Fjeti më Zotin Hirësi Ilia, Mitropolit i Filomilit.

Në datën 6 tetor 2022 fjeti më Zotin Hirësi Ilia (Katre), Mitropolit i Filomilit, i Dioqezës Shqiptare në Kishën Orthodhokse të Amerikës të juridiksionit të Patriarkanës Ekumenike.

Me dhimbje për largimin nga mesi ynë por mbushur me shpresë në ngjalljen dhe prehjen tek Zoti, njoftojmë ndarjen e papritur nga jeta të Mitropolitit Ilia (Katre) në moshën 85 vjecare.

Ai ishte një hierark shembullor dhe një njeri me besim të thellë që nuk pushoi kurrë së përgjigjuri thirrjes së Kishës për shërbim.

Fjetja dhe largimi i tij prej nesh është një mungesë e madhe për Orthodhoksinë në Amerikë dhe Shqipëri si dhe në të gjithë miqtë në mbarë botën.

————–

 

 

Ai ishte një figurë e shquar dhe e dashur e komunitetit shqiptar në SHBA dhe një person që nderohej nga besimtarët orthodhoksë të Shqipërisë për kontributin e dhënë në ringritjen e Kishës sonë përkrah Kryepiskopit Anastas që në vitin 1991, veçanërisht në arsimimin e klerikëve të rinj.

Hirësi Ilia lindi në vitin 1937, në një familje emigrantësh të ardhur nga Shqipëria në vitin 1920. Familja besimtare dhe afria me kishën do të ndikonin vendimin e tij për t’u bërë klerik orthodhoks. Kreu Kolegjin “Holy Cross” në vitin 1961, u martua dhe pati dy fëmijë. Pas kësaj u hirotonis dhjakon e më pas prift. Atë Ilia u caktua në kishën shqiptare të Trinisë së Shenjtë në Boston. Në vitin 1983 kreu studimet pasuniversitare në master në Kolegjin Holy Cross dhe më pas u caktua përgjegjës aty për çështjet e studentëve. Në vitin 1988 u caktua në Nevada, ku shërbeu deri në vitin 2002.

Pas ardhjes së Kryepiskopit Anastas si Ekzark Patriarkal, ai shërbeu në Kishën tonë në vitet 1991-1992, veçanërisht si përgjegjës për Seminarin e sapohapur për përgatitjen e priftërinjve të rinj.

Në vitin 2001 priftëresha e tij fjeti më Zotin. Në vitin 2002 ai u hirotonis Episkop i Filomilit nga Sinodi i Shenjtë i Patriarkanës Ekumenike dhe u caktua të drejtonte Dioqezën Shqiptare të Kishës Orthodhokse të Amerikës.

Në vitin 2004, Hirësi Ilia erdhi përsëri në Shqipëri, ku Kryepiskopi Anastas e caktoi si Dekan të Akademisë Teologjike. Pas 3 vitesh shërbimi u kthye përsëri në SHBA, në dioqezen e tij.

Në vitin 2010 iu caktua edhe detyra e igumenit të manastirit të Astorias, Quins, Nju Jork.

Për kontributin e dhënë në SHBA dhe vendin tonë Patriarkana Ekumenike e ngriti në vitin 2019 në rangun e Mitropolitit.

Hirësi Ilia, prej shumë vitesh deri pak muaj më parë, ka qenë edhe përfaqësuesi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë në tryezën e Dialogut të Kishës Orthodhokse (të të gjithë Kishave Orthodhokse) me Kishën Anglikane.

I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!