodhin shpesh. Shenjtërimi dhe përsosmëria më Krishtin arrihen kur besimtari përballon me durim dhe bindje tek ndihma e Zotit, çdo ngasje që i lejon Perëndia ta sulmojë. Fjala e Zotit mbetet e papërgënjeshtruar. “Në botë do të keni shtrëngim” (Joani 16:33). Dhe përvoja e Apostujve vazhdon të jetë e gjallë dhe gjithmonë aktuale. “Me shumë shtrëngime duhet të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë” (Vep. 14:22).

Perëndia lejon shpesh të provohemi edhe ne të krishterët. Ngasje, përndjekje dhe sprova të ndryshme, ndërhyjnë me kërcënim dhe trazojnë edhe jetën tonë. Durimi i ngasjeve dhe rezistenca ndaj rrethanave, paraprin hyrjen tonë Mbretërinë e Qiejve.

Sipas shën Andonit të Madh, rruga që të çon në Mbretërinë e Qiejve, është e shtruar me ngasje dhe sprova të shumëllojshme. «Askush që nuk provoi ngasje, nuk mund të hyjë në Mbretërinë e Qiejve. Hiq ngasjen dhe askush nuk shpëtohet. Por përse vallë i lejon Perëndia ngasjet? Sepse, thjesht, kur të gjitha në jetën tonë shkojnë siç dëshirojmë ne, e harrojmë Perëndinë. E braktisim. Krenohemi, duke patur ndjesinë e gabuar se jemi të fortë dhe të rëndësishëm dhe se nuk kemi nevojë për askënd. Madje as për vetë Perëndinë! Në ngasje e njohim më mirë veten tonë».

Shën Pavli e pranonte se prej vetes së tij, për sa i përket rezistencës, fuqisë së trupit, vullnetit dhe arritjes, ishte enë prej balte, e krisur dhe gjysmë e thyer, rrjedhimisht shumë e dobët. E megjithatë kishte një durim shumë të madh; dhe kishte ndërkohë edhe sëmundje të tjera që e rëndonin, përndjekje, burgosje, rrahje, fshikullime, privime. Rreziqe të tmerrshme dhe pësime për vdekje. E me gjithë këto, ena prej balte nuk thyhej, por triumfonte dhe mund të thoshte: “Të gjitha mund t’i bëj me anë të Krishtit që më jep fuqi” (Filip. 4:13).

Atje ku gjithashtu ndrit shkëlqyeshëm, madje më shkëlqyeshëm, hiri i pamposhtur dhe fuqia e Perëndisë, është arena e luftës shpirtërore personale, sepse e ka marrë përsipër -dhe duhet ta marrë përsipër- çdo besimtar. Apostull Pavli flet për “betejën që është përpara nesh” (Heb. 12:1). Dhe Timotheut i shkruan: “Lufto luftën e mirë” (2 Tim. 4:7). Dhe që ta inkurajojë më shumë dhe t’i forcojë bindjen për fitoren, paraqet veten e tij si shembull, duke thënë: “Luftën e mirë luftova… pastaj më mbetet kurora e drejtësisë” (2 Tim. 4:7-8).

Kjo luftë është me e lavdishme se çdo luftë tjetër. Është luftë për rilindjen dhe përparimin shpirtëror të njeriut. Ecuri në të përpjeta, për në lartësitë e virtytit, përkushtimit dhe shenjtërimit, ngjasimit me Perëndinë, me shpërblim hyjnizimin dhe birësimin prej Atit qiellor, pjesëmarrjen në lavdinë dhe dëfrimin e përjetshëm të të mirave të papërshkrueshme të Parajsës.

Por sa më të mëdha dhe të pallogaritshme janë shpërblimet “e thirrjes prej së larti”, aq më e ashpër dhe mbinjerëzore është kjo luftë shpirtërore. Sepse është luftë kundër vetes sonë; kundër dobësive të shumta dhe të mëdha, egoizmit dhe vetëdashjes. Luftë sakrifice dhe mundimesh për ushtrimin e dashurisë, mbizotërimin e drejtësisë, përvetësimin e përulësisë, është luftë kundër rrymave që mbizotërojnë në botë; kundër të ligut që kërkon si luan të na përpijë (1 Pjetri 5:8).

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

Le të dëshirojmë të qëndrojmë të palëkundur në luftën shpirtërore dhe në vështirësitë e pikëllimet e jetës. Le të bashkojmë fuqinë tonë me tërëfuqinë e Perëndisë, dhe atëherë do të arrijmë edhe ne të themi, atë që thoshte shën Pavli i madh, luftëtari i papërkulur: “Të gjitha mund t’i bëj me anë të Krishtit që më jep fuqi” (Filip. 4:13).

U bëftë.